Qosja ka harruar plotësisht të trajtoj aspektin kohor kur flet për ndryshimin e kufijve!

Qosja ka harruar plotësisht të trajtoj aspektin kohor kur flet për ndryshimin e kufijve!

Nga Kamer Elezaj - 19/02/2020

Akademikët japin mendime rreth çështjeve të ndryshme nisur nga gjendja reale por, jo shumë rrallë, akademikët nisen nga gjendja virtuale, nga gjendja jo e vërtetë, një gjendje e paramenduar në mendjen e tyre.

Të thuash se unë jam për marrjen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës dhe ndërrimin e këtyre trevave me Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës Veriore është realisht e drejtë dhe përputhet me vullnetin e atyre njerëzve që banojnë në këto treve në ditën e sotme.

Kushdo që e thotë këtë në aspektin akademikë nuk ka bërë ndonjë mëkat, përkundrazi ka bërë një konstatim real dhe, në një botë virtuale, kjo edhe do të ishte e drejtë, por vetëm në botën e “qiellit”, jo në botën reale këtu në Tokë.

Kur kjo çështje shtrohet në rrafshin real atëherë ndryshon puna. Diçka që është e drejtë në rrafshin akademik virtual mund të jetë e padrejtë në rrafshin e jetës reale, kur të shohësh rezultatet e mundshme që rrjedhin nga ky projekt, si dhe sa është e realizueshme kjo në këtë kohë.

Po e zëmë se pala kosovare pranon një gjë të tillë, ndërrimin e territoreve. Si është qëndrimi i palës serbe?

Këtu qëndron problemi, problemi qëndron se Serbia nuk e pranon një gjë të tillë. Serbia është shumë e interesuar të na fus në këtë rrugë sepse përmes kësaj siguron që çështja e shtetësisë së Kosovës të shtyhet edhe për 20 vjet të tjera, dhe njëkohësisht mund të fitoj një pjesë të territorit të Kosovës, pa humbur gjë nga territori ekzistues.

Në pyetje që i bëhen presidentit Vuçiq për ndërrimin e territorit të Luginës së Preshevës ai përgjigjet se kontesti është rreth Kosovës dhe se askush nuk po e konteston territorin e Serbisë “së ngushtë”. Rrjedhimisht përfundimi është se askush nga Serbia nuk është duke të ofruar ndërrim territori.

E vetmja ofertë që Vuçiqi po të ofron sot është:
Sa territor je i gatshëm të japësh për të pasur marrëdhënie pak më normale me Serbinë dhe me këtë rast nuk ke asnjë siguri për futjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Nuk ke siguri as edhe se do e marrësh liberalizimin e vizave si kundërvlerë ndaj dhurimit të një territori të Kosovës shtetit të Serbisë.

Është e vërtetë se Leposaviqi banohet nga serbët por prapa Leposaviqit shtrihet territori i Sanxhakut i banuar me shqiptarë, natyrisht të asimiluar në mysliman, por që kanë afërsi me Kosovën dhe shqiptarët. Sanxhaku deri në vitin 1912 është konsideruar truall shqiptar. Qenia e territorit të Zubin Potokut dhe Leposaviqit brenda Kosove ne na mban lidhjen me Sanxhakun dhe mundësinë që ne kemi për të ndikuar për mirë te popullsia e Sanxhakut. Ky është një interes jetik për ne sepse Sanxhaku ka një popullsi të konsiderueshme që është e prirur të bashkëpunojë me Kosovën. Për Isa Boletinin kryeqendër ka qenë Pazari i Ri (Jeni Pazar), jo Mitrovica. Kur bënte kryengritje nuk thuhej se e mori Mitrovicën por e mori Pazarin e Ri. Kosova duhet të ketë ambicie të ndikoj në Pazarin e Ri, jo të mendoj se çfarë bisedimesh duhet të bëjmë për Leposaviqin. Të drejtat që Serbia kërkon për serbët në Kosovë ne duhet të kërkojmë për shqiptarët në Luginë po edhe për ata në Sanxhak. Kur çështja e shqiptarëve të Luginës dhe e atyre të Sanxhakut të jetë forcuar atëherë ne mund të flasim me Serbinë për ndryshime territoresh, por jo sot.

Të shkruaje në vitet 70-ta apo edhe 80-ta të shekullit të kaluar se unë jam për ndryshimin e territorit të Kosovës Veriore me territorin e Kosovës Lindore (Luginën e Preshevës) ishte një qasje interesante për shqiptarët dhe mund të konsiderohej si punim shkencor.

Të shkruash sot se je për ndryshimin e territorit praktikisht je duke u ndihmuar mbështetësve të ndarjes së Kosovës dhe rrjedhimisht atyre forcave që janë duke luftuar për zhbërjen e Kosovës.

Ti mund të thirresh se je shkencëtar dhe je duke dhënë një mendim shkencor, që është i drejtë, por në praktik je duke i shërbyer forcave që janë duke e dëmtuar çështjen e Kosovës.

Mund të jesh historian i madh i letërsisë, mund të jesh edhe kryeministër i madh i shqiptarëve, mund edhe të jesh hero i luftës së UÇK-së si dhe president i vendit më të ri të Europës, dhe në të njëjtën kohë që je duke dhënë një mendim të drejtë, prapëseprapë je duke e rrezikuar qenien e shtetit më të ri të Europës, me këtë je duke ndihmuar armiqtë e Kosovës, forcat më të errëta politike që sot sundojnë Serbinë.

Nga një punë e ligë që je duke bërë kundër popullit tënd, nuk mund të shfajëson as qenia historian i letërsisë, as qenia njeri i ndikuar nga alkooli apo kushedi çka tjetër, as qenia njeri me të meta mendore, ndoshta kjo arsyeja e fundit edhe mund të jetë arsye juridike për të përjashtuar ndokënd nga përgjegjësia ligjore.
Të nisemi nga historia jonë. Ne si shqiptarë nuk kemi mundur të vëmë asnjë nga kufijtë e tanë gjatë 200 vjetëve të fundit, prej që janë formuar Serbia dhe Greqia, dhe pyetja është nëse ndonjëherë gjatë historisë kemi arritur të vëmë ndonjë kufi shteti në Ballkan.
Të vetmen gjë që ne kemi arritur ka qenë të mbrojmë kufijtë e Republikës së Shqipërisë, kufij të cilët i kanë vendosur fuqitë e mëdha të kohës në Londër në vitin 1913. Shqiptarët e vjetër të Stokholmit asaj pjese të Shqipërisë i thoshin Shqipëria Londineze, aq shumë ndikim ka pasur kjo konferencë në historinë tonë.
Kjo është e arritura e jonë historike, mbrojtja a atyre kufijve që na janë caktuar me 1913.
Kufijtë e sotëm të Kosovës, janë caktuar kryesisht nga një komision ndër-jugosllavë i udhëhequr nga një malazias me emrin Millovan Gjillas. Këta janë kufijtë e Kosovës që sot janë të njohur ndërkombëtarisht nga bota perëndimore.

Historia jonë e derisotme na mëson se ne mund ti mbrojmë këta kufij, dimë si bëhet mbrojtja e një kufiri që na e cakton dikush. Republika e Shqipërisë ka mbrojtur kufijtë e saj disa herë, në luftëra të ndryshme me Italinë, Jugosllavinë dhe Greqinë.

Në Ballkan, ne si shqiptarë, nuk kemi vendosur kufij ndonjëherë andaj nuk është e mirë të futemi në një fushë që nuk e zotërojmë, mos hyni asaj rruge, kjo është një shkencë që ne nuk e njohim.

Nuk është se nuk kemi njerzë të ditur dhe akademikë të mëdhenj, që do dinin të vënë kufij, por çështja është se kufijtë, në të shumtën e rasteve, i vendos forca ushtarake, dhe ne nuk e kemi forcën ushtarake të nevojshme për të vënë kufij të ri.

Nëse dëshironi të vendosni kufij për shqiptarët logjika thotë se ne së pari duhet ta forcojmë ushtrinë. Kur ke ushtri të fortë, atëherë mund të futesh në bisedime të tilla. Kjo besoj se duhej të ishte e qartë për një njeri të rëndomtë me njohuri mesatare nga historia jonë.

Kufijtë tanë të sotëm mbrohen nga KFOR-i në bazë të rezolutës 1244. Për aq kohës sa ekziston kjo gjendje ne kemi shpresë se KFOR-i do ruaj këta kufij, në realitet kjo mund të llogaritet edhe 5 deri 10 vjet. Pas 10 vjetëve gjërat do kenë ndryshuar dhe ne duhet të kemi arritur të forcojmë ushtrinë tonë për të pasur mundësi për ta mbrojtur vendin me ushtarët tanë. Pas 10 vjetëve duhet të mendojmë se ndoshta më nuk do kemi mbrojtjen e KFOR-it. Ushtria jonë duhet të forcohet brenda 5 deri 10 vjetëve nëse dëshirojmë të mbajmë këtë shtet që kemi, po nuk e forcuam ushtrinë tonë ekzistenca jonë si shtet është në duart e konjukturave ndërkombëtare, jo plotësisht në dorën tonë.

Të futesh në bisedime për ndryshime kufijsh kur raporti i forcave nuk është në të mirën tënde, përkundrazi është në disfavorin tënd, është një gabim i madh, dhe rezultati mund të jetë vetëm i dëmshëm për Kosovën, pyetja e vetme që mbetët është: sa do të jetë niveli i dëmit?

Ka vetëm një shtet në Ballkan që sot edhe shpreh dëshirë edhe posedon forcë ushtarake për të ndryshuar kufijtë ekzistues të Ballkanit. Ai shtet quhet Serbi, shtet tjera mund të kenë ëndrra për të marrë territore por meqenëse janë të pafuqishme ju vënë fre atyre ëndrrave.
Kushdo që punon dhe fletë sot për ndryshime kufijsh i shërben kësaj fuqie ballkanike që e ka emrin Serbi, ata mund të jenë të pavetëdijshëm se kujt janë duke i shërbyer por kjo nuk e bënë fajin e tyre më të vogël, faji mbetet po aq i madh.

Nëse e ndërtojmë shtetin e së drejtës dhe do njihemi nga Serbia dhe të kemi marrëdhënie normale me këtë shtet, atëherë nëse nipërit dhe mbesat tona do e konsiderojnë të arsyeshme edhe mund të bëjnë ndërrime territoresh pa pasur nevojë të bëjnë një luftë.
Atëherë akademikët tanë të mëdhenj mund të vënë në tavolinë punimet e tyre mbi ndërrimet e territoreve dhe do fitoj duartrokitje për vizionin e tyre të madh por sot ky vizion është shumë i dëmshëm për Kosovën tonë, andaj ju lutem mos prisni duartrokitje nga ne.

Të flasësh sot për ndërrime territoresh dhe të thuash se kjo është në të mirë të Kosovës, aq më pak të Shqipërisë, kjo mund të jetë shkencë e madhe, mund të jetë edhe çmendi e madhe por jo ndonjë punë në të mirë të Kosovës.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco