Ja cilat vendime i morri qeveria në detyrë në mbledhjen e 17-të

Ja cilat vendime i morri qeveria në detyrë në mbledhjen e 17-të

09:59, 28/03/2020

 Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, është mbajtur mbledhja korresponduese, e shtatëmbëdhjeta me radhë, në të cilën janë shqyrtuar dhe miratuar vendime nga përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore te saj.

Qeveria në detyrë ka aprovuar vendimin për shkarkimin e Bordit Drejtues të Shërbimit Klinik Universitar të Kosovës për arsye se nuk i ka përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e rëndësishme të përcaktuara me Statutin e SHSKUK-së dhe ka dështuar në arritjen e objektivave. Me po të njëjtin vedim Qeveria ka emëruar Bordin e Ri në përbërje:

1.Dr. Agreta Gecaj - Gashi – Qendra Klinike Universitare e Kosovës;

2.Dr. Aida Rexhepi– Qendra Klinike Universitare Stomatologjike e Kosovës;

3.Dr. Xhevat Jakupi – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike;

4.Dr. Diana Dafota – Spitali i Përgjithshëm Gjakovë – Në bazë të rotacionit dhe përmbushjes së indikatorëve të kualitetit të shërbimeve shëndetësore;

5.Dr. Sadete Hadri – Shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor;

6.Dr. Mirsad Shkreta – Ministria e Shëndetësisë;

7.Një (1) ekspert i menaxhmentit shëndetësor, i zgjedhur në bazë të konkursit publik.

Kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK është emëruar Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, me mandat 1 vjeçar të cilin e pason me radhë në vitin e dytë përfaqësuesi i QKUK dhe në vitin e tretë përfaqësuesi i QKSUK.     

Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së Corona virusit COVID-19 ka miratuar vendimin për plotësim dhe ndryshim të vendimit të Qeverisë nr 01/15 i datës 23.03.2020 me masat si në vijim:

Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00 përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore).

Ndalohet qarkullimi i qytetarëve në zonat (sheshet) e hapura të qyteteve të Republikës së Kosovës, përveç banorëve të këtyre zonave dhe personave të autorizuar nga organet përkatëse.

Barnatoret e licencuara në Republikën e Kosovës ushtrojnë veprimtaritë e tyre prej orës 06:00-17:00. Pas orës 17:00 veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë. Barnatoret kujdestare do të përcaktohen nga Ministria e shëndetësisë/AKPPM  në koordinim me Odën e Farmacistëve të Kosovës (OFK) dhe komunat përkatëse/autoritetet komunale.

Shkelësit e këtyre masave të përcaktuara me këtë Vendim do të ndëshkohen sipas dispozitave ligjore në fuqi;

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Më të lexuarat
Denonco