Diskriminimi institucional ndaj grave në polici dhe gjykata

Diskriminimi institucional ndaj grave në polici dhe gjykata

Nga Luljeta Aliu - 21/02/2020

19 shkurt 2020, Parlamenti Evropian

Prezantimi Luljeta Aliu

DISKRIMINIMI INSTITUCIONAL NDAJ GRAVE NË POLICI DHE GJYKATA

Të nderuar zonja dhe zotërinj

Faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të raportuar dhe paraqitur këtu në Bruksel në Parlamentin Evropian, të vetmin institucion të zgjedhur në mënyrë demokratike në të gjithë botën.

Jam veçanërisht e lumtur që ky takim u mundësua nga bashkëpunimi i tre zonjave të nderuara. Lufta e vazhdueshme për të drejtat e barabarta për gratë në të gjitha nivelet e shoqërisë dhe të shtetit, vështirë se do të sjellë rezultate pa bashkëpunimin e grave, veçanërisht ato në pozita të rëndësishme. Prandaj, ju falënderoj përsëri për gatishmërinë dhe angazhimin tuaj në lidhje me këtë temë.

Sot jam këtu kryesisht si përfaqësuese e shoqërisë civile, si një grua, e cila përmes një organizate bën fushatë kundër diskriminimit ndaj grave. Që nga themelimi i organizatës dhe mbështjetjes financiare nga donatorët, angazhimi është bërë më i lehtë. Por ishte shumë ndryshe në fillim. E fillova këtë rrugë si mbijetuese të dhunës në familje. Kam duruar shtypjen dhe dhunën për 15 vjet, edhe pse isha duke shkruar temën time të doktoraturës në shkencat politike në Universitetin e Erlangen. Por arritëm në atë pikë sa kisha frikë për jetën time, raportova në polici. Ajo që ndodhi me policinë dhe gjykatën, si u trajtova atje, ishte arsyeja pse fillova luftën time kundër diskriminimit.

Si qytetare zvicerane, kisha të drejtën të bëja një divorc në Zvicër. Meqenëse unë dhe ish-bashkëshorti im kishin ndërtuar një kompani me vlerë milionëshe, një divorc në Zvicër do të kishte qenë materialisht i favorshëm për mua. Por vendosa të rrezikoj gjithçka, të humbas gjithçka madje, vetëm që të luftoj këtë betejë në Kosovë, me arsyen ta ndryshoj këtë situatë për të gjitha gratë e tjera. Sepse në Kosovë shkalla e dhunës në familje është rreth 40%.

Është më keq se dhuna në familje nëse gratë shkojnë në polici dhe raportimet e tyre hetohen. Ose kur policia ngacmon gratë seksualisht. Ose nëse policia in keqinformon me qëllim gratë. Ose nëse inspektorati policor nuk ndëshkon zyrtarët e policisë pavarësisht abuzimit të tyre me detyrën. Është më keq se dhuna në familje, nëse aktvendimet e gjykatës nuk bazohen në dispozitat ligjore, por në praktika gjyqësore që thirren në tradita. Ose nëse gjykatësi mendon se dhuna në familje është çështje private. Ose kur gratë humbasin pronën e tyre për shkak të joefikasitetit të sistemit juridik dhe askush nuk jep llogari për këtë. Të gjitha këto janë shembuj të dhunës institucionale.

Sipas Johan Galtung, dhuna institucionale ose dhuna strukturore është keqpërdorimi i qëllimshëm i pushtetit dhe strukturave për t'iu mohuar grupeve të caktuara të njerëzve realizimin e plotë të të drejtave të tyre. Në këtë kuptim, dhuna institucionale është diskriminim institucional ndaj grupeve të caktuara.

I jam përkushtuar kësaj teme për disa vjet, e bindur se të drejtat e grave, të drejtat e njeriut dhe të gjitha të drejtat e tjera mund të zbatohen, vetëm nëse vullneti i institucioneve vendimtare është organizuar asisoji që ato në të vërtetë duan t'i respkektojnë këto të drejta. Por ka qenë shumë e vështirë të dëshmojmë veten në këtë fushë, sepse policia dhe posaçërisht zyrtarët ligjorë janë kundërshtarë të fortë ndaj kritikës së jashtme. Ekziston një tolerancë e lartë për shkelje të ligjit ose shpërdorim detyre nga radhët e veta në këto profesione. Institucionet janë të parat që duhet të zhvillojnë një vullnet për të luftuar shkeljet ndër radhët e tyre pa kompromis. Ligjet mund të zbatohen vetëm nëse gjykatat marrin vendime të ligjshme, policia e merr seriozisht punën e tyre dhe persekuton shkelësin në vend që të ngacmojë seksualisht gratë për raportimin e dhunës në familje. Ligjet mund të zbatohen vetëm nëse mekanizmat përgjegjës të kontrollit brenda institucioneve monitorojnë zbatimin e ligjit dhe reagojnë në rast të shkeljeve të ligjit ose shpërdorimit të detyrës. Ligjet kanë kuptim vetëm nëse shqiptohen dënime për shkelje të ligjit.

Ne gratë kemi luftuar për të drejtat tona dhe të drejtat e grave të tjera për dekada dhe shekuj. Ne kemi ngritur kërkesa për të siguruar integritetin tonë fizik, të drejtat tona politike, të drejtat tona për punë dhe arsimim dhe të drejtën tonë për të mos u diskriminuar. Në letër i arritur mjaft. Sidoqoftë, ka ende shumë për të bëre përgjatë rrugës drejt barazisë. Sepse më e rëndësishme se të gjitha të drejtat, që duken të mrekullueshme, është zbatimi i këtyre të drejtave. Dhe zbatimi i të drejtave varet nga institucionet, d.m.th. shteti.

Institucionet edhe sot janë ende kryesisht të drejtuara nga burrat. Kjo është aq më shumë në Kosovë, ku vetëm 13% e grave punojnë dhe 10-15% gra janë të përfaqësuara në institucione, përveç në Parlament, ku ka një kuotë të grave prej 30%. Me qeverinë e re, Kosova ka arritur ngritjen e përfaqësimit të grave në ministri nga 5% në 30%. Shpresojmë, sigurisht, që qeveria do të punojë për përfaqësimin e grave 50%.

Por a mund të garantohet zbatimi i ligjit duke rritur përqindjen e grave në institucione? Jo domosdoshmërisht, do të thoja. Zbatimi i ligjit, vullneti për të respektuar të drejtat dhe një qasje jodiskriminuese mund të arrihet vetëm nëse në institucione punojnë zyrtarë që mund dhe dëshirojnë ta bëjnë këtë.

Tani kemi ardhur në pyetjen pse kjo është një vështirësi. Sipas hulumtimeve tona me INJECT, vështirësia e zbatimit të ligjit në Kosovë varet nga faktorë të ndryshëm. Kjo përfshin mungesë profesionalizmi brenda profesioneve juridike dhe zyrtarëve të gjykatës, korrupsion klasik në formën e mitove, nepotizmit dhe klientelizmit. Por shpesh bëhet fjalë vetëm për çështje të korrupsionit mendor të bazuar në mënyrën tradicionale të të menduarit. Në këtë drejtim mund të themi se njerëzit në Kosovë, dhe veçanërisht gratë, janë të diskriminuar jo vetëm në familjet e tyre, por edhe nga institucionet në zbatimin e të drejtave të tyre. Ky diskriminim institucional është specifik gjinor. Kjo do të thotë që në shumë raste të shkeljeve të të drejtave të grave, kemi të bëjmë me diskriminim të pastër të bazuar në gjini. Ta themi thjesht, shumë vendime gjyqësore merren në dëm të grave sepse edhe gjykatësit nuk besojnë në barazinë gjinore. Aq më pak kur bëhet fjalë për të drejtat pronësore.

Pronësia është e lidhur me sigurinë ekonomike. Pika më e fortë kundër pavarësisë së grave dhe kështu kundër lirisë së tyre është situata e tyre ekonomike. Kjo është arsyeja pse gratë në mbarë botën i fituan të drejtat e tyre të pronës shumë vonë. Kjo është arsyeja pse burrat në Kosovë dhe Ballkan ende kanë një dorë kaq të fortë mbi gratë, dorë që shpesh mund të godasë deri në vdekje. Për shkak se gratë e varfra nuk mund të dalin në rrugë me fëmijët e tyre. Kështu që ato qëndrojnë me burrin e tyre të dhunshëm dhe shpresojnë për mëshirë.

Në Kosovë ende mendohet se rritja e fëmijëve dhe mirëmbajtja e shtëpisë nuk ka vlerë kur bëhet fjalë për ndarjen e pasurisë martesore. Edhe më keq, madje gjykatat mendojnë se gratë nuk kanë të drejtë në atë që parasheh ligji. Sipas ligjit, gratë kanë të drejtë në gjysmën e pronës. Deri më tani, asnjë grua nuk ka arritur ta arrijë këtë në gjykatë, sepse ligji është interpretuar gjithmonë keq për shkak të mungesës së kompetencave interpretuese në radhët e gjyqtarëve dhe avokatëve. Përmes përfshirjes sonë me INJECT, ne kemi arritur të shtyjmë një ndryshim ligji që tani e tutje garanton që gratë të marrin gjysmën e pasurisë në rast të divorcit. Sidoqoftë, mbetet për tu parë nëse kjo do të respektohet në gjykata.

Sidoqoftë, bazuar në dispozitat ligjore ekzistuese dhe të qarta ligjore dhe mosrespektimin e tyre të mëparshëm, ne nuk mund të kemi shpresa të mëdha. Përveç nëse ju, zonja dhe zotërinj të Parlamentit Evropian, na përkrahni në këtë drejtim. Me ndihmën e juaj, ne do të jemi në gjendje t'i gëzojmë të drejtat tona. Fatkeqësisht, në Ballkanin Perëndimor, jeta e një gruaje është ende shumë e pavlerë për t'u mbrojtur nga qarqet më të larta qeveritare.

Me ndihmën e juaj, ne do të jemi në gjendje të gëzojmë të drejtën e barazisë para ligjit. Me ndihmën e juaj, ne do të jemi në gjendje të realizojmë të drejtën e pronës. Me ndihmën e juaj, ne do të jemi në gjendje të marrim të drejtën e mbajtjes finanaciare për nënat dhe fëmijët. Me ndihmën e juaj, ne do të sigurojmë sundimin e ligjit në Kosovë.

Sidoqoftë, për sundim të ligjit kërkohet një angazhim i targetuar për një proces të vettingut për gjykatat. Sundimi i ligjit kërkon shkarkime nga puna në radhët e gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëfve të policisë. Nuk mjafton të pezullohen.

Deri më tani, gjykatat në Kosovë kanë diskriminuar fuqimisht ndaj grave. Megjithëse ligji parashikon të drejtën për gjysmën e pasurisë martesore në rast divorci, grave u është dhënë një shumë mujore e barabartë me pagën minimale 135 euro, pavarësisht nga shuma e pasurisë martesore. 135 euro në muaj bën 1610 euro në vit. Për dhjetë vjet martesë gratë kanë marrë rreth 16,000 euro, nëse shkon mirë dhe ish-partneri nuk e ka korruptuar gjykatën. Në shumë raste, gratë dalin me duar bosh për shkak të mashtrimit financiar.

Në rastin e pagesave të mirëmbajtjes, ne kemi zbuluar përmes hulumtimeve se sa masive janë shkeljet e së drejtës për mirëmbajtje financiare si për nënën ashtu edhe për fëmijën.

78% të grave nuk i është ndarë mirëmbajtje financiare, megjithëse ato kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Alimentacion për fëmijët morën 70% të grave përmes gjykatës. Vetëm 25% e tyre e realizojnë këtë të drejtë. Kjo do të thotë që përkundër vendimit të gjykatës, burrat nuk e kanë bërë pagesën e alimentacionit.

Deri më tani, shuma e mirëmbajtjes financiare gjithashtu është llogaritur gabimisht. Unë kam punuar shumë shumë kohëve të fundit kundër një interpretimi të jashtëligjshëm të së drejtës për mirëmbajtje financiare. Dispozita të ndryshme të ligjit të familjes përcaktojnë se shuma e mirëmbajtjes financiare për nënat dhe fëmijët duhet të përcaktohet sipas standardit të jetesës gjatë martesës. Nuk e kanë të gjitha familjet ka të njëjtin standard jetese dhe për këtë arsye nuk duhet të jenë të njëjta shumat e mirëmbajtjes financiare.

Sidoqoftë, në Kosovë vëllimi i mirëmbajtjes nuk po përcaktohet sipas standardit të jetesës në martesë, por sipas standardit mesatar të jetesës në Kosovë. Kjo është kundër ligjit dhe dëmton nënat dhe fëmijët në të drejtat dhe jetën e tyre.

Një shkelje tjetër e ligjit është kryer në përcaktimin e periudhës kohore që përdoret si referencë për të përcaktuar të ardhurat palëve ndërgjyqëse. Nëse ligji kërkon që lartësia e mirëmbajtjes financiare duhet të bëhet sipas standardit të jetesës së asaj familjeje gjatë martesës, atëherë data e fundit të martesës duhet të jetë dita në të cilën filluan proceset gjyqësore. Në Kosovë, merret për baze viti i fundit ose 6 muajt e fundit para vendimit përfundimtar gjyqësor . Si rezultat, gjatë vonesave të jashtëzakonshme në procedurat gjyqësore, individë të papërgjegjshëm shesin pasurinë e tyre martesore, fshehin pagat e tyre dhe bëjmë mashtrime të tjera për të ikur nga përgjegjësia e tyre ligjore ndaj nënave dhe fëmijëve. Këta persona shpëtojnë pa ndëshkim, sepse prokuroria nuk i sheh si urgjente të hetohen mashtrimi ekonomik në martesë dhe deklaratat e rreme në gjykatë gjatë procedurave të divorcit. E gjithë kjo mundësohet nga heshtja e gjykatave dhe rezistenca për të reformuar praktikën e gabuar gjyqësore.

Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për ndihmën tuaj, zonja dhe zotërinj. Sepse ju gjindeni këtu, ku vendoset për kriteret e pranimit. Deri më tani, kritereve politike i është dhënë përparësi. Tani ju bëj thirrje që të bëni mbrojtjen e jetës dhe pronës së grave dhe mbrojtjen e shtetit ligjor një kriter për bisedime. Duke vepruar kështu, ju do të na ndihmoni shumë më tepër të zhvillohemi, sepse pa zhvillimin dhe avancimin e grave, nuk mund të ketë zhvillim shoqëror.

Duke pasur parasysh këtë, do të dëshiroja që kërkesat në vijim të jenë kushte për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat synojnë anëtarësimin në BE:

- Të harmonizohen ligjet për mbrojtjen e të drejtave të grave.

- Praktika gjyqësore duhet të bazohet në ligjet në fuqi dhe të respektojë fjalën e ligjit deri në fund. Kjo kërkon reformim dhe standardizim të praktikës gjyqësore.

- Duhet ofruar trajnime për të thelluar profesionalizimin e zyrtarëve juridikë në fushat e pasurisë martesore dhe mirëmbajtjes financiare, në përputhje me ndryshimin e ligjit të Familjes të vitit 2019.

- Dhuna ekonomike në martesë dhe mashtrimi financiar në lidhje me martesën duhet të adresohen në mënyrë specifike dhe urgjente. Për këtë qëllim, trajnime specifike duhet të ofrohen për gjyqësore dhe prokurorë.

- Mekanizmat e mbikëqyrjes së gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë duhet të marrin seriozisht ankesat e grave për shkeljet e të drejtave të tyre nga këto institucione. Zbulimi dhe ndëshkimi i zyrtarëve që kanë diskriminuar gratë në të drejtat e tyre duhet të jetë prioritet.

- Gjyqësori dhe policia kosovare duhet të shkarkojnë zyrtarët e tyre që kanë diskrimininuar ndaj grave. Një pezullim i thjeshtë nuk është i mjaftueshëm.

- Profesionalizoni zyrtarët policore për t'u marrë me dhunën në familje nga perspektiva e përqendruar tek viktimat.
- Policia duhet të sigurojë që të gjitha rastet e raportuara të dhunës në familje të lajmërohen si vepra penale, pavarësisht nëse këtë e kërkon apo jo viktima.
Të nderuar zonja dhe zotërinj, me këto unë edhe dua ta mbyllë këtë prezantim. Mund të vazhdoja me detaje për një kohë të gjatë. Por e gjithë kjo nuk ka dobi nëse thjesht vazhdojmë të flasim. Ne duhet të punojmë konkretisht për të bërë ndryshime. Kjo është arsyeja pse kemi më pak kohë për të folur. Ne duhet të veprojmë së bashku për të mbrojtur të drejtat e njeriut në Evropë. Sepse të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Ne kemi një përgjegjësi për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Ju faleminderit shumë për vëmendjen!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco