14 vjet pa Rugovën, 14 vjet pa fitore

14 vjet pa Rugovën, 14 vjet pa fitore

Nga Syri.net Kosova - 21/01/2020

Gati një dekadë e gjysëm pas ndarjes nga jeta të liderit të saj historik, Lidhja Demokratike ende e ka të vështirë të këndellet.

Pa presidentin Ibrahim Rugova, LDK-ja nuk arriti të dilte më partia e parë në Kosovë në këto 14 vjet, që u dominuan nga rivalja e saj, PDK-ja.

Aq e rëndë rezultoi kjo vdekje, saqë në këtë periudhë një tjetër Lëvizje u konsolidua nga zeroja dhe arriti t’i fitonte zgjedhjet vitin e kaluar.

Për LDK-në, sa më tepër zhvishej nga të qenit lëvizje, aq më të mëdha ishin kostot politike. Të përçarë e të tronditur, shpëtimin e vetëm herë pas here e kishin rugovizmin.

Pak rëndësi sa e kishin seriozisht, sepse ajo që vlente ishte të kapeshin dikund, te një ideal, simbol apo qoftë edhe mit, siç e kishin shndërruar liderin më të madh që ka nxjerrë Kosova.

Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa ishin liderë pragmatikë, sidomos ky i dyti, i cili për herë të parë pas luftës e bëri LDK-në me kryeministër. Në fakt, e bëri  veten.

Në këtë përvjetor të vdekjes së Rugovës, LDK-ja që dikur presidenti  e udhëhiqte drejt fitoreve bindëse , po hamendet ta nxjerrë në opozitë partinë e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

Sa ishte gjallë Rugova, Thaçi nuk bëhej dot kryeministër. Bëhej Bajram Rexhepi, Ramush Haradinaj, Bajram Kosumi, Agim Çeku, por jo “Gjarpri”. Me gjasë, Ibrahim Rugova, e parandjente se çfarë dëmesh mund t’i shkaktoheshin Kosovës me një kryeministër si Thaçi.

Ardhja në pushtet e këtij të fundit, pasi nuk e kishte më përballë liderin që i shkaktonte humbje rregullisht, e konfirmoi qëndrimin e Rugovës.

Pavarësia u shpall, por regjimi që instaloi Thaçi&CO, e rrënoi në themele shtetin e sapokrijuar. Fasada dukej demokratike, por brenda vlonte mafia politike, qeverisja despotike, korrupsioni masiv.

Në shtetin e kapur, me aq sa mundi, u kacavjerr edhe LDK-ja, derisa njeriu që e bënë president, i tradhtoi dhe e shkarkoi Isa Mustafën.

Nuk ka shumë çka të mendohet Lidhja Demokratike për koalicionin me Vetëvendosjen, sepse refuzimi do të çonte ujë në mullirin e PDK-së, të Thaçit e Veselit. Një dështim i mundshëm, do ta rikthente PAN-in në pushtet.

Në këtë përvjetor, le të kujtohet Rugova, për aftësinë e tij që të tejkalojë kriza e të ofrojë partneritet për shtetin.

Po e humbën këtë shans, LDK-ja, mund të përballet me pasoja të rënda politike.

Është momenti që kjo parti, ta gjejë më në fund filozofinë e vet të veprimit, duke mos e harruar atë rugoviane, të cilën sa herë nuk kanë ide se çfarë të bëjnë, e përdorin si alibi para votuesve.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco