'Kongresi i Lushnjës, pas 100 vjetësh, na imponon reflektim dhe përgjegjshmëri'

'Kongresi i Lushnjës, pas 100 vjetësh, na imponon reflektim dhe përgjegjshmëri'

Nga Monika Kryemadhi - 21/01/2020

 

Kongresi i Lushnjes është një gur themeli në krijimin e shtetit shqiptar modern. 21 Janari është një datë historike e skalitur në historinë e Shqipërisë dhe në vetëdijen e çdo shqiptari. Ndaj gjej rastin të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë ata burra patriotë, që në një kohë aq të vështirë për shtetin e ri shqiptar deri në kufijtë e ekzistencës së saj, ata vendosën në shërbim të saj gjithçka të tyren, jetën, pasurinë, dijen dhe arritën të shpëtojnë Shqipërinë nga zhbërja e saj.

Kongresi i Lushnjes ishte prova e një ndërgjegje kombëtare të nivelit më të lartë, e cila formësoi një zgjidhje madhore në një moment shumë të vështirë për ekzistencën e shtetit shqiptar.

Ajo provoi se kur politika, njerëzit, religjionet, bëhen bashkë në emër të Atdheut dhe jo të interesave të ngushta, jepen zgjidhje që jetojnë për shumë vite dhe e shpëtojnë vendin nga çdo udhëkryq i rrezikshëm.

Mesazhi, që vjen këtë 100 vjetor të Kongresit të Lushnjes, është aktual se kurrë më parë, pasi sërish kërkohet që përgjegjshmëria ndaj vendit dhe sjelljet konsensuale të prijnë zgjidhjeve dhe parandalimit të krizave, nga të cilat vuajnë më së pari qytetarët shqiptarë, ekonomia lëngon dhe shpresat veniten.

Kongresi i Lushnjes është një dëshmi, e cila mund ta udhëheqë sot më mirë dhe më shumë se çdo këshillë apo sugjerim, sepse provoi fuqinë e mirëkuptimit dhe të vënies së interesit kombëtar mbi çdo interes tjetër.

Kjo ngjarje e jashtëzakonshme e historisë tonë na imponon sot një reflektim akoma më të thellë dhe akoma më të përgjegjshëm, sepse sikurse edhe 100 vjet më parë, nuk ka asgjë më të çmuar se sa Atdheu ynë i përbashkët, Shqipëria dhe nuk ka interes më të lartë se ai i shqiptarëve, përballë të cilëve çdo sakrificë nuk do të ishte asgjë përpara të ardhmes së tyre.

Ndaj vetëm së bashku, ne mund të kalojmë çdo sfidë, mund të përballemi me çdo të keqe, mund të kalojmë çdo hendek dhe të gjitha këto duhet t’i bëjmë në emër të së tashmes dhe të ardhmes së kombit dhe familjes shqiptare, në emër të zhvillimit dhe progresit të Atdheut që aq shumë e duam të gjithë.

    © SYRI.net

    Lexo edhe

    Komentet

    Shto koment

    Denonco