Seanca e jashtëzakonshme caktohet të premten, pritet votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Seanca e jashtëzakonshme caktohet të premten, pritet votimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

16:30, 02/12/2020

Me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, të premten në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për votimin e Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Kërkesa për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme është nënshkruar nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka deklaruar sot se PDK-ja do të kërkojë përkrahjen e deputetëve për ta kaluar Ligjin në lexim të dytë në Kuvend.

“PDK do të iniciojë një seancë të jashtëzakonshme, presim që edhe partitë tjera ta votojnë një Projektligj të tillë që është mbështetur në Komision”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ndërkohë, në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, sot ka kaluar Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, raporton Express

Projektligji ka kaluar me kushtet të cilat i ka vendosur Partia Demokratike e Kosovës.

“Pako për bizneset të jetë 200 milionë euro; Pagesa për punëtorët që e kanë humbur vendin e punës me nga 300 euro; Heqja e TVSh-së për lëndën e parë dhe dhe rimbursimi i mjeteve për 10% nga Trusit për ata që kanë deri në 10 mijë euro”, janë kushtet e propozuara nga PDK-ja.

Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.

Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco