Performancë  e dobët në 3 muajt e fundit nga qeverisja e kryeqytetit

Performancë e dobët në 3 muajt e fundit nga qeverisja e kryeqytetit

20:11, 30/10/2020

Punime të shumta ka gjithandej nëpër Prishtinë, por ato aktualisht paraqesin performancë jo të mirë për Komunën e Prishtinës.

Nga të gjitha shpenzimet, sipas një raporti të kryetarit Shpend Ahmeti, për 3 muajt e fundit më së paku janë shpenzuar në investime kapitale apo vetëm 11 për qind.

Arsyetimin në raportin e tij, Ahmeti e ka lidhur me pandeminë dhe ndikimin nga ajo

“Shpenzimet kapitale janë ekzekutuar me një normë jo shumë të kënaqshme. Ato arritën shumën 5,698,136.83 €, që është 11.44 % e planit gjatë kësaj periudhe të vrojtuar, të cilat kanë regjistruar rritje prej: 1.022,676.69€ krahasuar me shpenzimet në këtë kategori gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2019, apo rritje prej: 21.87 % në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Rënia e të hyrave vetjake ka shënuar rënie prej 15.19 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë me 1 milion e 356 mijë euro më pak”, thuhet në raport.

E derisa vendi ka hyrë në vit zgjedhor në nivel lokal, Komuna e Prishtinës këtë vit megjithatë ka punuar më shumë sesa vitin e kaluar, ku në periudhën e njëjtë të 2019-s kishte shpenzuar vetëm 5.48 për qind të buxhetit për shpenzime kapitale.

Keq Komuna e Prishtinës qëndron edhe me të hyra vetjake. Në pandemi qytetarët kanë paguar më pak tatim në pronë, faturë mbeturinash e të tjera krahasuar me vitin 2019, duke bërë që të ketë rënie prej 15.19 për qind në arkëtim të të hyrave.

Shumica e të hyrave janë nga infrastruktura rrugore, taksa për automjete motorike, taksa për transaksion në pronë dhe taksat për leje ndërtimi.

“Ndikimi i gjendjes së pandemisë COVID-19, që ka prekur periudhën korrik – shtator/2020 ka bërë që të mos arrijmë ta realizojmë planin e paraparë për këtë periudhë. Shpresojmë që gjatë muajve të ardhshëm, me përmirësimin e gjendjes së përgjithshme, të kemi një rritje në mbledhjen e të hyrave tatimore dhe rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të hyrave vetjake nga të gjithë dikasteret që bëjnë mbledhjen e tyre.

Komuna e Prishtinës ka planifikuar gjithsej 29,258,367.00 € të hyra vetjake për vitin 2020, prej të cilave në tremujorin e tretë ka realizuar 25.90%”, thuhet në raport.

Edhe në procese gjyqësore, kryeqyteti ka humbur shumë raste duke u detyruar të paguajë kompensime dëmi e borxhe të ndryshme.

Në total, Komuna e Prishtinës gjatë periudhës korrik - shtator 2020, ka shpenzuar gjithsej 19,339,767.25€, ndërkohë gjatë periudhës janar – shtator ka shpenzuar gjithsej 49,100,015.70€.

Mbi 120 milionë euro ka pasur në arkën e saj qeverisja e kryetarit Shpend Ahmeti, këtë vit prej të cilave mbi 27 milionë euro i ka bartur nga mosrealizimi i projekteve viteve paraprake.

Trendi i bartjeve mund të vazhdojë edhe këtë vit ngase në total Komuna ka shpenzuar mbi 68 milionë euro, derisa deri në fund të vitit në dispozicion ka mbi 52 milionë euro.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco