Mustafa porosi Haradinajt: Takohemi posa të shërohet kryeministri, ka zgjidhje për të gjitha çështjet

Mustafa porosi Haradinajt: Takohemi posa të shërohet kryeministri, ka zgjidhje për të gjitha çështjet

14:34, 09/08/2020

Isa Mustafa nuk po sheh rrezik të prishjes së koalicionit pasi kanë plasur akuzat publike ndërmjet zyrtarëve të LDK-së e AAK-së në Qeveri. Po paralajmëron takim me Shefin e AAK’së posa të shërohet Kryeministri nga COVID-19. Lideri i LDK-së po thotë se për të gjitha çështjet e hapura ka zgjidhje.

Për të gjitha mosmarrëveshjet në qeverinë LDK-AAK-Nisma i pari i LDK’së thotë se ka zgjidhje.

Mustafa për Express tha se do të ketë takim me partnerët qeverisës posa Kryeministri Hoti të kalojë sfidën me koronavirus, duke vlerësuar se koalicioni është i qëndrueshëm

“Mendoj se koalicioni qeverisës është i qëndrueshëm. Posa  të dal Kryeministri në zyrë do të takohemi me partnerët e koalicionit dhe do të shtjellojmë të gjitha çështjet që janë hapur në media. Vlerësoj se nuk ka çështje që nuk mund të rezultojë me zgjidhje dhe me mirëkuptim”, tha Mustafa.

Kryetari i LDK’së po ashtu u shpreh se të gjithë akterët duhet të fokusohen në betejën me pandeminë, kurse në dialog duhet të përfshihet spektri i gjerë politik.

“Të gjithë duhet të fokusohemi në betejën me Covid-19 dhe në rimëkëmbjen ekonomike. Ndërkaq dialogu mund të jetë efektiv nëse arrihet të përfshihet një bazë më e gjerë e forcave politike në këtë proces.”, tha ai.

Ramush Haradinaj ka nisur akuzat ndaj Hotit pasi ky i fundit nuk e mori Selim Selimin në dhomën ku po mbahej takimi në Bruksel me Aleksander Vucicin. Ish-Kryeministri rivalizoi me Shefin e Ekzekutivit aktual kur shkoi në Karaçevë, një ditë pasi forcat serbe shkelën në tokën e Kosovës, dhe kërkoi reagim të institucioneve.

Pas kësaj, Avdullah Hoti, i ktheu përgjigje Haradinajt, duke i thënë se janë të panevojshme shkuarjet në kufi me Serbinë kur gjithçka në atë pjesë është e sigurt. Madje, tha se s’ka nevojë për defilime të tilla.

Sot, ndërkohë, dy ministra të AAK’së kanë lëshuar akuza në drejtim të Shefit të Qeverisë. Meliza Haradinaj-Stublla tha se nuk qëndrojnë pohimet se gjithçka atje është e sigurt derisa demantoi KFOR’in se forcat serbe hyn në territorin kosovar në mënyrë të sinkronizuar. Selimi Selimi vazhdon ankesat ditore ndaj Kryeministrit se është i painformuar se çka po ndodh në dialogun e Brukselit.

Në anën tjetër, Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, reagoi ndaj deklaratave të zyrtarëve të AAK’së, duke thënë se Kryeministri në Kosovë është Avdullah Hoti i cili edhe udhëheq me dialogun.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco