Marrëveshja finale me Serbinë, vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë

Marrëveshja finale me Serbinë, vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë

20:44, 05/06/2020

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka folur përsëri për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Muratit, ajo do të arrihet vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë mes dy shteteve.

“Ashtu si qeveritë e kaluara edhe kësaj qeverie fatin do t’ia përcaktojë dialogu me Serbinë. Ashtu si edhe qeveritë e kaluara edhe kjo në raport me dialogun qëndrimet i kanë të njëjta, krejtësisht brenda kornizave të deritanishme të të menduarit dhe vepruarit”, ka shkruar Murati në Facebook.

“Edhe kryeministri aktual, si ata para atij, edhe pse foli kundër shkëmbimit të territorit, nuk tregoi se pse nuk duhet të ketë shkëmbim të territorit (asaj që realisht do të duhej t’i referoheshin si ripërcaktim të kufijve)”, ka thënë ai.

Sipas Muratit, “nuk tregoi se pse është e dëmshme që pjesa shqiptare e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës t’i bashkohet Kosovës, dhe pjesa serbe e Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut t’i bashkohet Serbisë? Nuk na tregoi pse nuk do të ishte mirë që pas një marrëveshjeje të tillë të binte Pako e Ahtisaarit që është pjesë e kushtetutës së Kosovës e që e bën shtetin tonë jofunksional dhe të varur nga pakica serbe, rrjedhimisht në rastin tonë nga Serbia?”

“Për një gjë jam i sigurtë: edhe mund të ketë një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë që nuk i prek kufijtë, por vizaton kufij e krijon asociacione të brendshme në Kosovë e që veç e dobësojnë Kosovën dhe e fuqizojnë ndikimin e Serbisë brenda saj”, është shprehur ai.

“Por marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë vetëm kur të ripërcaktohen kufijtë në mes të dy vendeve dhe dy popujve bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje në Kosovën Lindore dhe në veriun e Kosovës”, ka shkruar Murati.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco