E zbulon avokati kosovar: Aktakuzat kundët Thaçit e Veselit, mund të jenë konfirmuar

E zbulon avokati kosovar: Aktakuzat kundët Thaçit e Veselit, mund të jenë konfirmuar

09:57, 24/10/2020

Gjykata Speciale nuk ka treguar nëse është konfirmuar ose jo aktakuza kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, ani se të premten janë bërë gjashtë muaj prej kur i është paraqitur ajo nga organi i akuzës. Zyra e Prokurorit të Specializuar dyshon se Thaçi e Veseli kanë kryer krime lufte.

E premtja përbën afatin e skajshëm brenda të cilit gjyqtari i procedurës paraprake është dashur të vendosë për aktakuzën. Meqë Specialja nuk ka publikuar ndonjë informatë për këtë rast, juristët, si Arianit Koci, besojnë që së paku pjesërisht aktakuza është konfirmuar, shkruan KOHA.

“Mendoj se aktakuza është konfirmuar, së paku pjesërisht, për shkak se gjyqtari i procedurës paraprake i ka pasur gjashtë muaj ditë afat që ta konfirmojë apo ta hedhë aktakuzën”, i ka thënë KOHËS Koci. “Meqenëse deri sot nuk e kemi informatën se aktakuza është hedhur, rrjedhimisht ajo është konfirmuar”.

Më 24 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ua paraqiti për shqyrtim Dhomave të Specializuara një aktakuzë me dhjetë pika, përmes së cilës Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, thuhej në njoftim. “Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.

Prokurori i Specializuar e kishte gjykuar të domosdoshëm nxjerrjen e kësaj informate për akuzat, pasi kishte thënë se Thaçi e Veseli po bënin përpjekje të përsëritura për pengimin dhe sabotimin e punës së Speciales.

Por, tash kur ka përfunduar afati brenda së cilës duhet konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuza, nga Haga nuk është treguar gatishmëri të jepen informacione.

“Kolegët e mi në Dhomat e Specializuara do të përgjigjen”, ka thënë shkurt Chris Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

E, të përmbajtur nga informatat janë treguar edhe në institucionin që e ka përmendur Bennetti.

“Derisa një aktakuzë të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale, si dhe procedurat që lidhen me shqyrtimin e saj”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Dhomave të Specializuara. “Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nëse një aktakuzë konfirmohet ajo do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit para Gjykatës”.

Avokati Koci tregon edhe arsyet pse Specialja mund të vendosë për të mos e ndarë me publikun informatën për aktakuzën kundër Thaçit e Veselit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco