Avni Dehari tregon se si vendosi t'i hyjë garës për deputet me Vetëvendosjen

Avni Dehari tregon se si vendosi t'i hyjë garës për deputet me Vetëvendosjen

10:20, 23/01/2021

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari është shprehur optimist në fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt.

Dehari në një intervistë për Telegrafin, ka treguar arsyet se pse ka vendosur t’i hyjë garës për deputet pikërisht në këtë kohë.

 

“Garën për të hyrë në këto zgjedhje, e kam vendosur pas kërkesave të shumta që më kanë bërë që të kandidojë në listën për deputet. Unë kam shumë shokë në VV, që nga kthimi im në Kosovë, nga viti 1999 kam përcjellë të gjitha zhvillimet politike. Që nga themelimi i VV-së kam mbështetur veprimtarinë e saj, kam mbështetur natyrisht edhe programin e saj. Me kohë pastaj edhe jam anëtarësuar, në këtë kohë kur ka një mbështetje shumë të madhe në gjithë Kosovën dhe jashtë saj, kërkesën për të kandiduar për deputet e kam pasur shumë të vështirë ta refuzojë”, është shprehur ai.

Gjatë intervistës, Dehari ka folur edhe për rrugëtimin e LVV-së, teksa thotë se gjithmonë ka qenë i mendimit se një parti sikur Vetëvendosje, duhet te jetë në parlamentin e Kosovës.

“Ju e dini se në fillim LVV nuk ka qenë parti politike, por është angazhuar që ta ngrit zërin për t’i ndrequr të metat e shoqërisë në Kosovë. Me kohë vendosën që të futën në jetën parlamentare dhe kjo natyrisht që më ka gëzuar shumë, pasi që parlamenti i Kosovës ka pasur nevojë për një subjekt të tillë.

Shtroheshin shumë pyetje atëherë, se a është mirë apo keq që po hyn VV, natyrisht ka pasur mendime të ndryshme. Disa mendonin që është më mirë që VV të mbetet jashtë Kuvendit, dhe të vazhdojë aktivitetin siç kishte bërë atëherë, mirëpo për shtetësinë e Kosovës, për demokracinë e shoqërisë sonë, Kuvendi ka pasur nevojë që VV të jetë e pranishme edhe aty. Mendimi im ka qenë se Kuvendi ka nevojë për VV, nëse VV i mbanë qëndrimet siç i ka pasur deri në atë kohë”, ka potencuar Dehari.

Kandidati për deputet nga radhët e VV-së, thotë se programi që do të prezantojnë para qytetarëve është i njëjti që ka qenë në zgjedhjet e kaluara.

“Meqë zgjedhjet e mëparshme nuk kanë qenë shumë larg, VV ka shpalosur programin para qytetarëve në të gjitha tubimet, po i njëjti program është edhe tash, dhe kërkon mbështetjen e qytetarëve me atë program. Që të vjen në pushtet dhe të zbatojë programin”, pohoi ai.

Në qoftë se arrin ta fitojë një ulëse në Kuvend, Dehari thotë se do të jap kontributin e tij në fushën e arsimit dhe kulturës e po ashtu edhe sa i përket diasporës.

“Në radhë te parë, nuk e shoh shumë të rëndësishëm a do të fitojë apo jo mandatin e deputetit, për mua është e rëndësishme të fitojë Vetëvendosje, por nëse fitojë mandatin, do të angazhohem në fushën e arsimit, kulturës. Dhe i njoh mirë edhe problematiken e mërgatës, dhe mund ta jap kontributin edhe këtu”,  shtoi më tej ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco