PDK: Komuna e Prizrenit përdhosi figurën e Skënderbeut dhe memorien tonë kolektive

PDK: Komuna e Prizrenit përdhosi figurën e Skënderbeut dhe memorien tonë kolektive

12:13, 01/12/2020

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht, kryetari i Degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga deputetja Eliza Hoxha, në një konferencë për media  kanë kritikuar Komunën e Prizrenit për gjithë procesin në lidhje me vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Totaj ka thënë se duke filluar nga vlera artistike e shtatores e deri te lokacioni ku komuna ka vendosur shtatoren e Skënderbeut, janë jo të denja për heroin tonë kombëtar.

“E para, lokacioni i përzgjedhur nuk është i denjë për vendosjen e shtatores së Skënderbeut. Ai është i izoluar dhe shumë hapësirë e fshehur e qytetit. E dyta, për shkak të trafikut të dendur në atë rrethrrotullim ku është vendosur shtatorja, shumë lehtë mund të shkaktohen aksidente dhe rrezikohet jeta e vizitorëve të mundshëm. E treta, dega e PDK-së në Prizren përmes asamblistëve të saj në fazën e parë, para së të merret vendimi, ka tërhequr vëmendjen për lokacionin jo adekuat dhe ka kërkuar lokacion tjetër më të përshtatshëm por që është injoruar nga kryetari Mytaher Haskuka.”, ka thënë Totaj.

Nënkryetari Totaj ka shtuar se pushteti lokal i Vetëvendosjes me kokëfortësinë e vet, duke injoruar tërësisht sugjerimet dhe rekomandimet nga qytetarët dhe opozita, po tregohet mospërfillëse edhe ndaj figurave të tilla të historisë kombëtare sikur që është Skënderbeu.

“Madje kryetari Mytaher Haskuka u përpoq një ditë më herët nëpër studio televizive ta largoj përgjegjësinë nga vetja duke gënjyer publikisht se ai nuk ka qenë shumë në rrjedha për shtatoren sepse për pamjen e tij finale është përkujdesur një shoqatë e komuna ka caktuar veç lokacionin. Keqqeverisja pothuajse në të gjitha fushat tjera ku ka dështuar, shkon aq larg sa që tallet edhe me vet figurën e Skënderbeut e rrjedhimisht edhe me historinë e ndritshme kombëtare simbol i të cilës është vet Gjergj Kastrioti.”, ka shtuar ai.

Totaj ka bërë të ditur se PDK në Prizren do të filloj me mbledhjen e nënshkrimeve për një seancë te jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale ku do të kërkohet rimodelim i shtatores se Skënderbeut dhe ndryshimin e lokacionit, sepse figura e tij meriton lokacionin më të mirë të qytetit.

Ndërkohë, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se veprat e artit publik zakonisht janë produkt i relacioneve të pushtetit, relacioneve shoqërore, identitare të përmbledhura në reflektimin e kujtesës kolektive brenda strukturës hapësinore urbane.

“Si të tilla, këto projekte duhet të kalojnë nëpërmes një debati publik jo vetëm në raport me vet monumentin por edhe me vet lokacionin ku do të vendoset ajo. Andaj, për të pasur besimin e qytetarëve, arti publik duhet të synojë të përsosurën në aspektin e reprezentimit.”, ka thënë Hoxha.

Sipas deputetes Hoxha, vendosja e Skënderbeut në një rreth rrotullim, i pamundëson qytetarit prizrenas të jetë pranë tij, ta përjetojë atë pa zhurmë akustike dhe vizuale për shkak të kontekstit të dhënë.

“Përjetimi kryesor do të jetë nga makinat në lëvizje. Trajtimi i tillë i hapësirës urbane nuk prodhon asgjë më shumë se sa momente monumentaliteti për konsum ditor dhe konsum politik.  Çasjet të tilla si këto kanë krijuar vazhdimisht hapësira monumentale të cilat nuk i ndjejmë si pjesë të jetës sonë të përditshme dhe i vizitojmë sa për të thënë e për të bërë një foto në ditën e caktuar.”, ka shtuar deputetja Hoxha.

Deputetja Hoxha ka thënë se e kaluara duhet të bashkëjetojë me ne dhe si e tillë të formësoj përditë krenarinë tonë kolektive për veten dhe identitetin tonë.

Sipas saj, është e turpshme dhe e dhimbshme se si e kaluara dhe akterët kryesor të saj vijnë të formësuar e portretizuar përpara syve tanë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco