Ambasada e SHBA-së bën thirrje të shtyhen apo anulohen udhëtimet verore në Kosovë

Ambasada e SHBA-së bën thirrje të shtyhen apo anulohen udhëtimet verore në Kosovë

18:07, 04/08/2020

Kapaciteti në përkeqësim për të trajtuar pacientët që vuajnë nga COVID-19, mungesa e pajisjeve dhe masat e pazbatuara të sigurisë kanë bërë që Kosova të jetë ndër vendet me nivelin më të lartë të rasteve të reja të infektimeve me koronavirus. 

Kështu paralajmëron ambasada amerikane në ueb faqen e saj, të martën, në atë që është një vërejtje për shtetasit amerikanë që janë në Kosovë apo udhëtojnë për në Kosovë.

Më tej, ambasada paralajmëron se ajo ka kapacitet të limituar për të ndihmuar në emergjencat mjekësore, ndërsa thekson se në Kosovë ka edhe ndalesa shtesë për tubimet sociale.

“Nëse planifikoni të hyni apo largoheni nga Kosova këtë verë, ju lutemi që të lexoni të gjithë këtë Alarm Shëndetësor për detaje me rëndësi. E kuptojmë dëshirën tuaj që t’i vizitoni familjen dhe miqtë, por ju bëjmë thirrje që të shtyni apo anuloni udhëtimin në Kosovë këtë verë”, thuhet në paralajmërimin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Tutje, ambasada paralajmëron se përhapja e virusit në Kosovë, si dhe në gjithë rajonin, ka shkaktuar përkeqësim të infrastrukturës shëndetësore të vendit.

“Disa spitale janë të tejmbushura me pacientë dhe kanë mungesë të furnizimeve sikur që është oksigjeni apo u mungon stafi i nevojshëm për të monitoruar si duhet pajisjet dhe për të trajtuar pacientët”, thuhet në alarmin amerikan.

“Niveli i infeksioneve të reja për kokë banori është rritur vazhdimisht në disa javët e kaluara dhe tani është një prej më të lartëve në botë. Fatalitetet që ndërlidhen me COVID-19 po rriten. Për më tepër, edhe pse masa për distancim social dhe bartja e maskave të fytyrës janë të obligueshme, rregullat haptazi po shmangen në vendet publike siç janë restorantet, shitoret dhe kafenetë”, shkruan ambasada e SHBA-së.

Qytetarët e SHBA-së që udhëtojnë në Kosovë përkundër udhëzimit të administratës amerikane për mosudhëtim për në mbarë botën, në rritje po e kontaktojnë ambasadën e SHBA-së në Prishtinë për të kërkuar ndihmë në rastet kur familjarët e tyre po infektohen, thuhet në publikimin e ambasadës së SHBA-së.

“Stafi i ambasadës së SHBA-së në Prishtinë nuk kanë qasje në ndonjë objekt alternativ mjekësor. Edhe pse ne e koordinojmë asistencën mjekësore dhe donacionet me ministritë dhe institucionet, ne nuk mund të asistojmë pacientët individual që sëmuren nga COVID-19”, paralajmëron ambasada shtetasit amerikane që mund të jenë në Kosovë.

Më tej, ambasada njofton shtetasit e SHBA-së në Kosovë për ndalesat që vlejnë në Kosovë, përfshirë ndalesën e qarkullimit pas orës 22:30 deri në 05:00, ndalesën e ceremonive fetare, tregjet publike (të perimeve, kafshëve dhe veturave), tubimet publike dhe festat private familjare, si dhe aktivitetet grupore kulturore dhe sportive.

“Jashtë orarit të ndalesës së qarkullimit, restorantet/kafenetë mund të funksionojnë vetëm në hapësira të hapura me një distancë prej 2 metrash mes tavolinave. Personat të moshës mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike mund të dalin jashtë prej orës 05:00-10:00 dhe prej 18:00-21:00”, njofton ambasada e SHBA-së.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco