Shkarkimet OK, të shohim kush po emërohet

Shkarkimet OK, të shohim kush po emërohet

Nga Syri.net Kosova - 20/02/2020

Një valë e pritur shkarkimesh ka filluar në sektorin publik, të degraduar prej vitesh. Shumica e kompanive publike, afarojnë me humbje. Raportet e auditorit tregojnë një mal me shkelje në secilën prej tyre. Përgjegjësia e bordeve të drejtorëve, nuk është adresuar asnjëherë në mënyrë serioze nga qeveritë e kaluara.

Si aksionare e vetme, qeveria Kurti, ka mandat dhe obligim që të veprojë, për të kthyer normalitetin dhe menaxhimin efikas në dhjetëra kompani, pasuri publike.

Hapi i parë, i natyrshëm, është shkarkimi i bordeve, të cilat historikisht, janë bazuar në afërsitë politike, nepotike dhe asnjëherë mbi kriteret profesionale dhe meritokracinë. Nëse nuk ke patur lidhje të ngushta me partitë në pushtet, nuk ke mundur të jesh kurrë pjesë e ndonjë bordi apo menaxhmenteve të kompanive.

Dëgjueshmëria, servilizmi dhe korruptimi, kanë qenë cilësi të detyrueshme për krerët e bordeve të ndërmarrjeve.

Furtuna e shkarkimeve pritet të mos kursejë asnjë kompani publike. Abuzime të shumta janë bërë dhe po bëhen, ndërsa përgjegjësia nuk është adresuar. Miliona e miliona euro janë keqpërdorur, ndërsa shërbimet publike për të cilat paguajnë qytetarët e Kosovës, kanë rënë ndjeshëm.

Shfuqizimi i vendimeve të paligjshme dhe shkarkimet, duket se do të shtrihen në të gjitha sferat e sektorit të gjerë publik. Anulimi i konkursit të noterëve, është masë e domosdoshme për drejtësinë. Lajmi nga Ministria e Punëve të Jashtme, që drejtohet nga Glauk Konjufca, për shkarkimin e së paku 14 konsujve është sinjal serioz për rishikimin e diplomacisë së degraduar.

Në ambasadat e Republikës sonë, janë akomoduar soj e sorollop, gjithfarë njerëzish, që vetëm nder nuk i bëjnë shtetit. Mjafton t’ua shikosh mbiemrin dhe e kupton se kënd e kanë të afërt, kush i ka dërguar për ta përfaqësuar Kosovën. Plot kuadro meritorë, janë shkelur, bllokuar dhe nuk kanë arritur të emërohen aty ku do duhej ta kishin vendin.

Konkursi publik, ka qenë një proces formal, i kurdisur gjithnjë, ku është varrosur meritokracia e ka triumfuar analfabetizmi funksional.

Lëvizjet e qeverisë, janë ogur i mirë. Fillimi i mbarë është gjysma e punës, por e kryer mund të cilësohet pasi të shohim se kush do të emërohet në bordet dhe menaxhmentet e kompanive publike, në ambasada dhe në secilën zyrë të shtetit, ku kërkohet kapacitet profesional, arsim përkatës, kompetencë dhe përvojë, integritet dhe përkushtim, ndershmëri dhe guxim.

Nëse kriteri kryesor do të jetë aftësia e kandidatëve për një pozicion të caktuar, pavarësisht kënd e kanë kushëri, çfarë lidhjesh politike mund të kenë pasur etj, atëherë sektorin publik e pret një këndellje.

Por, duhet theksuar edhe një gjë e rëndësishme. Vetëm shkarkimi nuk mjafton. Të gjithë zyrtarët publikë përgjegjës për shpërdorime, abuzime, keqpërdorim të detyrës zyrtare duhet të ballafaqohen me ligjin.

Vetëm kështu, do të krijohet një mentalitet i ri, ku pozita nuk do të trajtohet si një dhuratë e partisë, me të cilën bën çka të duash, por si obligim serioz për secilin.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco