Donika Kadaj i del kundër partisë: Është e kotë të udhëhiqet vendi kur nuk i ki numrat

Donika Kadaj i del kundër partisë: Është e kotë të udhëhiqet vendi kur nuk i ki numrat

10:26, 14/10/2020

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi ka folur rreth zhvillimeve të fundit në vend, raportin e saj me subjektin që i takon dhe udhëheqësit e kësaj partie.

Duke folur rreth 100 ditëshit të Qeverisë Hoti, Kadaj-Bujupi theksoi se kjo qeveri vazhdon të jetoj me pandeminë. Sipas saj, fokusimi i tërë energjisë nga ana e Qeverisë në çështjen e dialogut nuk është e nevojshme, pasi siç shprehet ajo nevojat e qytetarëve duhen dëgjuar fillimisht.

“Në periudhën në të cilën jemi, në vlugun e pandemisë, në kohën kur kemi probleme jashtëzakonisht të mëdha socio ekonomike, mendoj se Qeveria duhet të fokusohet më shumë në prioretizimin e tyre, t’i jap prioritet temave nacionale të brendshme dhe në këtë mënyrë mund t’i dal zot nevojave të qytetarëve. Fokusi në dialog dhe vetëm dialog, ka marrë të gjithë energjinë e kësaj qeverie dhe krejt çka kemi dëgjuar brenda këtyre 100 ditëve është kush çka i tha në dialog, qoftë në Bruksel, qoftë në Washington. Ajo çfarë duhet dëgjuar sipas meje është nevojat e qytetarëve. Kjo Qeveri po vazhdon të jetojë me pandeminë, duhemi me pa shumë më shumë energji, vendime më të mëdha që do tu përgjigjen nevojave të qytetarëve”, ka thënë Kadaj-Bujupi.

Kadaj-Bujupi më tej sqaroi edhe deklaratën e saj dhënë ditë më parë ku kishte thënë se Qeveria Hoti duhet të rrëzohet në rast se nuk arrin të miratojë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Ajo ka thënë se ende qëndron prapa kësaj deklarate dhe se një qeveri e cila nuk mund ta bëjë shumicën e thjeshtë për ligje që janë jetike në një fazë pandemie është e kotë të vazhdojë angazhimin vet ose të jetë në detyrë.

“Duhet përkushtim më i madh që të paktën në seanca plenare mos të ketë vetëm debate por edhe një shumicë solide që i përkrah ligjet në fjalë. Është mirë që ka kalu Ligji për rimëkëmbje dhe kjo ka qenë kërkesë edhe imja mblidhni votat dhe thërrisni deputetët e mazhorancës dhe përkrahësit e projektligjit që të miratohet”,tha Kadaj-Bujupi.

E pyetur se a do ta përkrahte mocionin e iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, për rrëzimin e Qeverisë Hoti, Kadaj-Bujupi u shpreh se nuk është periudha e duhur që vendi të shkojë në zgjedhje.

Ajo theksoi se mocioni i LVV-së, është thjeshtë një nismë e një subjekti opozitar, dhe ata ende nuk janë dakorduar me partinë tjetër opozitare dhe sipas Kadaj-Bujupit ky mocion ka rrugëtim të gjatë për të mbërri në Kuvend.

“Nuk besoj që në këto momente është periudha e duhur që vendi të shkoj në zgjedhje dhe të bëjmë politika partiake. Është e rëndësishme që të unifikohemi rreth një projekti të përbashkët që është rimëkëmbja ekonomike, tejkalimi i krizave politike, marrëveshja përfundimtare me Serbinë e cila nuk duhet të jetë prioritet pavarësisht presioneve nga jashtë dhe e cila do të duhej të kishte një shumicë shumë më të madhe si përkrahje ndaj vendimit final që do të merret”, tha Kadaj-Bujupi.

Deputetja e AAK-së, më tej ka komentuar edhe vizitën e emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Sipas Kadaj-Bujupit, Bashkimi Evropian duhet të unifikohet në raport me Kosovën. Ajo ka theksuar se mungesa e një platforme gjithëpërfshirëse është problem me i rritë pritjet sidomos në raport me BE-në.

“Mendoj se kërkesat tona në raport me z.Lajçak duhet të jenë që më në fund BE-ja të unifikohet në raport me Kosovën, pra politikën e saj të jashtme ta ketë unike sa i përket Kosovës, e kjo nënkupton që pesë vendet anëtare të BE-së të njohin Kosovën. Po ashtu liberalizimi i vizave duhet të jetë një kërkesë e vazhdueshme, sepse nga ne po kërkohet vazhdimisht që në emër të integrimeve, dialogut, MSA-së, të heqim dorë apo të dorëzojmë sovranitetin tonë qoftë në rajon qoftë në BE, ndërkohë qe ne nuk po marrim asgjë prapa. Është një proces i njëtrajtshëm, qytetarët janë lodhur nga ky proces i stërzgjatur”, u shpreh Kadaj-Bujupi për telegrafin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco