VV mbledh nënshkrimet e veta për rrëzimin e qeverisë, PDK e pret mocionin në Kuvend

VV mbledh nënshkrimet e veta për rrëzimin e qeverisë, PDK e pret mocionin në Kuvend

19:16, 10/08/2020

E kishte paralajmëruar që nga qershori, por 5 ditë më parë Lëvizja Vetëvendosje njoftoi se filloi procedurën për rrëzimin e qeverisë Hoti. 

Deri më tash nga kjo parti i kanë mbledhur vetëm 31 nënshkrime, respektivisht aq sa ka deputetë, nga 40 sa janë të nevojshëm për procedim të mocionit në Kuvend.

Ani pse janë optimistë se mocioni mund të procedohet në seancë, asnjëra prej partive opozitare, por as edhe atyre në pushtet nuk i është përgjigjur pozitivisht ftesës së VV-së. 

Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës, ftesë për përkrahje të mocionit nuk i kanë dërguar as Listës Serbe, meqë Vetëvendosje vlerëson se deri më tash veprimet e LDK-së me Listën Serbe ishin të koordinuara.

Kohë më parë, pas formimit të qeverisë Hoti, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, kishte deklaruar se partia e tij do të votojë pro çfarëdo mocioni për rrëzimin e saj.

 Ndonëse ishte mjaft kritike ndaj qeverisë, PDK-ja ende nuk e ka ndarë mendjen nëse do të votojë për rrëzimin e qeverisë, me gjithë ftesën e LVV-së.

 Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi, deklaroi se PDK-ja nuk do t’i ofrojë nënshkrimet për procedim të mocionit në Kuvend, por nëse i njëjti arrin të procedohet për seancë atëherë kryesia e partisë do ta shqyrtojë se si do të votojë.

Edhe pse së fundmi kishte fërkime në mes të partnerëve të koalicionit, LDK-së e AAK-së, kjo e fundit thotë se nuk do ta përkrahë mocionin e Vetëvendosjes. 

Deputeti Rasim Selmanaj tha se AAK-ja nuk do të votojë për ta shkarkuar qeverinë, pasi që situata me pandeminë është edhe më kritike sesa që ishte në kohën kur u rrëzua qeveria Kurti.

Me gjithë përpjekjet e Vetëvendosjes, LDK-ja nuk po e sheh si serioz mocionin e ngritur. 

Deputetja, Besa Gaxherri, komentoi se iniciativa e Vetëvendosjes është e dështuar që nga fillimi.

Për ngritjen e mocionit të mosbesimit duhen 40 nënshkrime, ndërsa për rrëzimin e qeverisë nevojiten 61 vota. 

Nëse mocioni nuk kalon, duhet kaluar së paku tre muaj për mocionin e radhës.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco