Dështimi i Vjosa Osmanit për të marrë ‘Brezin e Republikës’ nga LDK-ja

Dështimi i Vjosa Osmanit për të marrë ‘Brezin e Republikës’ nga LDK-ja

10:24, 19/01/2021 Nga Albionë Zhitia

Afrimi me Vetëvendosjen i kushtoi Vjosa Osmanit me dështimin për të marrë përkrahjen e miqve të saj të dikurshëm të LDK-së, që quheshin “Brezi i Republikës”. Ajo sot garon me 14 emra në listën zgjedhore që shumica nga këto personalitete janë shumë pak të njohur për publikun. Sipas analistëve vështirë do ta ketë të sigurojnë vota nga votuesit besnikë të LVV-së – shkruan Syri.net 

Syri Kosova 

Vjosa Osmani deklaroi që u përjashtua nga LDK-ja dhe si shenjë revolte do të formonte iniciativën e saj politike. Madje u përfolën edhe shumë emrat të LDK-së që do t’i bashkohen. 

Në fillim të 2021, tani kur gjitha subjektet politike janë mobilizuar për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, ato Osmanin e gjejnë vetëm me 14 emra në listë, e me 3 anëtarë të LDK-së përkrah. 

Ky “dështim” i Vjosa Osmanit për të rekrutuar njerëz të LDK-së nga analistët po vlerësohet edhe si pasojë e afrimit të saj me VV si dhe mos puna në terren në ndërtimin e strukturave. 

Në një prononcim për Syri.net Kosovën, Emir Abrashi nga Demokraci Plus, thotë “Brezi i Republikës” që ishin të afërt me Osmanin sa ishte në LDK, u ftohën kur panë afrimin e saj me VV.

“Nga lista e kandidatëve të Znj. Osmani në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje u panë shumë pak figura të LDK-së, sidomos nga ata që kanë qenë të afërt me znj. Osmani dhe me frymën e saj brenda strukturës së LDK-së, e njohur ndryshe në publik edhe si Brezi i Republikës. Kjo, mendoj unë, vie si pasojë e faktit që znj. Osmani vendosi që të kandidojë si pjesë e listës së LVV-së dhe me këtë veprim i “ftohu” ata të pakënaqur të LDK-së, të cilët megjithatë ruajnë një distancë më LVV-në. Pra, mendoj që sikur znj. Osmani të garonte e vetme në zgjedhjet e 14 shkurtit, ajo do të arrinte të mblidhte rreth vetes më shumë të pakënaqur nga LDK-ja, por edhe do të arrinte të mobilizonte më shumë votuesin e pakënaqur të LDK-së - i cili e sheh znj. Osmani si zgjidhje, mirëpo për arsye ideologjike, jo edhe LVV-në”.

“Unë mendoj që për shkak të bashkëpunimit shumë të afërt të znj. Osmani me z. Kurti dhe LVV-në si dhe konkretizimit të këtij bashkëpunimi me një koalicion, me ç’rast lista e znj. Osmani u shkri në një listë të vetme me LVV-në, pa asnjë referencë të kësaj iniciative në fletëvotime, znj. Osmani nuk arriti që me vete t’i marrë edhe disa nga ‘miqtë’ e saj të dikurshëm brenda LDK-së. Rrjedhimisht, ‘miqtë’ e Znj. Osmani të cilën mund të kenë diferenca të mëdha ideologjike me LVV-në, u shmangën nga mundësia për të qenë edhe publikisht pjesë e bashkëpunimit me znj. Osmani” – shtoi tutje Abrashi.

Ndërsa analisti politik Arton Demhasaj i tha Syri.net se është duke e parë si problem që deri dje publikoheshin fotografi të anëtarëve të degëve e nëndegëve që shkonin tek Vjosa Osmani në mbështetje të saj, tani ata emra nuk figurojnë në listën e saj zgjedhore. 

“Ajo çka kam parë në 14 emrat e listës së Vjosa Osmanit, unë pash vetëm Haxhi Avdylin, Faton Pecin dhe Donika Gërvallën. Këtë të fundit nuk e kisha lidhur edhe shumë me LDK-në duke qenë se ka kohë që është distancuar, por emrat tjerë ishin të rinj dhe nuk lidheshin asgjë me LDK-në. Unë e shoh si problem se si deri dje publikoheshin fotografi që degë e nëndegë të strukturave të LDK-së, po e mbushin Vjosën e ne nuk i pamë këta emra në këtë listë. Në njëfarë mënyre po tregon se mos ndoshta ka qenë vetëm një lojë publike, që në efekt nuk ka arritur ta dëmtojë LDK-në ashtu siç ishte menduar, në degët e nëndegët e saj. Mbetet të shihet vetëm në vota se sa do të arrijë ta dëmtojë ish partinë e saj” – përfundon Demhasaj.

Kurse njohësi tjetër i politikës, Dorajet Imeri, në një bisedë me Syrin deklaroi se është faktori kohë që po e dëmton Vjosa Osmanin. Pasi mosangazhimi në terren për ndërtimin e srukturave dhe kthimin e përkrahësve të saj në anëtarësi.

“Problemi kryesor tek Vjosa Osmani qëndron te fakti se ajo nuk ka arritur për shkak të kohës së shkurtër që kishte në dizpocion për t’u mobilizuar e të organizojë përkraje edhe strukturore, përveç asaj popullore.  Ndërtimi i një strukture kërkon kohë dhe angazhim në terren ose së paku përkrahjen e terrenit ta kthejë në strukturë, e kjo gjë të merr kohë e energji. Këto dyja Vjosa nuk i kishte, duke shtuar faktin që situata pandemike dhe angazhimi që ka tani Vjosa vijmë deri tek këta emra. Prandaj konsideroj se pasoja kryesore që Osmani e ka pasur është kjo. Duke parë këtë, mund të vijmë deri në përfundimin se Vjosa, duke i ditur të gjitha këto pengesa, vendosi të shkojë në një listë të përbashkët me Albin Kuritin, se sa si e vetme, sepse nuk e di sa do të gjejë përkrahje në terren ose, më saktë, atë përkrahje që e ka në terren nuk e di sa do të mund ta kthente në vota dhe fuqi politike” – tha Imeri.

Por, sa do të kenë mbështetje në elektorat emrat e listës së Vjosa Osmanit? - Për Emir Abrashin, kjo do të jetë e vështirë të arrihet, pasi votuesit e LVV-së nuk mund të votojnë përkrahësit e Osmanit që nuk janë edhe personalitete të njohur për publikun. 

“Meqenëse projeksionet për rezultatin e LVV-së janë të mëdha, pritet që afërsisht një e treta e kësaj liste të shkojë në Kuvend. Megjithatë, unë mendoj se votuesi lojal i LVV-së do ta ketë problem të votojë për kandidatët të cilët nuk janë pjesë e strukturës së LVV-së, ani pse të njëjtit janë pjesë e listës së LVV-së. Në këtë aspekt, kandidatët të cilët vijnë nga iniciativa e znj. Osmani, por të cilët nuk janë figura të njohura për publikun, nuk mendoj se do të arrijnë të materializojnë popullaritetin e znj. Osmani për tu zgjedhur edhe vetë në Kuvend. Megjithatë, mbetet të shihet se sa znj. Osmani do të arrijë që të mobilizojë vota të cilat nuk janë tradicionalisht të LVV-së, apo, thënë ndryshe, votues të pakënaqur të LDK-së si dhe votues të papërcaktuar, për të determinuar se sa pjesëtarë nga lista e znj. Osmani do të arrijnë që të zgjedhën në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Normalisht, është në interes edhe të vetë znj. Osmani që sa më shumë kandidatë nga iniciativa e saj të hyjnë në Kuvend, në mënyrë që t’ja rrisin peshën negociuese dhe vendimmarrëse edhe brenda koalicionit të ardhshëm qeverisës” – përfundon Abrashi.

E Imeri shton se edhe Vjosa Osmani shkoi me logjikën si partitë e tjera që të sjellin emra të rinj sa për të plotësuar listën. 

“Sa i përket përbërjes se listës së Vjosa Osmanit, emrat që figurojnë aty është një logjikë pak a shumë e ngjashme si partitë e tjera të sjellin emra të rinj. Ka parti politike që kanë futur emra vetëm sa për të plotësuar listën me kandidatë, kanë vendosur njerëz që nuk kanë ndonjë angazhim në politikë dhe shumë pak i njeh opinioni, e këtu ka kryesisht të rinj të sapodiplomuar ose edhe studentë. Kjo nuk nënkupton që nuk kanë vlera, por nënkupton që partitë politike si duket nuk kanë punuar shumë në terren dhe në këtë mënyrë, nuk gjetën as përkrahje, njëjtë si Vjosa” – tha Dorajet Imeri për Syri.net.
Iniciativa qytetare e Vjosa Osmanit do të përfaqësohet me 14 kandidatë në listën e Vetëvendosjes për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit. 

Sipas asaj që është prezantuar, Vjosa Osmani garon për t’u bërë presidente, kurse Kurti kryeministër.

Osmani si bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ishte e dyta më e votuara në Kosovë pas Kurtit.

Këta janë përfaqësuesit e “Vjosës” në listën e VV-së që do garojnë me këta numra: 

  • 2. Vjosa Osmani
  • 8. Donika Gervalla
  • 16. Haxhi Avdyli
  • 24 Faton Peci
  • 33. Doarsa Kica
  • 40. Burim Karameta
  • 48. Jeta Statovci
  • 56. Rrustem Leti
  • 64. Nasuf Bejta
  • 72. Ekrem Mustafa
  • 80. Gresa Bytyqi
  • 88. Blerim Gashani
  • 96. Leonora Sfarqa
  • 104. Nita Bakalli/Syri.net Kosova

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco