Mini-Schengeni Ballkanik dhe dilemat e Kosovës

Mini-Schengeni Ballkanik dhe dilemat e Kosovës

08:24, 20/09/2020

Përfshirja e Kosovës në Mini-Schengenin Ballkanik pas më shumë se dy vjetësh refuzim nuk i ka zgjidhur dilemat rreth kësaj nisme. 

Marrëveshja e Washingtonit nuk e trajtoi thelbin e problemit mes Kosovës dhe Serbisë, që është mosnjohja e ndërsjellë. Sfidë përbën edhe integrimi i menjëhershëm në një treg më të madh me agjentë ekonomikë më të fuqishëm e më të zhvilluar sesa ndërmarrjet tona.

Por dilema ndaj nismës kanë edhe vendet e tjera që janë më afër integrimit në Bashkimin Evropian, sikurse Mali i Zi, për shkak të frikës së Mini-Schengeni mund të shihet si zëvendësim për BE-në. Skeptikë në pafuqinë e kësaj nisme për t’i adresuar barrierat që ekzistojnë aktualisht mes vendeve të rajonit janë njohës të ekonomisë dhe integrimeve rajonale. 

Mënyra si u lansua nisma, sipas tyre, më shumë u bë për protagonizëm politik dhe hakmarrje pas refuzimit të Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, sesa me qëllim të rritjes së investimeve dhe tregtisë në rajon.

Zmbrapsja 

Më 4 shtator në Washington, Kosova dhe Serbia u zotuan para presidentit amerikan Donald Trump për normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet ekonomisë. 

Pjesë e këtij normalizimi u konsiderua edhe përfshirja në Mini-Schengen, megjithëse as vetë kryeministri Hoti nuk pret që kjo nismë t’i adresojë problemet aktuale me fqinjin verior. Pika e Marrëveshjes së ashtuquajtur për normalizim ekonomik e obligon Kosovën t’i bashkohet nismës së shpallur nga Serbia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut në tetorin e vitit 2018. 

“Të dyja palët do t’i bashkohen ‘zonës së Mini-Schengenit’, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo”, thotë pika e marrëveshjes. Në Qeverinë e Kosovës nuk kanë treguar se, pse ndryshuan qëndrim karshi MiniSchengenit dhe veprimet që do t’i ndërmarrin në funksion të përmbushjes së saj. Hoti dhe vartësit e tij këtë e kanë arsyetuar me faktin se e kërkonte ShBA-ja. Pas entuziazmit të shfaqur në Washington, me t’u kthyer në Prishtinë, Hoti ka ulur pritjet rreth kësaj nisme. Në një debat për dialogun me Serbinë të organizuar gjatë javës nga shoqëria civile, Hoti ka shprehur dyshime për Mini-Schengenin.

“Për Mini-Schengenin, ju e dini qëndrimin që kemi pasë në vazhdimësi për këtë çështje, një iniciativë rajonale që pa u mbyll çështja në mes të Kosovës dhe Serbisë, mes Kosovës dhe Bosnjës, pa u integruar komplet regjioni në BE nuk është që arrijmë shumë nga kjo çështje”, ka thënë Hoti. 

Por Hoti dhe shefi i tij partiak, Isa Mustafa, sa ishin në opozitë u patën treguar shumë të ashpër kur kundërshtonin përfshirjen e Kosovës në këtë nismë. Madje Mustafa që tani ishte ndër parët i cili përshëndeti arritjen e marrëveshjes në Washington, Mini- Schengenin e pati kualifikuar si projekt për “mini-Jugosllavi të re”. Të tillë e kishte kualifikuar edhe presidenti serb, Vuçiq- “Mini -Jugosllavi plus Shqipëria”. “Marrëveshja e Mini-Schengenit lindi kur nuk u realizua projekti i ideuar në Serbi për Unionin Doganor dhe ideja për Unionin Ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për shkak të kundërshtimit të Kosovës dhe të Malit të Zi. Marrëveshjet e tilla çojnë në një situatë kur tatimet në kufi, qoftë TVSH-në, tatimin doganor, akcizën do t’i mbledhë në pjesën më të madhe Serbia për Kosovën (e cila nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës), sepse kemi kufirin më të gjatë më të, e në pjesët e tjera, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi”, pati thënë Mustafa. Sipas politologut Belul Beqaj, deklaratat e stilit të tillë janë dëshmi e hipokrizisë politike./Koha

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco