‘Çudira’ nga Kosova/ 12 vjet shtet

‘Çudira’ nga Kosova/ 12 vjet shtet

Nga Syri.net Kosova - 18/02/2020

Albin Kurti u përkul para varrit të Ibrahim Rugovës. Albin Kurti ia shtrëngoi dorën Hashim Thaçit. Kryeministri dhe kryeparlamentarja e Kosovës,ndarazi nga presidenti, në dy ceremoni, shënuan përvjetorin e pavarësisë. Në mbrëmje, u bënë bashkë me kreun e Republikës. Në një kishë në Prishtinë!

Anormaliteti në shtetin tonë, gjithnjë është parë si diçka normale. Normaliteti, ka nxitur zakonisht dallgë të ashpra reagimi. “Pse ia dha dorën”, “pse e vizitoi varrin e tij”, “a ju kujtohet çka kishte thënë për të”, “ju kemi thënë, që ky do bëhet si ata”, etj, etj....

Befasirat nuk kanë fund në dritëhijet e këtij përvjetori. Në një rrëfim të gjatë televiziv, Baton Haxhiu me mburrje u shpreh se me veprimet e tij, u bë sebep që u ndal korrigjimi i kufijve! Lum populli që ka kësi bijsh, që “sakrifikohen” për interesin publik.

Problemi madhor dy dekadësh është dështimi i përfaqësuesve të shtetit, që të sillen si të tillë. Pozita, ka shërbyer për rehatim interesash individuale, grupore, partiake, korruptive, mafioze. Asnjëherë, liderët e mëparshëm, nuk e konsideruan veten, zyrtarë në shërbim të të gjithëve.

Për herë të parë, e kemi një shans që të shohim ndryshimin. E pritshme, një breshëri e orkestruar mediale kundër bartësve të mentalitetit të ri.

Ekranet kurrë nuk kanë qenë më normale se sot, fjalimet gjithashtu. Kjo do të thotë vuajtje për ish-pushtetarët, të cilët në frustrimin e tyre, pamjen vazhdojnë ta kenë të mjegullt.

Por, Kosova, e ka momentin që të dalë nga mjegulla. Pas 12 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, një etapë e re ka filluar. Sfida kryesore e qeverisë së re do të jetë uniteti i brendshëm. Vendosmëria dhe konstruktiviteti në marrëdhëniet me SHBA-në e BE-në, kanë natyrisht peshë të madhe.

Fjalët e Kurtit për dialogun me Serbinë, janë inkurajuese se Kosova nuk do të bie në brazdën e korrigjuesve dhe ndarësve të territoreve. Marrëveshje me dialog, dialog pa harta dhe pa presidentët mbi harta.

Të mbash këtë linjë, edhe taksa që e ka kryer misionin e saj, mund të shfuqizohet për t’u pasuar nga reciprociteti, një masë më e gjerë, por që duhet të shpjegohet nga pushteti aktual.

Nëse Albin Kurti, do të sillet si kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës, kjo qeveri mund t’ia hapë dyert shtetit të izoluar prej 20 vjetësh nga një kastë e inkriminuar politike.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco