Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Vendimi është juridik dhe jo politik

Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Vendimi është juridik dhe jo politik

16:38, 29/05/2020

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka komentuar vendimin e fundit të kësaj Gjykate, për dekretin e Presidenti të vendit, Hashim Thaçi, për mandatarin për formimin e Qeverisë së re.

I pyetur se a ishte i drejtë vendimi i mbrëmshëm i kësaj Gjykate, e ku e drejtë i është dhënë Presidentit për dekretin, Kryeziu ka pohuar se është vendim i drejtë dhe i cili duhet të zbatohet nga institucionet.

“Po ky vendim është i drejtë. Vendimi duhet të zbatohet nga institucionet. Çdo institucion është i obliguar që të respektojë vendimin e Gjykatës. Është obligim i tyre ligjor”, ka thënë ai.

Për sa i përket pretendimeve se Gjykata është dashur ta hedh poshtë dekretin e Presidentit, bazuar në atë se në vitin 2014, ka dalë një vendim për sa i përket çështjes së mandatarit, Kryeziu ka theksuar se asokohe rasti ishte më ndryshe.

“Ky është një vendim tjetër nga ai i 2014-ës pasi që edhe rasti është tjetër. Ky vendim nuk është politik por është vendim juridik”, ka thënë tutje për “Front Online”, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese.

Në ndërkohë, më 30 prill të këtij viti, LVV-ja kishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, me të cilin Avdullah Hoti, i`u propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në vlerësimin e kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese mbrëmë vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore.

Ndërsa lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa sot ka pohuar se seanca për formimin e qeverisë “Hoti”, pritet të mbahet të shtunën ose të hënën.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco