Posti i presidentit rihap pazaret e politikës kosovare

Posti i presidentit rihap pazaret e politikës kosovare

12:20, 09/08/2020 Nga Albionë Zhitia

Posti i presidentit po del të jetë një nga pozitat më të pëlqyera për politikanët kosovarë, të cilët tash e dy dekada bredhen nga një pozitë në tjetrën, kurse karrierën politike duan ta përmbyllin si  president/e i/e vendit.

Që kur Prokurori Special i Dhomave të Specializuara në Hagë publikoi propozim aktakuzën ndaj Presidentit Hashim Thaçi, zërat për zëvendësimin e tij u shtuan. U diskutua çdo alternativë që mund të bëhet në rast të dorëheqjes apo shkarkimit të Thaçit.

Një deklaratë ditë më parë e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, se çdo kryeministër ka kaluar nëpër zyret e kësaj partie, e po njësoj edhe president, prandaj edhe Thaçi bëri koalicion me LDK-në për t’u bërë president - nxehu debatin për postin e të parit të shtetit.

Në fakt, kjo deklaratë e Hazirit dëshmon pritjet dhe diskutimet mbi 4 muaj që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë bërë para se të nënshkruanin marrëveshjen e koalicionit me 2 shkurt të këtij viti, për ta krijuar Qeverinë një ditë më vonë, më 3 shkurt.

Derisa në fillimet e takimeve dukej se gjithçka do përfundonte shpejtë, ‘gurët’ dolën në rrugë disa herë, por që guri më i madh doli të jetë posti i presidentit të vendit, ndonëse ai post kishte titullarin e tij, Hashim Thaçin.

Mirëpo LVV dhe LDK në atë kohë të bisedimeve nuk e kishin besuar se bashkëpunimi i tyre do të përfundonte para se të vinte koha e përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit si president i vendit.

LDK e kërkonte postin e presidentit për vete, derisa kërkonte edhe ndarje të barabartë të ministrive, plus postin e kryetarit të Kuvendit. Derisa Vetëvendosje deklaronte se nuk dëshiron ta bëjë pjesë të marrëveshjes pozitën e presidentit, derisa të vie koha e përfundimit të mandatit aktual. Në fund, këto dy parti ishin dakorduar sipas kërkesave të LDK-së. Presidenti do t’i takonte kësaj të fundit dhe Vetëvendosje do ta mbështeste kandidatin e propozuar nga LDK. Emri i kandidatit të LDK-së asnjëherë nuk ishte nxjerrë zyrtarisht prej krerëve të LDK-së, derisa më i përfolur ishte kryetari i partisë, ish kryeministri, Isa Mustafa.

Mirëpo, në marrëveshjen e arritur në mes të LDK-së dhe AAK-së më 20 prill të këtij viti, në 3 faqet e saj askund nuk është përmendur pozita e presidentit.

Edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Syri TV, pati thënë se nuk ka pasur marrëveshje për këtë pozitë, por ka pohuar se do ta merrte drejtimin e shtetit në rast që “i kërkohet” dhe se nuk e ka problem këtë gjë.

Sipas Haradinajt, për t’u arritur posti i presidentit në Kosovë me konstalacionin politik që ekziston, është shumë e vështirë, gati e pamundur, pa vullnetin e dy partive më të mëdha, si LDK-VV, LDK-PDK.

I pyetur se “a rrezikon për një ftesë nga Gjykata Speciale në rast se e merr postin e presidentit?” – Haradinaj ishte shprehur se: “Nuk e besoj, unë e kam dëshmuar njëherë pafajësinë time në një tribunal ndërkombëtar”.

Por nuk është vetëm Haradinaj që po përflitet si kandidat për president. Para disa kohe në media u raportua për një mundësi të futjes së PDK-së në qeveri në shkëmbim të pozitës së presidentit. E që sipas këtyre raportimeve vendin do ta udhëhiqte ambasadorja Vlora Çitaku (dikur pjesë e PDK-së dhe ish-ministre e Integrimeve evropiane).

Për analistin Blerim Burjani, gjithë ky debat është i kotë dhe i panevojshëm, përderisa Thaçit ende nuk i ka përfunduar mandati.

Ai në një bisedë me Syri.net shprehet mjaft i ashpër karshi apetiteve të Haradinajt për këtë pozitë.

“Të dy palët e koalicionit nuk janë deklaruar me kohë se kanë pasur apo jo marrëveshje për pozitën e presidentit. E deri sa ky post i takon Thaçit (deri në vitin tjetër), kalkulimet e parakohshme janë jo e zakonshme dhe derisa në këtë post është Thaçi nuk kemi se çfarë të diskutojmë e të ketë manipulime e debate koti që po bëhen nëpër tv private që po nxisin tema që nuk kanë të bëjnë me realitetin politik vetëm atë spekulativ. Prandaj edhe ka sjell këtë atmosferë të çuditshme e të paqenë.”

Haradinaj pati deklaruar se nuk ka pasur marrëveshje, por ai do të kishte pasur dëshirë të bëhet president. Këtu edhe nuk ka dilemë duke e njohur atë si jo serioz e jo i sinqertë dhe që thirret gjithë kohën në sinqeritet të rrejshëm. Ai ka interes në post andaj dhe nuk ka marrë asnjë pozitë në qeverinë aktuale pasi ka qëllime tjera. Ai  ka falur postin e MPJ-së kot dhe disa të tjera për shkak se qëllimi i tij nuk është a do të ketë ndonjë sukses kjo qeveri, por me rëndësi ai të tentojë të akomodohet në postin e presidentit ose do ta prish koalicionin, e kjo do të ndodh nëse nuk e merr postin Haradinaj. Kjo edhe mund të jetë mollë sherri për prishjen e koalicionit, pasi edhe LDK po tenton ta marrë këtë post. Ky koalicion edhe ashtu është me tepër fiktiv, jo real, jo pragmatik dhe pa ndonjë program të mirëfilltë për zgjidhjet në shoqëri” – përfundon analizën e tij Burjani.

Kurse njohësi tjetër i politikës kosovare, Dorajet Imeri, në një prononcim për Syri.net Kosovën shprehet se ky post shumë herë ka qenë arsyeja e krizave politike.

Sistemi politik i Kosovës është ndërtuar asisoji që posti i presidentit të jetë jo pak i rëndësishëm. Nominalisht, presidenti i Kosovës është institucion që balancon pushtetet, kompetencat e të cilit nuk lejojnë dominimin e një institucioni të caktuar. Historikisht kemi dy tregime lidhur më presidentin, pasi ai post deri në viti 2006 bartej nga presidenti Rugova, rrjedhimisht Lidhja Demokratike e Kosovës, post i cili ishte vazhduar të bartej më pas nga president Sejdiu. Tregimi i dytë është se nga presidenti Sejdiu e deri më tash, posti i presidentit ka krijuar jo pak kriza politike, duke shfaqur në këtë mënyrë edhe kompleksitetin e madh që tregon ky post politik. Rasti Sejdiu, rasti Pacolli, rasti Jahjaga, edhe pse të ndryshme si procedura, kanë një të përbashkët: ky post ka qenë përherë një mundësi e mospajtimeve politike që shpesh ka gjeneruar kriza politike e implikime edhe të Gjykatës Kushtetuese, e cila në të dy rastet e para ka shkarkuar të dy presidentët, ndërsa në rastin e tretë, pra të presidentes Jahjaga, kemi pasur një ndërhyrje të qartë nga jashtë përmes Ambasadës Amerikane.

Tutje Imeri thotë se po njësoj po ndodh edhe sot, andaj një prishje e koalicionit qeverisës për shkak të kësaj pozite nuk do ishte e habitshme.

Sot posti i presidentit ka vazhduar të jetë po aq problematik, pasi ai është parë si një post që është ndarë mes partnerëve të koalicionit, duke e dobësuar që në fillim kredibilitetin e tij, pasi presidenti deri tash, përjashto rastin Jahjaga, është shprehje e kompromisit mes partnerëve të koalicionit që qeverisin vendin. Së këndejmi, posti i presidentit mund të jetë edhe pika ku partnerët e koalicionit mund të shprehin mospajtimet e tyre, rrjedhimisht mund te ketë edhe rrëzim të qeverisë, ose edhe shpërbërje të Kuvendit, nëse nuk gjendet një emër që i siguron votat e mjaftueshme për t’u bërë i pari i vendit. Tash për tash, siç edhe e kam thënë një mendim tjetër, vërehet se ka një krizë të theksuar në mes të partnerëve të koalicionit qeverisës, ndërsa shkaktarët janë të shumtë. Partnerët e koalicionit kanë dallime të mëdha, pasi bashkimi i tyre ishte i shpejtë, i pa menduar dhe i pa harmonizuar që nga fillimi. Problemi më i madh është posti i presidentit, pasi AAK vlerësoj se ka pretendime reale për të.”

Imeri shton se nuk është vetëm Haradinaj që ka këto ambicie.

Në anën tjetër, NISMA kërkon që këtë moment ta kapitalizojë me ndonjë ministri ose poste të tjera publike. Kosova deri tash, ose më mirë thënë, klasa e saj politike, nuk ka arritur ta kapërcejë veten, të zgjedhë një president koncensual, partiak. Ndërsa sigurisht se nuk mund të ndalem në emra të përveçëm, por do të ishte mirë që postin e presidentit të ketë ndonjë burrë ose grua, i/e dëshmuar në jetën politike, institucionale ose akademike, me kredenciale të pathyeshme kombëtare, intelektuale dhe morale, për çka kam besimin se Kosova mund të prodhojë një të tillë” -përfundon Imeri për Syri.net Kosovën.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, Presidenti e përfaqëson unitetin e popullit. Presidenti i Republikës së Kosovës është përfaqësues legjitim i vendit brenda dhe jashtë dhe garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të vendit.

Mirëpo deri më tani është parë se ky post më shumë ka përçarë spektrin politik e ka prishur qeveri, se sa që e ka unifikuar atë.  Vetëm gjatë këtij viti ishte pikërisht Presidentit Thaçi që bëri punën më të madhe për të rrëzuar qeverinë Kurti dhe për të sjellur në krye të ekzekutivit LDK-në në drejtimin e Hotit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco