Caleb McCarry, zyrtari i lartë i DFC-së, viziton Kosovën

Caleb McCarry, zyrtari i lartë i DFC-së, viziton Kosovën

18:24, 25/09/2020

Caleb McCarry, këshilltar i Adam Boehlerit, kryeshefit ekzekutiv të Korporatës së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC), vizitoi Kosovën më 24 dhe 25 shtator. 

Gjatë kësaj vizite ai u takua me zyrtarë të lartë qeveritarë dhe udhëheqës biznesi për të hulumtuar mënyrat si të mobilizohen investimet në sektorin privat për avancimin e rritjes ekonomike dhe stabilitetit.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Z. McCarry u takua me kryeministrin Avdullah Hoti, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë dhe afaristë vendorë për të vazhduar diskutimet për mbështetjen e rritjes ekonomike, zhvillimit dhe stabilitetit përmes investimeve në sektorin privat në Kosovë.

“Marrëveshja historike për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e fillimit të këtij muaji shtron rrugën për rritjen e investimeve për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal“, tha McCarry. „Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar është e përkushtuar për të ofruar mjete financiare për të ndihmuar mobilizimin e investimeve në lidhjet rrugore, hekurudhore dhe projektet e tjera që krijojnë vende pune, përmes të cilave përfiton populli i Kosovës”.

Vizita e Z. McCarry e pason vizitën e zyrtarëve të ndëragjencive të 21 shtatorit të prirë nga Kryeshefi ekzekutiv, Boehler. Gjatë asaj vizite, Z. Boehler nënshkroi një deklaratë të përbashkët me Kryeministrin Hoti, e cila bëhet në vazhdën e investimeve tashmë të kanalizuara në Kosovë për të forcuar, ndër të tjera, investimet në infrastrukturën ajrore, hekurudhore dhe rrugore; industrinë energjetike; të teknologjisë dhe atë të turizmit. Ky është një hap drejt prosperitetit më të madh rajonal dhe ndërtohet mbi marrëveshjet e sapoarritura për normalizim ekonomik, të ndërmjetësuar nga Shtëpia e Bardhë, që ishte e arritur e madhe që do të shtrojë rrugën për zhvillim ekonomik në Kosovë dhe rajon.

Korporata e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar (DFC) është banka për zhvillim e Amerikës dhe është agjenci e re me fonde prej 60 miliardë dollarë që mbështet zhvillimet në tregjet në zhvillim përmes investimeve në sektorin privat dhe po punon për të nxitur investime më të mëdha në Kosovë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco