Qeveria Hoti, pas Meliza Haradinaj-Stublla edhe Vesel Krasniqi me aktakuzë ende në fuqi

Qeveria Hoti, pas Meliza Haradinaj-Stublla edhe Vesel Krasniqi me aktakuzë ende në fuqi

19:13, 03/06/2020

Në seancën e së mërkurës ,Kuvendi i Kosovës me 61 vota për e ka zgjedhur Qeverinë e re të Kosovës, me kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.

Mirëpo, për dallim nga qeveria Kurti, në këtë qeveri janë kthyer ministra mbi barrët e të cilëve rëndojnë edhe aktakuza me të cilat janë duke u ballafaquar.

Pjesë e Qeverisë së re si ministre e Jashtme do të jetë Meliza Haradinaj-Stublla, e cila gjatë vitit të kaluar, për akuza për mos deklarim ose deklarim të rremë të pasurisë ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht dhe 1000 euro gjobë, e cila aktakuzë është duke u trajtuar nga Gjykata e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa përpos Haradinaj-Stubllës, me aktakuzë aktive është edhe ministri i ri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, e cila atë e ngarkon me veprën penale “Vetëgjyqësi”.

Ai është liruar nga aktakuza më 2 mars 2020, mirëpo ky vendim sipas përgjigjes së zëdhënësit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Lekë Muçaj, të datës 21 maj 2020, akoma nuk e ka fituar formën e prerë.Krasniqi, në qeverinë e cila udhëhiqej nga Ramush Haradinaj, ishte në pozitën e zëvendësministrit të  Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR).

Ndryshe, kryeministri i zgjedhur tashmë nga LDK, Avdullah Hoti me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa kishin thënë se në qeverinë që synon ta drejtoi LDK-ja nuk do të ketë persona që kanë pasur dhe që kanë probleme me ligjin.

“Do t’i përmbahemi parimeve që i kemi deklaru se duhet të kemi figura të pastërta, të cilët nuk kanë pasur problem në të kaluarën, s’kanë problem edhe tani, të cilët do të jenë në qeveri edhe në pozita tjera qeveritare edhe të cilët do të jenë të përkushtuar që në mënyrën më të mirë t’i shërbejnë vendit”, kishte thënë Mustafa.

Ndryshe, më 4 tetor 2019 Meliza Haradinaj-Stublla ishte gjetur fajtore në lidhje me akuzuat lidhur me veprën penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

Ajo nga Gjykata Themelore në Prishtinë ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse ajo nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti dhe me 1000 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, me zyre nr “108 Woolmead Avenues në “Companies House”, edhe pse ka qenë e obliguar. /BetimipërDrejtësi

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco