Isa Mustafa flet ekskluzivisht për Syrin: Presidenti i takon PDK-së, me Vjosën nuk gabojmë dy herë

Isa Mustafa flet ekskluzivisht për Syrin: Presidenti i takon PDK-së, me Vjosën nuk gabojmë dy herë

18:48, 06/11/2020 Nga Albionë Zhitia

Përplasjet për brenda koalicionit qeverisës në Kosovë sa vijnë e po shtohen, por përkundër kësaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa vazhdon të mendojë që kjo qeverisje është stabile. Në një intervistë ekskluzive pas zhvillimeve të fundit në vend për SYRI.net Kosovën, vjen lideri i  LDK-së, Isa Mustafa.

Ai flet për dorëheqjen e Thaçit, nëse duhet të vazhdojë dialogu ose jo, krijimin e Asociacionit, ambiciet e Ramush Haradinajt për president dhe emrin që nuk do ta përkrah për president/e të vendit. A është për shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe se a përkrah ndërtimin e autostradës së Dukagjinit që LDK e kundërshtoi?  - Këto dhe shumë pyetje të tjera do të keni mundësi t’i lexoni në intervistën e mëposhtme.

Syri.net Kosova: Sa është stabil koalicioni qeverisës?

Isa Mustafa: Qeveria po funksionon mirë. Koalicioni është në kufi të shumicës parlamentare, sfidë kjo që nuk mund të injorohet dhe shpërfillet edhe pse Kosova ka funksionuar në të kaluar edhe me qeveri të pakicës.

Syri.net Kosova: A kemi ndryshim qëndrimesh nga partnerët gjatë kësaj kohe qeverisjeje nga marrëveshja e parë e bërë për koalicion?

Isa Mustafa: Rrugës kanë lindur disa mendime ndryshe, sidomos sa i përket  drejtimit të dialogut me Serbinë sikurse edhe për Marrëveshjen e Ëashingtonit. Ka lindur edhe kërkesa e AAK-së që ta kandidojnë z. Haradinaj për President të vendit. Sa i përket dialogut, kemi arritur mirëkuptim, por edhe kemi konstatuar nevojën që të trajtojmë më shpesh dhe bashkërisht sfidat që dalin nga ky proces.

Syri.net Kosova: Si kryetar i partisë që udhëheq me ekzekutivin, sa po i përmbush kjo qeveri të gjitha premtimet e bëra?

Isa Mustafa: Qeveria ka arritur të përballet me COVID-19 me një organizim dhe dinamikë të mirë; e ka kthyer Kosovën në partneritet dhe bashkëpunim me BE dhe SHBA, sikurse që ka identifikuar fushat e intervenimit për ta sanuar ekonominë nga pasojat e pandemisë. Është një Qeveri e cila punon shumë, por i mungon afirmimi i rezultateve para publikut.

Syri.net Kosova: Po flitet jashtëzakonisht shumë për mundësinë e hyrjes së PDK-së në koalicion, sidomos pasi ju keni deklaruar se “vijat e kuqe” i keni larguar për këtë parti. Sa jeni të gatshëm ta pranonit PDK-në në qeveri?

Isa Mustafa: Kam deklaruar se duhet larguar vijat e kuqe ndaj çdo subjekti politik, jo vetëm ndaj PDK-së. Kam folur për politikat të cilat do duhej t’i ndërtojmë, jo për veprimet  apriori.  Konsideroj se Kosova ka hyrë në një fazë shumë delikate, kur ne duhet të peshojmë mendjen, të bashkëpunojmë dhe të gjejmë zgjidhjet, të cilat edhe mund t’i tejkalojnë interesat dhe mospajtimet politike. Si LDK do të jemi të hapur për çdo zgjidhje e cila është në interes të stabilitetit të vendit, ashtu siç jemi të hapur edhe për zgjedhje, nëse nuk gjejmë zgjidhje më të mirë.

Syri.net Kosova: Të flasim tani pak për dialogun. Në këto rrethana në të cilat aktualisht ndodhemi, a konsideroni se jemi afër apo larg një marrëveshjeje të mundshme finale me Serbinë?

Isa Mustafa: Të shprehem në mënyrë figurative, jemi afër një marrëveshjeje aq sa jemi larg. Mund të jemi më afër, nëse do të kemi nje involvim të fuqishëm të SHBA-së. Serbia bën marrëveshje por nuk i implementon ato. Shteti serb akoma nuk është deklaruar se marrëveshja gjithëpërfshirëse mbyllet me njohje të pavarësisë së Kosovës.  Kryeministri Hoti por edhe i gjithë spektri politik kosovar janë shprehur qartë se dialogu zhvillohet vetëm për marrëveshje për njohje reciproke.

Syri.net Kosova: A do të duhet Kosova të fillojë përpilimin (shkrimin) e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe?

Isa Mustafa: Asociacioni mund të themelohet mbi bazën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Pa fuqi ekzekutive dhe pa qenë pushtet i tretë, sepse në Kosovë kemi vetëm dy nivele të pushtetit, atë vendor (lokal) dhe qendror. Kosova nuk ka pushtet të ndërmjetëm. Statuti dhe Asociacioni duhet të përfundojnë si pjesë e Marrëveshjes gjithëpërfshirëse, jo para arritjes së kësaj Marrëveshjeje.

Syri.net Kosova: Sipas jush, përfaqësimi i Kosovës në dialog, a duhet të përfshihen tani në këtë etapë edhe liderët e partive në koalicion duke qenë se ka pasur kërkesa nga z. Ramush Haradinaj që të jetë personalisht pjesë e dialogut?

Isa Mustafa: Dialogun e drejton Qeveria, përkatësisht Kryeministri. Ia kemi dhënë besimin qeverisë të drejtojë vendin, rrjedhimisht duhet ta ketë besimin ta drejtojë edhe dialogun. Kësaj radhe, ne si liderë politikë të partive të koalicionit qeverisës nuk bartim pozita të caktuara në Qeverinë Hoti.

Syri.net Kosova:A i ka plotësuar pritjet tuaja marrëveshja e Uashingtonit që nuk e solli njohjen reciproke?

Isa Mustafa: Asnjëherë nuk kam pritur se në Ëashington, në një takim të tillë, do të ndodhë njohja reciproke. Nuk e kam të qartë se mbi çfarë baze do ta ketë pritur dikush, sepse marrëveshja për njohje nuk është vetëm zotim apo deklaratë por është dokument përmbajtësor që kornizon të gjitha relacionet, por edhe obligimet reciproke të të dy shteteve dhe të garantuesve të implementimit të saj. Çështjet ekonomike janë në interes të të dy vendeve, sikurse që duhet të veçohet njohja nga Izraeli.

Syri.net Kosova: A duhet Kosova të bëjë ende kompromis për të arritur deri te qëllimi final ose, më saktë, a duhet të vendos “vija të kuqe” për disa çështje? Po i referohem këtu edhe deklaratës së z. Lajçak për ndryshim të Kushtetutës, por edhe betimit skandaloz të qeverisë serbe, e që nuk kishte ndonjë deklarim nga ana e BE-së?

Isa Mustafa: Kosova i ka caktuar kornizat e dialogut. Nuk dialogohet për territorin dhe ndryshimin e kufijve, e ruan karakterin unitar kushtetues të saj. Pavarësia është e panegociueshme. Kushtetutën duhet ta ndryshojë Serbia, sepse vazhdon t’u hedh pluhur syve qytetarëve të saj se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërkaq asnjë nga qytetarët apo zyrtarët serb nuk mund të hyjë në Kosovë pa i respektuar procedurat e një vendi të pavarur, siç është edhe Kosova.

Syri.net Kosova: Çfarë do të ndodhë tani kur AAK po kërkon ndërprerjen e dialogut? Ju si LDK jeni pro apo kundër?

Isa Mustafa: Mendoj se nuk ka arsye të lidhen veprimet e Gjykatës Speciale me dialogun. Kosova ka arsye të mbajë relacione shumë të ngushta bashkëpunimi dhe komunikimi me BE-në dhe SHBA-të sidomos në këtë situatë.

Syri.net Kosova: T’i kthehemi pak zhvillimeve aktuale politike në vend, duke e veçuar pozitën më të kërkuar momentalisht për udhëheqje, postin e presidentit. Sa është i pranueshëm emri i Ramush Haradinajt nga LDK për president? - A do të duhej, sipas jush, që kjo pozitë t’i takojë LDK-së duke qenë se edhe udhëheqë vendin?

Isa Mustafa: Nuk e kemi diskutuar në mënyrë shprehimore çështjen e Presidentit në organet vendimmarrëse të LDK-së. Vlerësojmë se vendit dhe demokracisë i bën mirë një ndarje e lehtë e përgjegjësive më të larta shtetërore. Vetëvendosjes i takon pozita e Kryeparlamentarit/es sipas Kushtetutës si parti që ka dalë me një deputet më shumë se LDK në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, LDK ka Kryeministrin dhe pozita e Presidentit do t’i takonte partisë me radhë më të fuqishme në Kuvend. Por çdo gjë mund të ndryshojë me një marrëveshje të gjerë, e cila siguron pjesëmarrjen aktive të dy të tretave në votim në Parlament dhe jo vetëm vullnetin e koalicionit qeverisës apo të një pjese.

Syri.net Kosova: Po flitet për kalkulime të mëdha e po përfolen emra nga më të ndryshëm për pozitën e presidentit; njëri ndër ta është emri juaj, por edhe i disave nga PDK. A do të angazhoheshit për të marrë postin e presidentit nëse ua kërkon partia, por edhe të tjerët?

Isa Mustafa: Në këtë koalicion e kemi Kryeministrin. Në qoftë se në këtë konstalacion politik dhe parlamentar nuk arrijmë të gjejmë zgjidhje dhe përfundojmë në zgjedhje të përgjithshme si pasojë e moszgjedhjes së Presidentit, atëherë hapem edhe kombinime tjera, varësisht nga rezultati i zgjedhjeve dhe koalicionet e mundshme.

Syri.net Kosova: Keni qenë ndër kritikuesit më të ashpër të mini-Schengenit të iniciuar nga Vuçiqi e të mbështetur nga Edi Rama, por në Uashington kryeministri Hoti e mbështeti këtë nismë rajonale. Çka e ndryshoi kaq shpejt qëndrimin tuaj?

Isa Mustafa: Ka qenë një insistim i Ëashingtonit. Unë nuk e kam parapëlqyer dhe nuk e parapëlqej Minishengenin në konceptin e Vuçiqit, e as tregun e përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por jam pajtuar edhe sa kam qenë Kryeministër me konceptin e hapësirës së  përbashkët ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, brenda  tregut unik evropian.

Syri.net Kosova: Së fundmi jeni shprehur kritik për kahjen që ka marrë dialogu me Serbinë. A është kjo situatë pasojë e një lidershipi jo të duhur të Hotit në dialog apo cilat janë arsyet e degradimit të dialogut?

Isa Mustafa: Kryeministri Hoti po i përmbahet platformës së deklaruar të dialogut. Serbia po hapë tema të reja, ndër to edhe aso  që janë diskutuar edhe më parë në procesin e Vjenës, për të blerë kohë dhe për të zvarritur dialogun. Në Bruksel, Serbia  merr pjesë në dialog, siç thonë ata, për normalizim të marrëdhënieve, kurse në të njëjtën kohë në Beograd qeveria betohet se do ta ruajnë “Kosovën dhe Metohinë” dhe BE si ndërmjetësuese e dialogut nuk reagon ndaj provokimeve të tilla. Kjo qasje nuk çon në përfundime të mira.

Syri.net Kosova: Qeveria Hoti erdhi në kohë krize të pandemisë dhe përballet ende me të, por edhe me sfida e skandale të ndryshme. Ka ndodhur vjedhja e thesarit, grabitja e një kasaforte të Agjencisë së Ushqimit, ndërkohë një nënkryetar i partisë suaj në Istog, Haki Rugova, u arrestua nga policia dhe pastaj u la në arrest shtëpiak, për shkak të të cilit reaguat ashpër edhe kundër drejtësisë. Shpejt dolën masat e kryeministrit, u shkarkuan Drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe më pas edhe ai i Doganës. S’keni parë gjë akoma, thotë Avdullah Hoti. Ju, si kryetar i LDK-së, a e dini se çfarë do të shohim në vazhdim?

Isa Mustafa: Sa i përket Kryeministrit Hoti, besoj fort se do të shohim vetëm veprime të shtetit ligjor. Ndërkaq sa i përket reagimit tim për z. Haki Rugova, ka qenë reagim kundër arbitraritetit dhe padrejtësisë e kurrsesi kundër drejtësisë. Shteti demokratik nuk i lidhë e paraburgosë njerëzit pa pasur asnjë bazë ligjore. 

Syri.net Kosova: Ligji për rimëkëmbje ekonomike po zvarritet në Komisione dhe ende nuk e ka parë dritën e miratimit, ndërsa vendi duket se ka hyrë në valën e dytë të pandemisë me shtim të rasteve me COVID-19. A është i mjaftueshëm ky Ligj për ekonominë kosovare dhe nëse mund të na jepni një vlerësim për buxhetin 2021, që ka përfshirë sërish autostradën e Dukagjinit, edhe pse ishte kundërshtuar më herët nga LDK, se sa do të ndikojë në përmirësimin e ekonomisë kosovare?

Isa Mustafa: Në vitin 2021 Kosova nuk ka hapësirë buxhetore të ndërtojë autostrada të reja. Mund të bëjë përgatitje edhe për Autostradën e Dukagjinit, por duhet të shohim se sa na kushton, çfarë është kostoja oportune dhe çfarë është kost-benefiti për investime të tilla në të ardhmen. 

Syri.net Kosova: A po mendon Isa Mustafa se kush do të jetë pasuesi i tij në krye të LDK-së? A keni ndonjë preferencë, duke e ditur se zakonisht kryetarët pasi mbarojnë mandatin, gjithnjë ndikojnë në pasardhësin që vjen, edhe pse dihet se zgjidhet me votat e Kuvendit partiak?

Isa Mustafa: Preferenca ime është të bëjmë një zgjidhje e cila pranohet njëjtë në Prishtinë, në Prizren, në Dragash, në Han të Elezit, në Kamenicë, në Podujevë, në Mitrovicë, në Gjakovë e Junik....

Syri.net Kosova: Ndërrojmë pak temë, Gjykata Speciale. Dje dha dorëheqje Hashim Thaçi nga posti i Presidentit, pasi ndaj tij u konfirmua aktakuza. Si e shihni ju gjithë këtë zhvillim rreth këtyre aktakuzave?

Isa Mustafa: Pas themelimit të Dhomave të Veçanta ka qenë e pritur se një ditë do të pasojnë aktakuzat dhe arrestimet. Nuk është ditur se kush do të jetë subjekt i kësaj gjykate dhe edhe tani nuk dihet për rastet tjera. Akti i dorëheqjes së Presidentit të vendit si pasojë e aktakuzës kundër tij dhe ballafaqimi me drejtësinë tregon për një kulturë shtetërore dhe respektim të drejtësisë. E njëjta mund të thuhet edhe për z. Veseli, Krasniqi dhe Selimi. Është e padrejtë që sot të mos gjykohen ata që ushtruan krim dhe gjenocid në Kosovë, organizuan deportim te popullsisë, vrasje e dhunimeve.  UÇK veproi në mbrojtje të popullsisë dhe qytetarëve që iu ekspozuan krimeve më barbare serbe.

 Syri.net Kosova: A keni kontakte me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, që sa kohë nuk keni shkëmbyer mesazhe më njëri-tjetrin? Njërin që e votuat kryeministër dhe e shkarkuat më pas dhe tjetrën që e kandiduat për kryeministre dhe e përjashtuat nga organet e partisë.

Isa Mustafa: Edhe Vjosën e kandiduam për Kryeministre me qëllime të mira, me të tilla sikurse që edhe e lidhëm koalicionin me VV. Doli se dallimet predominuan këto qëllime. Mirë që përfundoi me kohë, si martesa e paqëndrueshme. Nuk na ka mbetur shumë dashuri për kontakte, por nuk kemi as urrejtje.

Syri.net Kosova: A do e pranonit Vjosa Osmanin si presidente në rast që mund të propozohet si emër koncensual?

Isa Mustafa: Jo. S’do të gabojmë dy herë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco