Thaçi mund të akuzohet për 100 të zeza, por për Specialen kishte të drejtë...

Thaçi mund të akuzohet për 100 të zeza, por për Specialen kishte të drejtë...

14:16, 27/09/2020

“Vlerat e UÇK-së i mbron vetëm ai politikan që angazhohet për drejtësi, për ndriçimin e anëve të errëta të lëvizjes çlirimtare, për të drejtën e familjeve të viktimave për të ditur se kush i ka vrarë të dashurit e tyre”.

Kështu është shprehur analisti Enver Robelli, përmes një postimi në Facebook, shkruan Syri.net Kosova.

Ai ka thënë se është popullizëm mesjetar dhe primitivizëm politik që një natë të dalësh në televizion e të thuash se lojërat me dosje janë "film i dobët", e pastaj me pozë të Marinarit Popaj të thuash se veç VV «i mbron vlerat e UÇK-së» dhe të sugjerosh se VV, po të ishte në pushtet, do të ballafaqohej me bashkësinë ndërkombëtare për të penguar arrestimet.

Sipas tij krejt ata që thonë se ka qenë gabim që është themeluar Gjykata Speciale duhet të përgjigjen se cila ka qenë alternativa: një gjykatë e OKB-së me prokurorë rusë e gjykatës kinezë? Ose: një konfrontim me krejt botën perëndimore që do ta izolonte Kosovën edhe më shumë.

“ (Mund të akuzohet Hashim Thaçi për 100 të zeza, edhe më 2015, edhe sot, mund t'i mveshen atij edhe motive personale për themelimin dhe pastaj refuzimin e Gjykatës Speciale, por argumenti i tij se mosthemelimi i gjykatës do të kishte pasoja të rënda për Kosovën - qëndron. Nëse ka trima që duan ta zhbëjnë gjykatën, le të urdhërojnë. Pse jo? Vetëm duhet të bëhen gati për përgjigje të tjera pastaj...)”, ka shkruar Robelli.

“Me kryeneçësi të madhe klasa politike e Kosovës qe 20 vjet refuzon t'i pastrojë radhët e veta. Dalin deputetë në foltore të Kuvendit dhe thonë filani ka vrarë filanin. Dhe asgjë nuk ndodhë. Pastaj politikanët habiten që bashkësia ndërkombëtare po reagon. Vdesin dëshmitarë në rrethana të dyshimta dhe në Kosovë vazhdon rendi i ditës i mbrapshtive të njëjta politike qe 20 vjet”, shprehet ai tutje.

“Lavdi, respekt e nderim çdo luftëtari që ka luftuar pushtuesin serb në fushëbetejë. Por duartrokitje nuk duhet të presin ata individë që keqpërdorën uniformën e UÇK-së dhe vranë njerëz që i kishin marrë peng dhe futur nëpër burgje ilegale në Kosovë apo në Shqipërinë e Veriut”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco