Polici që na mbron apo na vret?!

Polici që na mbron apo na vret?!

Nga Syri.net Kosova - 19/02/2020

Vrasja e pesëfishtë në Gjilan ka tronditur vendin, ndërsa një police që kishte pasur probleme psikiatrike, dyshohet se e kreu këtë masakër në familje, me armën zyrtare.

Në pritje të zbardhjes së rrethanave të këtij krimi të rëndë, është rihapur çështja e dhjetëra zyrtarëve policorë që janë trajtuar për shkak të telasheve me shëndetin mendor.

Armët në duart e këtyre personave me uniformë shteti, mbeten gjithmonë kërcënuese. Krerët e policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk mund të mjaftohen duke konstatuar situatën shqetësuese, por duhet të ndërmarrin masa për të parandaluar më të keqen.

Rreth 100 zyrtarë policorë kanë nevojë për trajtim psikiatrik, por çka ofron shteti!!!!

Nuk mund të lihet në mëshirën e fatit kjo dukuri, që po shkakton gjëma në Kosovë. Vërtet krimet ndodhin, nuk mund të parashikohen, megjithatë kur është e mundshme të parandalohen veprimet që sjellin te akti kriminal, duhet të bëhet çdo gjë që duhet.

Nëse një person në radhët e policisë, e ka të ndaluar të mbajë armë, ai nuk duhet kurrsesi të ketë qasje në një të tillë. Kushdo që ia mundëson, do të duhej të penalizohej sipas ligjit.

Përderisa nuk bëhet fjalë për dy-tre zyrtarë të tillë, por dukshëm më shumë, është emergjente që policia e Kosovës të bëjë një zgjidhje.

Drejtuesit e saj, mbajnë përgjegjësi për mosveprimin, kurse institucionet nuk mund të bëhen pengesë për zgjidhjen e këtij problemi kaq serioz.

Mos të harrojmë se sot policia, si tërë sektori publik, nuk gëzon as të drejtën e sigurimeve shëndetësore dhe trajtimi i këtyre rasteve në mënyrë të veçantë është i vështirë e i kushtueshëm.

Gjithsesi, nuk ka asnjë justifikim, që arma të lihet në dorën e një zyrtari të paaftë për të qenë i përgjegjshëm në përdorimin e saj.

Sa më shpejt adresohet kjo brengë që po merr pasoja tragjike, aq më mirë do të jetë edhe për vetë besueshmërinë e policisë sonë dhe sigurinë e qytetarëve.

Qeveria e re, në mbledhjen e radhës, duhet të tregojë vizionin e saj se si do t’u vijë në ndihmë policëve. Dhe jo vetëm.

Sigurime shëndetësore dhe buxhet më shumë për uniformat blu.

Shëndeti mendor sidomos, që zakonisht injorohet, duhet të vlerësohet me seriozitetin më të lartë.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco