Lajçaku në Kosovë teston zhvillimet paszgjedhore para vazhdimit të dialogut

Lajçaku në Kosovë teston zhvillimet paszgjedhore para vazhdimit të dialogut

08:19, 28/02/2021

Gjatë vitit të parë të mandatit të Lajçakut u realizuan vetëm dy takime të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Po ashtu, u zhvilluan një numër shumë i vogël i takimeve në nivel të ekipeve negociuese. Në dinamikën e dialogut ndikuan edhe pandemia dhe mundësitë e kufizuara të lëvizjes, por edhe mungesa e vullnetit nga palët që të avancojnë në këtë dialog.

Saktësisht një muaj para se t’i skadojë mandati njëvjeçar, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, vjen për vizitë në Kosovë, prej nga më pas do të shkojë edhe në Serbi.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel, Lajçaku do të qëndrojë në Prishtinë nga e hëna deri të mërkurën, për ta vizituar më pas Beogradin dy ditë, e pastaj edhe Malin e Zi.

Është kjo vizita e parë e tij në Kosovë dhe rajon pas zgjedhjeve në Kosovë, në të cilat bindshëm ka fituar Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Listën e Vjosa Osmanit. Nga fituesi i zgjedhjeve kishin ardhur porosi se dialogu me Serbinë nuk do të jetë ndër prioritetet kryesore, dhe kjo kishte shkaktuar një dozë pakënaqësie në Bruksel.

Por, bazuar në atë që është arritur gjatë një vit mandati të Lajçakut, është vështirë të thuhet se dialogu ka qenë ndonjë prioritet i madh për BE-në. Ishte pothuajse një vit i humbur, në të cilin suksesi më i madh që përmendet është “rifillimi i dialogut pas 20 muajsh ndërprerjeje”. Përderisa para një viti Lajçaku dhe zyrtarë të tjerë të BE-së pohonin se “synohet një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, çështje muajsh e jo vitesh”, tash kanë ndryshuar retorikën dhe thonë se “nuk mund të ketë afate artificiale kohore”. Dialogu kështu po i afrohet dhjetëvjetorit, që kur ka nisur, në vitin 2011.

Gjatë vitit të parë të mandatit të Lajçakut u realizuan vetëm dy takime të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Po ashtu, u zhvilluan një numër shumë i vogël i takimeve në nivel të ekipeve negociuese. Në dinamikën e dialogut ndikuan edhe pandemia dhe mundësitë e kufizuara të lëvizjes, por edhe mungesa e vullnetit nga palët që të avancojnë në këtë dialog.

Serbia insistonte që Kosova ta zbatojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe atë jo duke e respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndërkohë që delegacioni i Kosovës, edhe pse kishte pranuar në një takim, u tërhoq dhe nuk pranoi më të diskutohej për këtë çështje. Lajçak me disa deklarata të tij, që u interpretuan ndryshe në Kosovë e ndryshe në Serbi, ka shkaktuar më shumë paqartësi. Ishin dy deklarata të tij që u panë me shumë pakënaqësi në Kosovë: ajo se Kosova duhet ta ndryshojë Kushtetutën dhe tjetra se “për vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, është e pranueshme gjithçka që pranon Serbia”. Në këtë mënyrë, siç ishte shprehur edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitë në Bruksel, “BE-ja ka subordinuar politikën e saj të jashtme në një çështje të rëndësishme të qëndrimeve të Serbisë dhe Rusisë”. Lajçaku gjatë mandatit të tij të parë, së paku në paraqitjet publike, e ka bërë të qartë se BE-ja Kosovën nuk e trajton si shtet të pavarur, që është edhe qëndrim zyrtar i BE-së. Bashkimi Evropian ka qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, edhe pse shumica e vendeve anëtare e kanë njohur Kosovën si shtet. Para një viti, kur Lajçaku ishte emëruar në këtë post, presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte thënë se “nuk do të takohet me të, para se ai ta njohë Kosovën si shtet”.

Në Bruksel, burimet diplomatike i kanë thënë KOHËS se shtetet anëtare tashmë janë marrë vesh që Lajçakut t’ia vazhdojnë mandatin edhe për 17 muaj, dhe kjo tash vetëm duhet të formalizohet nga Këshilli i BE-së.

Lajçaku në këtë vizitë do të informohet për së afërmi me zhvillimet paszgjedhore në Kosovë dhe me procesin e formimit të Qeverisë. Ai më herët kishte thënë se nuk do të ketë takime të reja në dialog, para se të krijohen institucionet e reja në Kosovë. Gjatë vizitës në Kosovë, Lajçaku pritet të bisedojë me përfaqësuesit e institucioneve, por edhe me liderë të partive politike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco