Mbetet e pazbardhur lista e të akuzuarve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar

Mbetet e pazbardhur lista e të akuzuarve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar

14:04, 04/07/2020 Nga B.T

Ditë më parë, saktësisht me 24 qershor, politika kosovare u trondit nga një lajm i pritur tash sa kohë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar  e cila ka ngritur aktakuzë nga presidentit Hashi Thaçit, kryetarit të PDK-së Kadri Veselit e të tjerëve për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte.

Ata dyshohen se janë përgjegjës për rreth 100 vrasje.

Por Zyra e Prokurorit të Specializuar, ashtu sikur edhe EULEX-i nuk kanë dhënë identitetin e personave tjerë të akuzuar e të cilët mund të zbardhen pas shqyrtimit nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Speciale në Hagë.

Mos publikimi i identitetit të akuzuarëve të tjerë, ka krijuar një panikë tek disa nga ish pjestarët e lartë të UÇK-së e të cilët dyshohet se mund të jenë pjesë e kësaj aktakuze.

Po ashtu në opinion sikur nga ana e zyrtarëve të institcucioneve, po ashtu edhe qytetarëve jepen mendime të ndryshme rreth kësaj liste të të dyshuarëve se mund të jenë të akuzuar dhe që numri i tyre mund të jetë dy e ndoshtaj edhe tre shifror.

"Syri.net", ka kërkuar identitetin edhe të akuarëve të tjerë që dyshohet se mund të jenë, por jo vetëm Zyra e Prokurorit të Specializuar, por edhe EULEX-i e të tjerë nuk kanë dhënë informacione rreth numrit dhe identitetit të persomave të dyshuar, që mund të jenë të akuzuar nga specialja.

Avokati Nikë Shala i akredituar pranë Gjykatës së Hagës, i cili mbron klient pranë Zyrës se Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës, tha për "Syri.net", se numri i të akuzuarëve dhe identiteti i tyre nuk mund te dihet derisa mbrotjes t’i dorëzohet zyrtarisht aktakuza së bashku me të gjitha provat dhe shkresat e lëndës. 

Sipas tij bërja publike e personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuza nuk duhet të ndodhë nga kushdo qoftë deri sa aktakuza të konfirmohet nga gjyqtari i procedurës paraprake.

"Çdo publikim i paautorizuar i informacionit konfidencial, paraqet mosrespektim të Rregullores së procedurës dhe provave dhe kjo dëmton integritetin dhe drejtësinë e procesit penal", tha avokati Nikë Shala. 

Ai shtoi se konfirmimi i aktakuzës bëhet nga ana e gjyqtarit të Procedurës Paraprake. Kjo është në kompetecën e tij ligjore dhe në momentin e pranimit të aktakuzës së bashku me tërë dosjen, konform nenit 39 paragrafi 2 i Ligjit per Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të specializuar, gjyqtari i procedurës paraprake ka këto mundësi ligjore: ta konfirmojë aktakuzën e prokurorisë, ta hudhë poshtë në tërësi, apo ta kthej në plotësim për pika të caktuara. 

"Bazuar në eksperiencën shumë vjeqare dhe rasteve të shumta të klientëve që i kam mbrojtur pranë prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombetar, ka pasur raste që është hedhur aktakuza për vepra të renda penale, por edhe kur janë konfirmuar", tha Nikë Shala.

Avokati shtoi se megjithatë duke mos e prejudikuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, gjithnjë duke besuar në luftën e drejtë e për liri që ka zhvilluar UÇK-ja, presim që gjyqtari të sjellë një vendim brenda afatit në bazë të kompetencave dhe funksionit të tij ligjor.

Por sipas mendimit të tij, kjo aktakuzë do duhej hudhur.

"Syri.net", ka kërkuar përgjigje edhe nga EULEX-i, por të cilët nuk janë përgjigjur, duke na drejtuar tek Zyra e Prokurorit Special në Hagë.

Kjo është përgjigja nga EULEX-i për "Syri.net": Për të gjitha pyetjet lidhur me punën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ju lutem kontaktoni me zëdhënësin Christopher Bennet.

Derisa as nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nuk kanë dhënë informacione  lidhur me të akuzuarit e tjerë 

Zëdhënësi i Zyra e Prokurorit të Specializuar, Christopher Benet, tha për "Syri.net", se  ZPS-ja nuk po jep detaje për të tjerët të përmendur në deklaratën e 24 qershorit dhe nuk jep informacion operacional.

Analisti Ramush Tahiri, tha për "Syri.net", se Policia e EULEX-it pikërisht në këtë periudhë kohore e ka për detyrë të jetë në shërbim të Prokurorisë dhe të Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë. 

Pra ti sigurojë të gjitha kushtet për punë të rregullt e normale, duke siguruar e mbrojtje për dëshmitarët, provat e dëshmitë dhe duke arrestuar dhe mbajtur e duke dërguar në Hagë, ku është selia e gjykatës. 

Po ashtu personat që kërkohen nga kjo gjykat e që nuk shkojnë vulnetarisht si dhe të arrestojë personat ndaj të cilëve ngritet aktakuza për të cilët gjykata vlerëson se duhet të jenë të ndaluar edhe për hetime të mëtejme edhe në burgë paraburgim gjatë gjithë kohës së mbajtjes së gjykimit.

Aktakuza dhjetë pikëshe...

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) me 24 prill 2020, u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të tjerë akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura. Në Aktakuzë pretendohet se Hashim THAÇI, Kadri VESELI dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm. Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.

Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim THAÇIT dhe Kadri VESELIT për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së. Besohet se z. THAÇI dhe z. VESELI kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. THAÇI dhe z. VESELI kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco