Arbër Zaimi, këshilltar i kryeministrit në detyrë Albin Kurti paralajmëron gjueti policore e gjyqësore ndaj përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas tij këto janë sfidat që kemi përpara në afat të shkurtër:
1. Kriza shëndetësore, rikthimi i infektimeve me një numër të shtuar dhe vjedhja në mjete spitalore e barna.
2. Kriza ekonomike, shfaqja e varfërisë ekstreme në shumë familje, përmbysja dhe korruptimi i financave publike.
3. Ndjekja e një modeli autoritar-diktatorial të qeverisjes dhe tendenca për ta ndalur me polici e gjykata të kapura Vetëvendosjen.
4. Copëtimi i Kosovës, e dhënia e një territori të madh në Serbi, paketuar me premtim për inicimin e fillimit të përgatitjeve për bashkim, që në fund rezulton thjesht dhënie territori, pa njohje, pa bashkim.
5. Rikthimi i personave të korruptuar e kriminalë në borde e pozita publike, me dëshirë tash për t’u hakmarrë ndaj cilitdo që ka ekspozuar korrupsionin e tyre.
6. Instalimi i frikës te çdo gjyqtar i secilit niveli, përballë “të paprekshmëve”, të cilët fitojnë imunitet përballë çdo krimi, duke dhuruar territor. Aty ku krimineli shpallet i pafajshëm, i dënuar është gjyqtari.
"Mirëpo ne jemi organizatë, dhe organizata themelin e ka te aktivizmi. Kundër nesh ka patur luftë speciale e jokonvencionale. Ne do të përgjigjemi me angazhim masiv qytetar e popullor", tha Arbër Zaimi.
© SYRI.net