Kriptoafera

Kriptoafera

Nga Enver Robelli - 20/02/2020

Shërbimet sekrete amerikane dhe gjermane përgjuan me dekada mbi 100 shtete - me aparate të një firme zvicerane

Në faqen e internetit të Komunës zvicerane Steinhausen dominojnë fjalët e bukura. "Steinhausen është një komunë atraktive, me pozicion gjeografik qendror në kantonin e Zugut. Kjo komunë ofron shumëçka për familjet dhe ndërmarrjet". Kantoni i Zugut vërtet ofron shumëçka. Njihet si kanton ku mijëra firma kanë adresat e tyre, ndërsa aktivitetin e zhvillojnë larg Zvicrës. Njëra nga këto firma është "Terraoil Swiss", e cila mban koncesionin e tri fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë.

Por këto ditë një firmë tjetër ka ngjallur interesimin e opinionit botëror. Bëhet fjalë për “Crypto AG”, e cila ka prodhuar aparate për kodim të mesazheve. Këto aparate i kanë blerë rreth 130 shtete. Qeveritë e këtyre shteteve kanë besuar në teknologjinë zvicerane, në diskrecionin zviceran, në përsosmërinë e lartë të Konfederatës Helvetike. Çfarë nuk e dinin shtetet kliente ishte kjo: “Crypto AG” më 1970 ishte blerë nga shërbimi sekret amerikan CIA dhe ai gjerman BND. Aparatet manipuloheshin dhe komunikimin e tyre pastaj mund ta përgjonin agjentët amerikanë dhe gjermanë.

Gjatë diktaturës ushtarake në Argjentinë opozitarët e arrestuar futeshin në avionë ushtarakë dhe hidheshin në det. Kështu ata zhdukeshin pa gjurmë. Familjet nuk dinin asgjë për fatin e tyre. Argjentina posedonte aparate të firmës zvicerane “Crypto AG” dhe gjermanët dhe amerikanët e dinin se çfarë po ndodhte me opozitarët, por heshtnin.

Në luftën e Falklandit mes Argjentinës dhe Britanisë së Madhe të dhënat sekrete argjentinase i kishin në dispozicion edhe CIA dhe BND-ja. Këto të dhëna shërbimi amerikan dhe ai gjerman ua dhanë partnerëve britanikë. Edhe falë këtyre informacioneve sekrete britanikët e fituan luftën.

Në vitin 1978 kryetari amerikan, Jimmy Carter, i ftoi në rezidencën e tij verore në Camp David kryetarin e Egjiptit, Anvar al-Sadat, dhe kryeministrin izraelit, Menahem Begin, për të negociuar një marrëveshje për paqe. Falë aparateve të “Crypto AG”, të cilat i përdorte Egjipti, Jimmy Carter ishte saktësisht i informuar se çfarë fliste Anvar al-Sadat me qeverinë e tij në Kajro.

Në fillim të shkurtit të vitit 1979 në Teheran aterroi Ajatollah Homeini. Ai u bë prijës i revolucionit islamik iranian. Amerika u shpall armike, 52 diplomatë amerikanë u morën peng në Ambasadën e Washingtonit në Teheran. Sipas gazetës «Washington Post», Qeveria amerikane - falë aparateve të “Crypto AG” - ishte në gjendje të lexojë 85 për qind të reagimeve të Homeinit.

Gjatë luftës mes Iranit dhe Irakut (1980-1988) të dy këto shtete përdornin aparate të “Crypto AG” për komunikim sekret. Gjermanët dhe amerikanët arritën të dekodojnë 80 deri 90 për qind të mesazheve iraniane - gjithsej 19 mijë mesazhe.

Më 6 gusht 1991 në Paris u vra ish-kryeministri i Iranit Shapur Bahtiar. Njëri nga vrasësit u arrestua në Gjenevë dhe u ekstradua në Francë, po ashtu u arrestua edhe një punëtor i Ambasadës së Iranit në Bernë. SHBA-ja i dorëzoi dëshmi Francës për rolin e iranianit në vrasje. Komunikimi ishte zhvilluar nga një banesë në Stamboll përmes një agjenteje sekrete në Paris - natyrisht me aparate të “Crypto AG”.

Dyshime se firma “Crypto AG” është në pronësi të shërbimeve perëndimore ka pasur herë pas here, por hetimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat. Megjithatë, pas arrestimit të një punëtori të “Crypto AG” në Iran, shërbimi sekret gjerman BND më 1993 u tërhoq nga firma, e cila mbeti nën kontrollin e CIA-s. Tek në vitin 2018 firma “Crypto AG” u asgjësua, ndërsa firmat pasardhëse thonë se nuk kanë ditur asgjë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën.

Në Zvicër zbulimi i skandalit me aparatet e manipuluara të “Crypto AG” ka shkaktuar një tërmet mesatar politik. Qeveria ka emëruar një ish-gjykatës për të sqaruar aferën. Politikanë të majtë dhe liberalë po kërkojnë themelimin e një Komisioni hetimor parlamentar. Dokumentet e publikuara nga mediat gjermane, amerikane dhe zvicerane lënë për të kuptuar se në Bernë ka pasur zyrtarë që e kanë ditur se çfarë po ndodhte me aparatet e firmës në Steinhausen. Por të gjithë kanë heshtur.

Sipas televizionit zviceran, në dijeni ka qenë edhe ministri Kaspar Villiger nga partia liberale FDP. Villiger vjen nga një familje pasanikësh, pronarë të një fabrike për prodhimin e cigareve. Ai ka qenë ministër mes viteve 1989-2003. Në gjashtë vjetët e parë ishte ministër i Mbrojtjes, pastaj ministër i Financave.

Televizioni zviceran pretendon se Villiger në funksionin e ministrit të Mbrojtjes ka heshtur, ndonëse e ka ditur se “Crypto AG” është ndërmarrje e CIA-s dhe BND-së. Villiger i ka demantuar akuzat, duke thënë se kurrë nuk do të bënte shërbime argati për shtete të tjera për të dëmtuar imazhin e mirë të Zvicrës si vend neutral. Megjithatë, ai ka nënvizuar se me gjasë nuk ka qenë i njoftuar sa duhet. Me këtë ai lë të kuptohet se instanca më të ulëta nuk e kanë njoftuar mbi aktivitetet e shërbimit amerikan dhe atij gjerman në “Crypto AG”.

Në dokumentet e CIA-s dhe BND-së, sipas gazetës zvicerane "Tages Anzeiger", përmendet edhe Georg Stucky, ish-deputet i partisë liberale zvicerane FDP dhe mbi 20 vjet anëtar i Bordit të “Crypto AG”.

Thuhet se edhe Stucky ka qenë i njoftuar mbi operacionin "Rubikon", siç është quajtur përgjimi i shteteve të tjera me aparate të manipuluara zvicerane. Stucky është 89-vjeçar dhe familjarët e tij kanë deklaruar se ai nuk është në gjendje të mirë shëndetësore, andaj nuk mund të flasë për ngjarjet e dikurshme. Edhe kështu mund të harrohet e kaluara.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco