Gjarpërimi i Thaçit

Gjarpërimi i Thaçit

08:27, 05/07/2020

Në Kosovë është një politikan që dy dekada më parë është dënuar për terrorizëm nga një gjykatë e Serbisë, por ky shtet e sheh partner kryesor për dialog; ka shtyrë formimin e një gjykate për krime, që supozohet të jenë kryer nga ushtarë të UÇK-së, dhe vetë është kthyer në viktimë të parë të saj; si dhe ka qenë prej eksponentëve kryesorë të kryengritjes për çlirim nga Serbia e edhe të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por populli tani do që të çlirohet nga ai.

Është presidenti Hashim Thaçi që, këtë javë, dha sinjale se mund të dorëhiqet.

Dorëheqja e mundshme do të nënkuptonte që Thaçi të mos e çonte në fund asnjë nga funksionet më me rëndësi që ka mbajtur prej pasluftës. Si kryeministër i Qeverisë së përkohshme mundi të qëndrojë vetëm disa muaj, meqë menjëherë pas çlirimit ajo ishte zhbërë, për ta lënë qeverisjen e vendit tek një mekanizëm i përkohshëm administrativ i misionit të Kombeve të Bashkuara, që ishte vendosur në Kosovë, UNMIK.

Pasi partia e tij i fitoi zgjedhjet në fund të 2007-s, Thaçi u bë kryeministër, por është rrëzuar me mocion në Kuvend. Ishte vënë edhe në krye të qeverisë pasuese, e edhe ajo është rrëzuar po me mocion. Ndërkaq, përpara se të bëhej president, ka shërbyer për disa kohë si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, pozita që i la në gjysmë për t’u bërë shef shteti.

E, si president javën e shkuar mori lajmin për aktakuzën, përderisa ishte rrugës për në Uashington, ku planifikohej një takim Kosovë-Serbi në nivel presidentësh e kryeministrash, që ishte ftuar nga Richard Grenell, i caktuari i presidentit Donald Trump për ta ndërmjetësuar procesin e negociatave mes dy vendeve./koha

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco