Kush ishte Isa Boletini?

Kush ishte Isa Boletini?

Nga Muhamet Shatri - 23/01/2020

Më 23 janar 1916 u vra pabesisht nga shovenistët malazezë në Podgoricë, së bashku me dy të bijtë, dy nipërit dhe tre luftëtarë të tjerë. (Gjerësisht: Fjalori Enciklopedik Shqiptar...(1), f. 272).

Isa Boletini (1864- 1916). Atdhetar i shquar, strateg popullor, organizator dhe udhëheqës i lëvizjeve për çlirimin dhe bashkimin kombëtar. Lindi në fshatin Boletin të Shalës së Bajgorës, në një familje me tradita atdhetare. Mori pjesë në Kuvendin e Ferizajt (1908), të Junikut (1912) dhe në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte anëtar i delegacionit që, nën drejtimin e Ismail Qemalit, shkoi në Londër për të mbrojtur të drejtat e shtetit dhe të kombit shqiptar. Organizator i qëndresës së armatosur kundër pushtuesve të rinj serbo-malazez (1912-1913) dhe forcave  rebele në Shqipërinë e Mesme në vitet 1914-1915. Isa Boletini e lidhi jetën e tij e të familjes me fatin e atdheut, dashurinë e besnikërinë ndaj të cilit e shprehu me fjalët ”Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia”. 

Isa Boletini kishte 14 fëmijë (9 djem e 5 vajza), me tri gra: Hamidën, Qamilën edhe Gjylën. Hamidja ka qenë bijë e Selimve të Radishevës dhe ka pasë pesë djem: Pajazitin, Zahitin, Kapllanin, Mujën dhe Musën. Me Qamilën e Ahmet Halitit nga Surigana (Suhogërrlla) ka pasur tre djem: Halilin, Ademin e Asllanin dhe pesë vajza: Azizën, Hafizën, Shehidën, Ajetën edhe Feridën. Gruaja e tretë ishte Gjyla e bija e Rexhë Hysenit të Ibroshëve të Shushicës së Poshtme të Podgurit, që e pati marrë me vete në Stamboll. Atje më 1905 i ka lindë djali Faiku. (Kujtime të Bahtije Boletini-Hajrizit (1895 -1984) (kushërirë e Isa Boletinit), shënuar nga nipi i saj, Fazli Hajrizi).

Fati i djemve dhe të Isa Boletinit ka qenë shumë tragjik: Halili (1892-1916), i vrarë në Podgoricë; Muja (1895-1951), vdesë në Mitrovicë (i arrestuar në vitin 1950 nga pushtuesi jugosllav); Ademi (1895-1943), i vrarë me atentat në Shkodër (ka qenë 3 ditë më i vogël së Muja); Zahiti (1898-1916), i vrarë në Podgoricë; Pajaziti (1901-1963), vdes në Nicë të Francës; Musa (1903-1945), është pushkatuar nga regjimi jugosllav në Mitrovicë; Faiku (1905-1947), është vrarë në luftë kundër forcave jugosllave në Bistricë të Shalës së Bajgorës; Asllani (1909-1945), është pushkatuar në burgun e Prishtinës; Kapllani (1911-1970), qendroi 15 vite në burgun e Sremska Mitrovicës, vdiq në Mitrovicë. Edhe nipat e Isa Boletinit u vranë dhe u dënuan nga regjimi serbo-jugosllav dhe ai komunist shqiptar: Jusuf Halil Boletini (1914-1947) ishte kryetar i komunës së Rakoshit, të nënprefekturës së Istogut, gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

Pas ripushtimit të Kosovës (nëntor 1944), doli në mal dhe vazhdoi qëndresën e armatosur. Ra heroikisht në Bistricë të Shalës së Bajgorës, së bashku me xhaxhin e tij Faikun dhe grupin e qendresëtarëve të Shalës. Këta pasi u vranë, trupat e tyre u ekspozuan në qytetin e Mitrovicës një javë rresht dhe u varrosën në vende të panjohura. 

Skënder Mujë Boletini (1930-1987) ishte njëri nga ata qe i shpëtoi masakrës së Tivarit (prill 1945), dhe arriti që të arratisej në Itali, prej nga kaloi në Gjermani. Punoi shumë vite në kampin amerikan, në qytetin Wisbaden. Për shkaqe sigurie ndërroi emrin në Shefki. Deri në vitin 1971 familja, mendonte se ai është vrarë, mirëpo atë e zbuloi Ahmet Potera-Sadiku farefis i nënës Ajshe të Isa Boletinit. 

Ismet (Mujë) Boletini (1928-1982), u dënua me burg në Jugosllavi dhe pas lirimit, në vitin 1963, shkoi në Shqipëri, duke menduar se do të ishte më i sigurt. Por edhe atje u arrestua dhe vuajti 7 vite në burgun e Spaçit dhe më vonë, edhe 3 vite të tjera në burgun e Burrelit. Pas lirimit, me kërkesën e familjarëve, u lejua që të kthehej në Kosovë më 1979. 

Në Shqipëri në vitin 1946, është dënuar edhe Adile Hasan Bekteshi, gruaja e Adem Boletinit, për gjoja pjesëmarrje në organizimin e lëvizjes së Postribës. Ka mbajtur pesë vjet burg. (Shënimet janë marrë, më 16 qershor 2016, nga Bashkim (Ismet) Boletini, stërnip i Isa Boletinit).

 Nëna e Isa Boletinit,  Ajshe Potera- Boletini u lind në gjysmën e parë të shek. XIX në fshatin Zhabar i Poshtëm dhe vdiq në vitin 1915 në Mitrovicë. U martua me Adem Boletinin, i cili shquhej për trimëri e bujari, jo vetëm në Shalë të Bajgorës, por edhe më gjerë. Thonë se i ati Haliti, kur e përcolli Ajshen si nuse, i dhuroi edhe një kobure. 

(Kujtime të Bahrije Boletini - Hajrizi, shënuar nga Fazli Hajrizi).

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco