Një këndvështrim i brendshëm i misionit të NATO-s në Kosovë

Një këndvështrim i brendshëm i misionit të NATO-s në Kosovë

12:45, 26/09/2020
Libri i oficerit të ushtrisë britanike Ade Clewlow tregon se si ai u ngarkua me detyrë nga NATO-ja të vëzhgonte krijimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës në vitin 2008 dhe përjetoi nga afër politikën zhgënjyese paqeruajtëse ndërkombëtare.
 
 
“Unë u vendosa në Kosovë i përcaktuar të bëj një ndryshim”, kujton ish-oficeri i Ushtrisë Britanike Ade Clewlow në librin e tij të ri, i cili tregon për përvojat e tij në Kosovë në një pikë tepër të rëndësishme në zhvillimin e shtetësisë së saj në 2008-2009.
 

Në librin me titull: “Under a Feathered Sky: The Untold Story of NATO’s Role in Newly Independent Kosovo”,  (Nën një qiell me pupla: Historia e pathënë e rolit të NATO-s në Kosovën e pavarur), Clewlow zbulon sesa e vështirë rezultoi të ishte në praktikë ai ndryshim.

Clewlow, që në atë kohë ishte nënkolonel, u dërgua në Kosovë për gjashtë muaj si oficeri koordinues britanik në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) organizata e brendshme e emergjencave civile që u krijua pas shpërbërjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, në fund të luftës në vitin 1999.

Në këtë detyrë, ai duhej të vepronte si “sytë dhe veshët” e NATO-s në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, që përbëheshin kryesisht nga veteranë të UÇK-së të luftës guerile për pavarësi kundër forcave serbe, në kohën kur ajo do të transformohej në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Libri i tij është një kronikë më e thellë e këtij transformimi të vështirë, i parë nga afër.

Ndërkohë vetë forca e NATO-s në Kosovë, KFOR, e cila numëronte 16,000 trupa në atë kohë, kishte gjithashtu problemet e saj. Disa prej tyre erdhën nga fakti se disa nga vendet e NATO-s që kishin dërguar trupa në Kosovë nuk e njihnin pavarësinë e saj.

“Për NATO-n, kompromisi i vendeve anëtare të saj që kishin refuzuar ta njihnin Kosovën nga frika se në këtë mënyrë do të inkurajonin lëvizjet e tyre separatiste ishte bërë përparësi”, shkruan Clewlow në libër.

Clewlow i tha BIRN se beson se kjo e pengoi misionin e KFOR-it në terren: “Gjëja më e keqe ishte se vendet që kontribuuan me trupa në KFOR, që nuk e njihnin Kosovën, u rehatuan nga komanda italiane e KFOR-it, gjë që çoi në kompromise dhe mosveprim”, tha ai.

Ai kujton në libër se ndonjëherë kishte edhe pasoja farse – si në rastin kur disa dokumente të KFOR-it filluan të përdorin akronimin “Ksf” dhe jo “KSF” për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Kjo ishte një tjetër përpjekje nga ato vende që zgjodhën të mos e njohin Kosovën, por që ishin të lumtura të qëndronin në vend duke shijuar statusin e tyre ndërsa në të njëjtën kohë përmbushnin angazhimin e tyre për një vendosje të NATO-s jashtë shtetit dhe  për të imponuar pikëpamjet e tyre mbi situatën në Kosovë ”, shkruan ai.

“Mësova se akti i shkrimit të forcës së sigurisë me shkronja të mëdha nënkuptonte të pranoje de facto se Kosova do të kishte Forcën e saj të Sigurisë dhe se për pasojë ishte shtet i pavarur sovran, të cilin natyrisht KFOR nuk e njihte”, shton ai.

Komanda italiane e KFOR-it në atë kohë e kishte  zhgënjyer shumë atë, sepse ai besonte se kjo e fundit vinte përparësitë e veta mbi politikën e NATO-s për të ndihmuar tranzicionin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Lidershipi italian i KFOR-it nuk la kurrë përshtypjen se i interesonin shumë ‘detyrat e reja’ të këtij tranzicioni. Ata ishin më shumë të zënë duke mbajtur të lumtur vendet që nuk e njihnin Kosovën”, u shpreh ai.

“KFOR ishte një mjedis politikisht korrekt dhe kjo dëmtoi procesin e tranzicionit, duke shkaktuar vonesa dhe cenim të dinjitetit të gjithë procesit”, shtoi ai.

Për shkak të dështimeve të lidershipit të KFOR-it, i gjithë transformimi i sektorit të sigurisë u bë”kaotik dhe shumë i pakënaqshëm”, argumentoi Clewlow. Problemet përfshinin një proces rekrutimi të komplikuar që shkaktoi protesta nga pjestarët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës të cilët nuk u zgjodhën për të shërbyer në Forcën e re të Sigurisë së Kosovës. Serbët që jetojnë në veri të Kosovës gjithashtu protestuan, duke pretenduar se forca e re ishte një “kërcënim për stabilitetin”.

Libri i Clewlow detajon takimet e tij me figurat kryesore politike si Hashim Thaçi, Agim Ceku dhe Ramush Haradinaj, por gjithashtu thekson ndjeshmërinë e tij të për Kosovën. Duke gjykuar nga përshkrimet e tij, koha që ai kaloi në vend nuk ka qenë aspak e mërzitshme.

Në libër, ai përshkruan një jetë të gjallë nate për kafenetë, baret dhe restorantet e Prishtinës, e nxitur kjo nga pagat perëndimore pa taksa që merreshin dhe që shpenzoheshin nga prezenca e pjesëtarëve të e organizatave ndërkombëtare, që në Kosovë  ishin vërtetë shumë.

“Kur shëtisje me makinë nëpër qytet, dukej sikur një në tri makina ishte nga KFOR-i, OKB-ja ose nga ndonjë nga organizatat e tjera të shumta ndërkombëtare që e kishin bërë Prishtinën shtëpinë e tyre. Dukej sikur Kosova po zhytej nën peshën e mbikëqyrjes ndërkombëtare, por kjo nga ana tjetër kishte krijuar një skenë të shkëlqyer sociale për mijëra civilë për të cilët Prishtina ishte një shtëpi e përkohshme”, shkruan ai.

Botimi i librit të tij vjen në një moment kur Kosova po kalon më shumë trazira, teksa vepron për ta transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në një ushtri të vërtetë.

Kjo ka shkaktuar përsëri mosmarrëveshje të brendshme midis vendeve anëtare të NATO-s, disa prej të cilave ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si dhe ka zemëruar Serbinë.

Por, derisa  Kosova vazhdon negociatat me Serbinë për një marrëveshje të mundshme për normalizimin e marrëdhënieve, Clewlow beson se në këmbim të një marrëveshje me Beogradin, qeveria në Prishtinë nuk duhet të heqë kurrë dorë nga ambicia për të pasur ushtrinë e saj të vërtetë.

“Kosova nuk duhet të pranojë asnjë kompromis që ka të bëjë me  synimin e saj për një ushtri”, thotë ai. Balkan Insight

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco