Baliqi: Statuti i Asociacionit duhet të shkruhet para se të imponohet nga bisedimet

Baliqi: Statuti i Asociacionit duhet të shkruhet para se të imponohet nga bisedimet

10:45, 22/10/2020 Nga Albionë Zhitia

Profesori universitar Bekim Baliqi, në një intervistë për Syri.net Kosovën, ka folur rreth marrëveshjes finale dhe mundësisë që ajo të arrihet këtë vit. 

Ai thotë se Kosova duhet të ketë statusin e shkruar të Asociacionit para se të imponohet ndonjë nga negociatat.  

“Ka kohë që Kosova dhe zhvillimet në vend mbesin nën hijen e negociatave, e të cilave nuk iu dihet fundi. Mendoj se një marrëveshje e cila do të shpiente në normalizim të plotë mes dy shteteve si të pavarura e sovrane, është vështirë të arrihet në një të ardhme të afërt. Në anën tjetër, elitat politike arrijnë të mbijetojnë politikisht pikërisht për shkak se problemet reale të qytetarëve nuk i shpallin si prioritete të qeverive”.

“Qeveritë e mëparshme në emër të Kosovës kanë nënshkruar marrëveshje për Asociacionin dhe pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e korrigjoi atë version, Kosova do të duhej ta kishte statutin e këtij Asociacioni para se të i imponohej ndonjë në negociata”. 

Profesor Baliqi tutje thotë se përfaqësimi në dialog nga Kosova është degraduar sa tashmë ka mbetur vetëm formalitet i rëndomtë.

“Shpeshherë lihet përshtypja se dialogu ka degraduar në atë masë sa të jetë njëlloj shfaqje politike e përsëritur sa e sa herë me ‘marrëveshje historike’ por që nuk po zbatohen në realitet. Prandaj përfaqësimi duket se ka mbetur vetëm si formalitet i rëndomtë”. 

Baliqi, në intervistën tonë me të, ka folur edhe për postin e shumëkërkuar nga politikanët, atë të presidentit. 

Për këtë partitë politike duhet të arrijnë konsensusin e duhur që Presidenti të mund të ushtrojë mandatin kushtetues që ka, pra të jetë unifikues dhe përgjegjës në detyrë. Se si do të arrihet kjo, mbetet të shihet në javët e muajt në vijim”. 

Ndër të tjera, profesor Baliqi ka shtuar se kjo legjislaturë më shumë ka përplajse për spektakle se sa punë e veprime substanciale. 

“Është në pozitë shumë të palakmueshme, pasi që votat e nevojshme nuk i ka shpeshherë as koalicioni qeverisës, por as opozita. Gjithashtu ka përplasje shumë më shumë në formë spektakli e performance sesa punë e veprime substanciale”.

Kurse sa i përket Gjykatës Speciale dhe tentativave për ta shfuqizuar atë, Baliqi thotë kjo do ta dëmtonte edhe më shumë imazhin e Kosovës.

“Kosova duhet të dëshmohet e hapur dhe bashkëpunuese në ndriçimin e rasteve të supozuara si dhe të ndihmojë drejtësisë me qëllim që sa më parë e sa më qartë të zbardhen akuzat dhe pretendimet. Çfarëdo shfuqizimi apo tentim të ndikimit do të dëmtonte tutje imazhin dhe besimin në shtetin e Kosovës”. 

Ai në fund të bisedës me Syri.net Kosovën ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri dhe ndikimin e tyre në Kosovë.

“Marrë parasysh ndikimin dhe pasojat nga pandemia, mendoj se qeveria e tashme në Shqipëri e ka vështirë të mbetet në pushtet, por kjo varet edhe nga vet opozita se sa janë të përkushtuar, unifikuar dhe të mobilizuar. Mendoj se ndryshimet eventuale do të kishin reperkusione edhe në Kosovë, kur dihet që KM Rama kishte preferenca dhe anime partiake në skenën politike të Kosovës” - përfundon Baliqi për Syrin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco