Bahtiri nuk e komenton kallëzimin penal të Thaçit

Bahtiri nuk e komenton kallëzimin penal të Thaçit

17:24, 06/04/2020

Agim Bahtiri nuk ka dashur të komentojë deponimin e një kallëzimi penal kundër tij nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës nuk ka shprehur interesim të flas për veprimin e presidentit Thaçi, i cili sot deponoi kallëzim penal kundër Bahtirit lidhur me deklaratën e tij për “konflikt vëllavrasje”.

Në një bisedë telefonike me Insajderin, e cila zgjati shkurt, Bahtiri e ndërpreu telefonatën kur u pyet për kallëzimin penal ndaj tij, të deponuar në Prokurorinë e Shtetit nga presidenti Hashim Thaçi.

“Përshëndetje. Kalo mirë”, u shpreh Bahtiri, para se ta mbyllte linjën telefonike.

Saktësisht një javë më parë, Agim Bahtiri paralajmëroi “konflikt vëllavrasje” nëse pa Lëvizjen Vetëvendosje formohet një shumicë e re parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

“Qeveri të re nuk ka prej 6 tetorit deri në zgjedhje, mos hini në një konflikt vëllavrasje sepse ne nuk e kemi ndërmend me leshu me na vjedh dikush pushtetin”, u shpreh Bahtiri mëngjesin e së hënës, më 30 mars.

Kjo deklaratë e Bahtirit është cilësuar si “sulm kundër rendit kushtetues të Kosovës, dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës dhe nxitje e përçarjes dhe mos durimit” nga presidenti i Kosovës.

Sipas kallëzimit penal të deponuar në Prokurori nga presidenti Thaçi, Bahtiri me këto deklarime e ka frikësuar opinionin publik dhe ka bërë kërcënime direkte ndaj presidentit të vendit duke tentuar që të ndryshojë rendin kushtetutës së republikës së Kosovës.

Gjithashtu, sipas presidentit me këtë deklaratë janë ndier të kërcënuar edhe familja e tij dhe vetë ai.

“Marrë parasysh natyrën e veprës, duke u nisur nga fakti që unë dhe familja ime ndjehemi të kërcënuar nga deklarata e z. Bahtiri kërkoj nga institucionet që në pajtim me legjislacionin në fuqi të marrin veprimet përkatëse”, thuhet në kallëzim penal.

Këto vepra penale janë të përcaktuara edhe në Nenin 114 dhe Nenin 121 të Kodit Penal nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës.

 0 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco