Palmer: SHBA dhe BE synojnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

Palmer: SHBA dhe BE synojnë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi

18:09, 02/07/2020

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Matthew Palmer, si dhe i Dërguari Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Mirosllav Lajçak thanë që SHBA dhe BE nuk janë rivalë dhe kanë të njëjtat synime dhe vizione për Ballkanin Perëndimor, njoftoi agjencia serbe e lajmeve Tanjug.

Në një video-konferencë “Dialogu Ballkanik”, të organizuar nga “Concordia”, “The East West Institute” dhe “The Belgrade Fund for Political Excellence”, Palmer tha se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në rajon për të siguruar qëllimin përfundimtar të normalizimit të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë.

“Ne kemi një qëllim të përbashkët dhe një vizion të përbashkët për Ballkanin Perëndimor, dhe ne jemi partnerë për këtë çështje”, citohet të ketë thënë Palmer.

Ai nënvizoi se SHBA dhe BE po punojnë së bashku në rajon, jo vetëm për çështjen e Beogradit dhe Prishtinës.

Palmer tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin emërimin e Lajçak dhe dëshiron që ai të ketë sukses.

Ai, megjithatë, theksoi gjithashtu se përpjekjet amerikane kanë çuar në heqjen e taksës së vendosur nga Kosova.

Veç këtyre, Palmer ka thënë se uniteti i BE-së dhe SHBA-së është i rëndësishëm, por edhe se në të kaluarën problemi ishte se kishte zëra të ndryshëm brenda vetë Unionit, gjë që tregoi se BE ishte e ndarë.

Ndërsa Lajçak theksoi se qeveria e re në Beograd tani është më e fortë se kurrë, dhe se nëse nuk arrin dot rezultate tani, ajo kurrë nuk do të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë.

Ai kujtoi se dialogu po hyn në vitin e tij të dhjetë dhe se nuk dëshiron dhjetë vjet të tjera që ai të përmbyllet.

“Do të ishte e rëndësishme që palët të mos e shohin problemin e Kosovës si një çështje bilaterale, por si çështje të marrëdhënieve me BE-në”, ka thënë ndër tjerash ai. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco