Edhe një shans për shtet

Edhe një shans për shtet

Nga Valbona Mehmeti - 17/02/2020

12 vjet pas shpalljes shtet i pavarur, Kosova sërish ndodhet në “5 n’12”. Fati i saj është në duart e lidershipit të ri, që e ka shansin ta shndërrojë në shtet funksional dhe t’ia ruajë tërësinë territoriale në tavolinë bisedimesh. Nëse nuk e fiton luftën në këto dy fronte, Qeveria Kurti do ta marrë dënimin e popullit dhe të historisë

Një orë e bardhë klasike, aso rrumbullake, me zilen e alarmit mes dy kupolash, vërehej tek valëvitej nga një dorë në turmën prej mijëra protestuesve të mbledhur në qendër të Prishtinës në një ditë pranvere të vitit 1998. Ishte mesditë dhe në momentin kur akrepat e orës shënuan 5 minuta në 12, iu aktivizua alarmi. Cingërima e fortë që vinte nga zilja ishte thirrje për bashkësinë ndërkombëtare që ta dëgjojë zërin e një populli të shtypur dhe të intervenojë ushtarakisht e ta shpëtojë nga gjenocidi.

Shumë herë gjatë historisë akrepat e orës së Kosovës janë ndodhur në pozicionin e rrezikshëm “5 n’12”. Apetitet e fqinjëve, sidomos atij verior, për përvetësimin qoftë në tavolinë, qoftë me dhunë të territorit të Kosovës, e kanë rrezikuar vazhdimisht edhe vetë qenien shqiptare brenda dhe përreth kufijve të saj.

12 vjet pas shpalljes shtet i pavarur, Kosova sërish ndodhet në “5 n’12”. Tani jo nga rreziku i përgjakjes së tokës së saj, sepse Aleanca Veriatlantike, që iu përgjigj thirrjeve për ndihmë para 20 vjetësh, ende kujdeset për sigurinë tonë nga agresioni i huaj.

Kosova tani është në pozitën kur duhet përfundimisht të nisë seriozisht betejën për ta bërë veten shtet funksional në planin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar, dhe të ruajë kufijtë e saj, që kërcënohen të ndryshohen jo me dhunë, por në tavolinë bisedimesh.

Në situatë të tillë e sollën ish-komandantët e luftës të kthyer në politikanë, të cilët e keqpërdorën shansin që ua dha historia për ta ndërtuar një shtet prosperues dhe të denjë për të jetuar. Ata e stagnuan ekonomikisht dhe ia degraduan shtetësinë deri në nivelin e vënies në tavolinë negociatash të kufijve të saj.

12 vjet kosovarët nuk e ndien të afërt shtetin, të cilin e krijuan me gjak e shumë sakrifica. Sepse ai më shumë i ngjasonte një shteti të krijuar enkas për t’u plaçkitur nga ata që uzurpuan edhe meritat për çlirimin dhe themelimin e tij. Qeverisja e “çlirimtarëve” solli diskriminim në punësim, shkollim jocilësor dhe shërbime të dobëta shëndetësore. Për pasojë ikja në Perëndim u bë opsioni më i dëshirueshëm i të rinjve dhe profesionistëve. Zbrazja e vendit u bë proces që për afro 12 vjet të pavarësisë e la Kosovën pa gati gjysmë milioni banorë.

Gjatë gjithë këtyre viteve krenarinë e vetme për shtetin kosovarët e ndien vetëm me fitoret e sportistëve në gara ndërkombëtare dhe me të arriturat e artistëve nëpër botë.

Për dëmet që ia shkaktoi, lidershipi i pasluftës e mori dënimin meritor nga populli më 6 tetor.

Shansin e bërjes së Kosovës shtet të mirëfilltë tani e ka një kastë e re politikanësh, të cilët e morën udhëheqjen në fillim të vitit. Ata erdhën në pushtet me premtimin se do të qeverisin ndryshe. Edhe e nisën ndryshe. Shfuqizuan vendime që dëmtonin buxhetin e shtetit, ndërsa pasuronin xhepat e ish-qeveritarëve, me çka ngjallën shpresën se Qeveria e re nuk qenka grykëse sikurse ato të kaluarat.

Që në fillim u pa se kjo qeveri do të ketë shumë punë me riparimin e dëmeve që shtetit ia kanë shkaktuar qeveritë e kaluara. Luftën do t’i duhet ta bëjë në dy fronte: t’ia kthejë shpresën popullit në mirëqenie sociale dhe ekonomike, dhe t’ia rrumbullakojë vendit shtetësinë.

Sfidat kryesore të Qeverisë së re, sipas organizatave të shoqërisë civile, janë procesi i dialogut me Serbinë, kthimi i besimit të qytetarit në institucionet shtetërore, transparenca dhe llogaridhënia, luftimi i krimit dhe korrupsionit, rimëkëmbja e ekonomisë dhe e diplomacisë.

Në muajt në vijim pritet të shihet nëse qeveritarët e rinj do t’i përmbushin pritjet e mëdha që ka populli tek ta. Ata nuk duhet të harrojnë se kur pritjet janë të mëdha, zhgënjimi i popullit do të jetë edhe më i madh.

Prandaj nuk duhet të lejojnë që punën t’ia lënë inercisë, por të angazhohen maksimalisht që qytetari të ndiejë në përditshmëri ndryshimin e pritur. Mbi të gjitha, ta avancojë pozitën e shtetit ndërkombëtarisht dhe ta mbrojë tërësinë e tij territoriale. Tek kjo e dyta do ta kenë vështirë, marrë parasysh rolin destruktiv të Serbisë, presionet nga fuqitë e mëdha dhe zhvillimet gjeopolitike.

Për dallim nga qeveritë e kaluara, kjo e tashmja e gëzon përkrahjen e popullit. Nëse nuk e shfrytëzon drejt shansin për t’ia dhënë kuptimin e vërtetë shtetit dhe pavarësisë, populli nuk do t’i falë. E as historia.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco