Gjashtë hapa deri te lëvizja e lirë e kosovarëve në zonën Schengen

Gjashtë hapa deri te lëvizja e lirë e kosovarëve në zonën Schengen

09:19, 26/01/2021

Bashkimit Evropian në vazhdimësi po i kërkohet të mbajë premtimin e dhënë për kosovarët që t’iu liberalizohen vizat. Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian, tashmë veç ka dhënë dritën jeshile, ndërsa Këshilli i BE-së e ka në duar tash e dy vjet.

Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian që aktualisht udhëhiqet nga Gjermania, nuk e ka futur në agjendë liberalizimin e vizave për Kosovën.

Drejtori ekzekutiv i institutit Epik, Demush Shasha, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka treguar se cilët janë gjashtë hapat deri te lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës në zonën Schengen, megjithëse viti 2021 është pak premtues.

“Hapi i parë që duhet realizuar është përfundimi i negociatave ndër-institucionale për plotësim ndryshimin (trialogu) e rregullores 539/2001 dhe dakordimi mbi një marrëveshje të përkohshme jo-formale për plotësim ndryshimin e rregullores. Hapi i dytë është votimi për plotësim ndryshimin e rregullores 539/2001 në LIBE (Parlamenti) dhe aprovimi në COREPER (Këshilli). Hapi i tretë është votimi për plotësim ndryshimin e rregullores 539/2001 në seancë plenare të Parlamentit Evropian. Hapi i katërt është votimi për plotësim ndryshimin e rregullores 539/2001 nga Këshilli i BE-së. Hapi i pestë është ceremonia e nënshkrimit nga Këshilli dhe Parlamenti dhe hapi i fundit, hapi i gjashtë, hyrja në fuqi e rregullores 539/2001 dhe lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës”, shprehet Shasha.

Shasha thekson se Kosova e ka humbur momentumin pozitiv që ekzistonte në vitin 2016 për liberalizimin, për shkak të, siç thotë ai, mungesës së konsensusit të spektrit politik lidhur me çështjen e demarkacionit i cili i ka kushtuar qytetarëve te Kosovës tani pothuajse pesë vjet izolim.

“Në vitin 2016, BE-ja ia hapi derën Kosovës që të jetë pjesë e zonës Schengen, por skena politike e Kosovës refuzoi këtë ofertë duke mbajtur kështu qytetarët e Kosovës të vetmit në Ballkanin Perëndimor pa të drejtën e lëvizjes së lirë. Ndërkohë, Kosova dështoj të ndërtoj një sistem të pavarur të drejtësisë i cili do ishte në gjendje të shënoj progres në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë. Rrjedhimisht, sot jemi me një mjedis kompleks ku janë së paku katër faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën”, u shpreh Dasha.

Sipas njohësit të integrimeve evropiane, faktor kyç i pengimit të liberalizimit është mungesa e rezultateve në kuadër të luftës kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

“Katër vite pas kërkesës së Komisionit Evropian për përmbushjen e kriterit të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë për korrupsion”, u shpreh Shasha.

Faktori tjetër sipas tij është se Raporti i Vendit 2020 identifikoi sfida të shumta në fushën e sundimit të ligjit dhe kësisoj, vendet anëtare të BE-së me shqetësim janë duke përcjellë të gjeturat e Raportit të Vendit, ku është konkluduar se korrupsioni është i përhapur në të gjitha nivelet institucionale, ndërsa sistemi i drejtësisë mbetet nën ndikimin politik..

Faktori i tretë që po e pengon liberalizimin janë ngecjet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dhe e fundit, problemi i katërt, është mungesa e vullnetit politik për liberalizim të vizave.

“Zhvillimi i fundit sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën ka ndodhur me 24 shtator 2019, kur Komisioni i Parlamentit Evropian për Drejtësi, Punë të Brendshme dhe Liritë Qytetare (LIBE), ka mbështetur ri-nisjen e negociatave teknike me Këshillin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave me Kosovën, respektivisht për të siguruar plotësim ndryshimin e Rregullores 539/2001”, shtoi Shasha.

Prej atëkohë nuk ka pasur ndonjë progres të rëndësishëm për liberalizim të vizave brenda institucioneve të BE-së, respektivisht, Shasha thotë se forumi përgjegjës për liberalizimin e vizave me Kosovën Këshilli për Çështje të Brendshme dhe Drejtësi nuk ka dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave.

“Gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar (2020), Presidenca Gjermane e BE-së ka tentuar disa herë të shtyjë përpara çështjen e liberalizimit të vizave, por duke marr parasysh pandeminë dhe hezitimin e disa shteteve sikur Franca dhe Holanda, kjo tentativë e Gjermanisë nuk pati sukses”, u shpreh tutje Shasha.

Shasha gjithashtu tregon se viti 2021 është pak premtues për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Viti 2021 është vit zgjedhor në Holandë dhe Gjermani dhe në këtë drejtim është vështirë se këto dy vende do mbështesin vendimin për hapjen e kufijve të BE-së gjatë një viti zgjedhor”, u shpreh ai.

Në Kosovë, prej vitit 2013 kur atëkohë kryeministër i Kosovës ishte Hashim Thaçi, qytetarët janë premtuar se do të liberalizohen.

Në korrik të vitit 2018 Kosova mori rekomandimin për liberalizimin e vizave dhe aktualisht ka mbetur çështje e ngrirë. Më 2019 Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme [LIBE], ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën, por Franca dhe Holanda vazhdojnë të mbesin skeptike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco