Ligji për UÇK/ Zëdhënësi i PDK-së: Ambasada amerikane e  teproi

Ligji për UÇK/ Zëdhënësi i PDK-së: Ambasada amerikane e teproi

13:35, 13/08/2020

Zëdhënësi I PDK-së, Avni Bytyqi ka thënë se ligji për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së duhet të miratohet, ndonëse është larg të përsosurës.

Sipas tij,  mund të ketë edhe gjëra që mund të adresohen, transmeton Syri.net Kosova.

Bytyqi është shprehur se deputetët nuk duhet të kenë frikë e të ‘dezertojnë’ nga frika e ndërkombëtarëve.

“Draft ligji është në procedurë, për t’u përmirësuar, ai duhet të trajtohet në Kuvend, deputetët nuk duhet të kenë frikë e të “dezertojnë” nga frika e ndërkombëtarëve”, ka shkruar ai.

Ai thotë se shqetësimet e Ambasadës Amerikane dhe ambasadave të tjera, janë ekzagjeruar.


“Ata e kanë ditur shumë mirë që edhe nga Partia Demokratike e Kosovës ka pasur vullnet gjithmonë për t’i adresuar shqetësimet e tyre edhe në fakt çdo shqetësim.Ka qene momentumi i mirë që shumë gjëra të adresohen lidhur me historinë e popullit tonë, luftën e saj të drejtë dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Bytyqi.

“Çdo draft ligj, mund të ndryshohet, nga titulli dhe çdo dispozitë e saj. Kuvendi i Republikës së Kosovës përmes mekanizmave të saj gjithmonë sigurohet që ligjet të cilat miratohen janë në përputhje me Kushtetutën e vendit, konventat ndërkombëtare dhe Acquis communautaire. Kështu që, në vend se debati publik të fokusohet në përmbajtje, ai është zhvendosur padrejtësisht në tema që tjetërsojnë qëllimin fisnik të këtij ligji, e që padyshim nuk është frikësimi, apo kufizimi i lirisë së shprehjes”, përfundon ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco