Pse nisma ‘Po të dëgjoj’ është gjetje brilante në kohën e duhur

Pse nisma ‘Po të dëgjoj’ është gjetje brilante në kohën e duhur

Nga Enton Palushi - 21/02/2020

E kam thënë edhe njëherë se kishte shumë gjëra që na befasonin te shprehjet që përdoreshin në komunikimin e të huajve në fillimet e postkomunizmit. Mes atyre shprehjeve që nuk dukej sikur bënte sens në mënyrën se si përdorej ishte edhe ajo kur dikush thoshte ‘jam një dëgjues i mirë’ (I am a good listener). Të ishe një dëgjues i mirë nuk na dukej se ishte ndonjë aftësi e madhe, mjafton të mos kishe pengesa fizike. Me kalimin e viteve u bë e qartë se problemi ishte shumë më i thellë. Gjithmonë e më shumë, një nga aftësitë më të kërcënuara të njeriut është ajo për të dëgjuar.

Sot thuhet se njerëzit përthithin vetëm 23% të asaj që dëgjojnë dhe ky trend është në rënie të frikshme. E gjitha kjo hapësirë është mbushur me zhurma, ndotje akustike dhe me shpërqëndrim. Sot ndotja nga zhurmat është rrezik i madh për shëndetin po kaq sa ndotja e ajrit. Ajo shkakton thuajse të gjithë spektrin e sëmundjeve të rrezikshme të njeriut, duke nisur që nga ankthi e deri te diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Sot njerëzit e kanë humbur durimin dhe aftësia për t’u përqendruar është katandisur në nivele të pabesueshme. Dikush mund të thotë se përse qenka kaq shqetësuese fakti që njerëzit nuk dëgjojnë? E thjeshtë, sepse aftësia për të dëgjuar është baza për të kuptuar. Falë dëgjimit e kemi thuajse çdo arritje të rëndësishme si qenie njerëzore, që nga demokracia, liria, sipërmarrja e lirë, dhembshuria dhe inovacioni. E megjithatë të dëgjuarit mbetet një nga aftësitë më të nënvlerësuara.

* Filozofi grek Epikteti thoshte se ‘ne kemi dy veshë dhe një gojë, ndaj duhet të dëgjojmë dy herë më shumë se sa flasim’. Prandaj ishte një befasi fushata e re e kreut të opozitës shqiptare, Lulzim Basha, e quajtur ‘Po të dëgjoj’. Një gjetje brilante në kohën e duhur.

E para, sepse aftësia për të dëgjuar po kërcënohet. Njerëzit janë kaq të eksituar nga aftësia për të folur sa kanë humbur aftësinë për të dëgjuar. Prindërit nuk dëgjojnë vetë, por u bërtasin fëmijëve se ata nuk dëgjojnë. Një pjesë të madhe të fajit në këtë histori e ka media. Ajo e ka shndërruar ambientin publik në një flluskë të madhe plot me zhurma brenda. Programet televizive janë kaq të zhurmshme sa në fund ajo që ngelet në mendjen e njerëzve janë vetëm grimcat, fyerjet, batutat, ulërimat. Edhe kur e dëgjojnë tjetrin, e bëjnë me mendjen për t’u përgjigjur, jo për ta kuptuar. Media sociale po e shkatërron më tej këtë aftësi. Njerëzit duan të shohin vetëm foto, mezi shkojnë përtej leximit të një statusi të shkurtër.

E dyta, sepse kjo është një tjetër fushatë e kreut të opozitës, pas protestave dhe djegies së mandateve. Protestat ishin një mënyrë për t’u dëgjuar te të tjerët dhe sot problemi i zgjedhjeve të lira ka arritur të tërheqë vëmendje. Ata që flasin për marrëveshje të re duhet ta dinë se këto janë kontrata me parlamentin më të fuqishëm në Europë, Bundestagun gjerman, për të shpëtuar zgjedhjet e lira dhe shtetin ligjor në vend. Si zakonisht, kur opozita bën gjënë e duhur, i kërkohet të bëjë një gjë tjetër në vend të saj.

Por nuk është kjo gjëja më e keqe. Më e rënda është kur thonë se nisma e re e Bashës qenka njësoj si ato që bën Rama, me fjalë të tjera, janë të dy sërish njësoj. Çfarë?! Edi Rama dhe Lulzim Basha janë krejt të ndryshëm në këtë aspekt. Edi Rama iu drejtohet vetëm syve, kurse Basha po iu drejtohet veshëve. Që kur e ka nisur karrierën e tij politike, Rama vetëm ofron zhurmë, shfaqje dhe argëtim për sytë.

Sigurisht ka politikanë që i drejtohen vetëm syve, por ata e bëjnë edhe ndonjë gjë tjetër. Kurse Edi Rama ofron vetëm ushqim për sytë. A nuk e keni parë në emisionet televizive, vetëm bërtet dhe ngërdheshet, në pritje që njerëzit të merren vetëm me veshjen, batutat, mënyrën se si qëndron, si ulërin dhe si i tall të tjerët. Kurse Lulzim Basha po i drejtohet veshëve, që janë jo vetëm më pranë të kuptuarit, por edhe më pranë zemrës. * Kur bie fjala te të dëgjuarit, zor se ka një ekspert më të mirë se Julian Treasure. “Të dëgjuarit është një aspekt themelor i demokracisë. Të dëgjuarit krijon kuptim, dhe të kuptuarit na mundëson një nga arritjet më të mëdha në çdo demokraci, që është mosmarrëveshja e civilizuar”.

“E them gjithmonë, në botën tonë ku shumë njerëz nuk dëgjojnë, mendoj se do ishte më mirë sikur politikanët në vend që të flasin, të dëgjojnë”, thotë ai.

“Mësuesit, biznesmenët dhe liderët më të mirë janë dëgjues të mëdhenj”, shton më tej Treasure.

Në një fjalim që mbajti në TED të Athinës, ai e nisi duke u kërkuar njerëzve që të dëgjojnë për pak sekonda. “Ky është tingulli i mrekullueshëm i njerëzve që dëgjojnë me vetëdije. Ky është tingulli i demokracisë... sepse të dëgjuarit e vetëdijshëm është ajo që na lejon të jetojmë në një demokraci”.

* Thuhet se në vendet autokratike, shoqëria reflekton edhe sjelljen e liderit. Shqipëria është në depresion, e mbytur në zhurmë dhe kaos. Ajo reflekton çmendurinë e mënyrës se si po drejtohet. Problemet mendore, duke nisur që nga ankthi e deri te depresioni klinik, kanë prekur mbi 70% të popullsisë, thuhej në një studim.

Kjo krizë kërkon një zgjidhje. Mos të harrojmë se kolltuku i psikologut të Frojdit nuk ishte tjetër veçse aftësi për të dëgjuar. Përveç kësaj, sipas ekspertit Paul Sacco, dëgjuesit e mirë kanë disa zakone fantastike. Ata janë të pranishëm, janë empatikë, i kuptojnë mangësitë e tyre, janë mendjehapur dhe mbi të gjitha janë liderë të mirë. Të gjitha këto janë të nevojshme në këtë moment kritik për vendin, ku nevoja për ndryshim lexohet hapur. Vetëm kur ta lëmë pas zhurmën dhe spektaklin pa fryte të një deliranti narcist, do e kuptojmë se në çfarë moçali jemi zhytur. /SYRI.net

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco