LDK rikap bordet

LDK rikap bordet

17:00, 24/10/2020

Ndërmarrjet Publike në Kosovë, tash e sa vjet po vazhdojnë të përballen me telashe të mëdha sa i përket funksionimit.

E përkeqësimin e situatës po e ndihmonë vetë politika, pasi me të ardhur në pushtet, secila prej partive, shkarkon nga detyra bordet ekzistuese, duke i emëruar personat e përshtatshëm të partisë.

As Qeveria Hoti nuk ka mundur t’i ikë emërimeve politike.

Kryeministri Hoti gjatë ditës së sotm ka “mbledhur” online në ora 13:00 qeverinë e tij për të votuar për shkarkim të një pjese të bordit të KEK-ut,dhe emërim po në ato pozita të dy personave tjerë.

Kryeministri me këtë vendim ka larguar nga bordi i KEK-ut, kryesuesin Hysen Fazliu dhe anëtarin Egzon Berisha, duke i zëvendësuar me Musa Misinin dhe Fadil Hoxhën. 

Kryesues i Bordit është emëruar Musa Misini, ish kryetari i Vitisë.

Ai ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së, në zgjedhjet e vitit 2014.

Anëtar të Bordit janë përzgjedhur Petrit Ibraj, Fatime Grajqevci, dhe Fadil Hoxha.

Por, kjo duket se nuk është e tëra, pasi Qeveria Hoti ka 'kapur' edhe bordin e Infrakosit.

Më 19 tetor 2020 Qeveria Hoti e ka emëruar Brahim Selimajn, Sead Thaçin, Avni Kajdomqajn dhe Sanja Lazareviqin në bordin e përkohshëm të ndërmarrjes “Hekurudhat e Kosovës – Infrakos”.

Brahim Selimaj ka qenë kandidat për deputet nga radhët e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur në vitin 2019.

Selimaj ka mbajtur numrin 65 në listën e kandidatëve për deputetë në listën zgjedhore të LDK-së. Selimaj kishte grumbulluar 5,565 vota në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në CV-në e Selimajt, ai ka thënë se ka qenë themelues i LDK-së në vitin 1989, nënkryetar i nëndegës 07 shtatori për tri mandate, anëtar i Kryesisë së LDK-së dega në Pejë nga viti 1999 deri në vitin 2019, kryetar i nëndegës 07 shtatori nga viti 2014 deri në vitin 2019. Po ashtu, Brahimaj ka shkruar që përveç në vitin 2019, ai ka qenë kandidat i LDK-së për deputet edhe në vitin 2014.

Këto vendime të Qeverisë Hoti, kanë nxitur edhe reagimet e para.

Artan Abrashi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka reaguar pas emërimeve të fundit në KEK, duke thënë se po vazhdon kapja e bordeve nga koalicioni i pushtetit, dhe se anëtarët e rinjë janë militantë antiv të pushtetit.

"Vazhdon kapja e bordeve nga koalicioni i pushtetit, kesaj radhe ne KEK. Natyrisht, anetaret e rinj jane militante aktiv te partive te pushtetit. Deri me tani, asnje reagim, pa buje. Heshtje totale. Cdo gje i kthehet normalitetit te vjeter ku krimi dhe kapja jane dicka e zakonshme" ka shkruar Abrashi në Facebook.

Avazi i vjetër, ai i emërimit të njerëzve të afërt me politikën në krye të bordeve të këtyre ndërmarrjeve, u kritikua ndërvite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, ambasada e Gjermanisë dhe zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco