Analistët paralajmërojnë krjimin e Asociacionit serb

Analistët paralajmërojnë krjimin e Asociacionit serb

11:04, 16/10/2020

Një ditë më parë i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ndryshe nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Në lidhje me këtë, edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend kanë deklaruar se ky Asociacion do të krijohet, mirëpo dilema e vetme është  se cilat do të jenë kompetencat e tij.

Analisti Ramush Tahiri, ka thënë se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi  ka biseduar me pozitën dhe opozitën për të parë qëndrimin e  tyre rreth dialogut duke përfshirë dhe Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

Tahiri theksoi se Lajçak ka thënë se Asociacioni duhet të formohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

“Emisari Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Kosovë theksoi se agjenda e BE-së dhe ShBA-së sa i përket Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor është e njëjtë. Synojnë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Evropë dhe paqen dhe stabilitetin. Lajçak bisedoi me të gjitha autoritetet  e Kosovës si nga pozita dhe opozita për ta parë qëndrimin e  tyre rreth dialogut duke përfshirë dhe asociacionin. Ai theksoi se asociacioni duhet të formohet, dhe ka theksuar se duhet të themelohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, Hoti ka thënë se të gjitha çështjet do të fillojnë të zbatohen kur të arrihet marrëveshja përfundimtare.

“Hoti thekson se këto janë teknikalitete, thekson se të gjitha çështjet bisedohen dhe arrihen marrëveshjet veç e veç por do fillojnë të zbatohen kur të arrihet e gjithë marrëveshja. Kjo është një taktikë e re që më herët nuk është thënë dhe në këtë nuk po has kritika”, ka thënë ai.

I pyetur se si e komenton deklaratën e presidentit Hashim Thaçi, për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë, ai tha: “Marrëveshja është nënshkruar në Bruksel gjatë dialogut. Të parën e ka nënshkruar Hashim Thaçi dhe të dytën Isa Mustafa. Thaçi ka dal dhe ka thënë që unë kam nënshkruar marrëveshje më të mirë dhe s’ka pak kompetencë ekzekutive, ndërsa Isa Mustafa ka nënshkruar marrëveshje me kompetencë ekzekutive. Nuk është ashtu siç ka thënë Thaçi. Nëse ka kritika e sharje, Isa Mustafa e ka një pikë në marrëveshje ku thuhet se kjo i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e Thaçi nuk e ka”.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj për Telegrafin ka thënë se Lajçak druan se Beogradi do ta bllokoj dialogun, dhe siç tha ai ky ka qenë qëllimi i vizitës të cilën e ka kryer në Beograd dhe në Prishtinë.

“Lajçak druan se Beogradi do ta bllokoj dialogun dhe ky ka qenë qëllimi i vizitës të cilën e  ka kryer në Beograd dhe në Prishtinë. Natyrisht që në fokus ka qenë Asociacioni i komunave serbe dhe gjetja e një modaliteti se çfarë Asociacioni të krijohet”, ka thënë ai.

Mushkolaj tha se Asociacioni do të krijohet, mirëpo siç tha ai dilema e vetme është se në çfarë formati do të krijohet.

“Se Asociacioni do të krijohet nuk ka asnjë dilemë, vetëm se dilema më e madhe është se në çfarë formati do të krijohet, një trup e Asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe një OJQ-je. Palët janë duke shkuar drejt gjetjes së një zgjidhje që nuk do të ishte as OJQ as Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe se çfarë do të jetë kjo zgjidhje tash për tash ende nuk dihet”, ka thënë ndër të tjera Mushkolaj.

Ndryshe, i dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak të enjten ka thënë se nuk ka marrëveshje Kosovë-Serbi pa zbatimin e Asociacionit të komunave serbe pasi sipas tij për këtë Kosova është zotuar.

Ai pas përfundimit të takimeve në Kosovë në një konferencë për media tha se gjatë këtyre tri ditëve në takimet që ka pasur me përfaqësues të pozitës dhe opozitës nuk ka pasur ndonjë problem për pikën e marrëveshjes rreth Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë

“Ne po negociojmë në normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Për mua nuk i bie që ta përkufizoj se çka i bie normalizimi. Ana e Kosovës e ka bërë shumë të qartë se si është interpretimi i normalizimit. Ne jemi këtu që të gjejmë një normalizim apo të lehtësojmë procesin mes Kosovës dhe Serbisë. Janë dy palët që duhet të dakordohen. Nuk jam në pozitë që ta dua më shumë arritjen e marrëveshjes se Kosova dhe Serbia. Nëse nuk ka marrëveshje nuk do ketë normalizim, dhe nuk ka marrëveshje pa Asociacionin sepse Kosova e ka marr zotimin, Kuvendi e ka ratifikuar. Është pjesë e procesit dhe negociatave. Kur politikanët kanë thënë që rasti është mbyllur ata nuk dua ta rihapin tekstin dhe ne nuk kërkojmë ta rihapin tekstin por ta implementojnë. Nuk kam takuar asnjë partnerë gjatë këtyre tri ditëve që ka ndonjë problem të këtyre çështjeve që është diskutuar. Në çdo negocim, nëse dua të marr diçka duhet të jem i gatshëm dhe të jap diçka. Dy palët duhet të jenë të gatshëm të marrin dhe të japin diçka”, ka thënë ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco