Grenell po vjen, ku janë Albini e Isa?

Grenell po vjen, ku janë Albini e Isa?

Nga Syri.net Kosova - 22/01/2020

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike po shtyhen për një vit kryeparlamentarllëk, ndërsa në Prishtinë të enjten vjen ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell. Përfaqësuesi i Presidentit Trump për dialogun mes Kosovës e Serbisë, vjen disa ditë pasi ka ndërmjetësuar arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy palëve me kompaninë gjermane “Lufthansa“ për vendosjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd.

Partia e Albin Kurtit dhe ajo e Isa Mustafës, nuk kanë dalë me asnjë qëndrim pas këtij zhvillimi të rëndësishëm, në një proces të bllokuar që prej vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe. VV e LDK, e dinë se qeveria e formuar prej tyre, do të ballafaqohet së pari me dialogun e vështirë, përveç sfidave të brendshme.

Politikanët kosovarë do të duhej të reflektonin gjatë këtyre ditëve, në mënyrë që të mos sillen si sharlatanë në raport me vëmendjen amerikane ndaj Republikës sonë. Të gjesh kohë për t’u marrë me çështjen tonë, është një përkushtim i veçantë i SHBA-ve, që duhet të çmohet nga lidershipi kosovar.

Në një moment kur presidenti Trump po përballet me një gjykim, ndërsa axhenda e tij është e stërngarkuar, angazhimi për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, do të duhej të nxiste një reflektim serioz në Prishtinë.

Sidomos në këtë periudhë, kur Bashkimi Evropian vazhdon të “befasohet” nga veprimet që ndërmerr administrata amerikane.

Nuk duhet të harrojmë se zhvillimet në botë, janë aq të vrullshme, saqë Kosova, mund të dalë me shpejtësi nga vëmendja ndërkombëtare, prandaj zvarritja e formimit të qeverisë, e dëmton tërë këtë angazhim.

Është me rëndësi që shteti ynë të mos i bishtnojë sidomos dialogut, me qëndrimin e qartë sa i përket tërësisë territoriale.

Albin Kurti e Isa Mustafa, do të duhej ta prisnin vizitën e ambasadorit Grenëll me një marrëveshje bashkëqeverisëse dhe me vizion të qartë për dialogun me Serbinë.

Është e pafalshme, nëse dështojnë ta bëjnë këtë ditëve në vijim.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco