Koalicioni i ankthit

Koalicioni i ankthit

Nga Syri.net Kosova - 20/01/2020

Fituesi i i zgjedhjeve e ka hedhur edhe një hap drejt zhbllokimit të krizës politike. Dekretimi nga presidenti Thaçi i kandidaturës së Albin Kurtit për kryeministër të Kosovës, e kufizon tashmë qartazi afatin për formimin e qeverisë.

Deri në javën e parë të shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje duhet t’ia propozojë qeverinë dhe programin Kuvendit për votim.  Programi është gati, qeveria vetëm gjysma. Pa marrëveshje koalicioni, duket një aventurë politike drejt dështimit të sigurt.

Ata që mendojnë se nëse Kurti dështon në variantin e kolapsit të bisedimeve me LDK-në, do të mund t’i vijë radha një partie tjetër, gabohen. Edhe në rastin e një kandidimi të ri, sërish këtë të drejtë e ka prapë i pari, pra VV-ja.

Janë vetëm dy mundësi kushtetuese, ose VV e bën qeverinë, ose shkojmë prapë në zgjedhje. Variantin e dytë nuk e do asnjë parti. As vetë Vetëvendosje. Hiç e hiç Lidhja Demokratike, për të cilën do të ishte një katastrofë e madhe elektorale.

Sistemi ynë zgjedhor, siç është stërshpjeguar tashmë, e obligon secilin subjekt, me këtë konfiguracion që kemi, të bëjë koalicion pasi i fiton zgjedhjet, përjashto rastin kur dy parti të mëdha hyjnë bashkë në garë me idenë që marrin mbi 50 për qind të votave (variant që nuk është aplikuar).

Në rast të zgjedhjeve, që duket megjithatë pak e besueshme se do të ndodhin, do të favorizohej mbetja në pushtet e partisë që mban vulën kryesore të stërkeqjes së Republikës, korrupsionit dhe inkriminimit, padrejtësive dhe abuzimit, e së fundi edhe të kërcënimit për ndarjen e Kosovës.

Është e qartë se dy individëve negativë, Hashim Thaçit e Kadri Veselit, u intereson që të dështojë koalicioni VV-LDK, që t’ia zgjasin jetën sundimit të tyre njëzetvjeçar.

Është gjithashtu më se e qartë, se një gjë e tillë nuk mund të shërbejë si justifikim për VV-në e LDK-në, po dështuan në fund.

Me ofertat në tavolinën e bisedimeve, ngërçi është te një vit kryetarllëk Kuvendi!!!

Çka fiton LDK-ja me këtë pozitë të përkohshme? Çka humb VV-ja nëse heq dorë nga një pozitë e zgjedhur tashmë?

Kostot politike të gabimeve në hapa që i kanë bërë partitë e vetëquajtura  “partner të koalicionit të shpresës”, nuk ka pse t’i paguajë sovrani.

Me 6 tetor, votuesit e thanë fjalën e tyre. Ata duan ndryshim, siç kanë dashur edhe më herët, por pazaret politike paszgjedhore vazhdimisht e rrënonin shpresën. A ju kujtohet sa herë partitë e vogla, shqyen hise të rënda pushteti, duke e degraduar shtetësinë, administratën, qeverisjen, shoqërinë, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën, sportin, etj...

Këto 15 ditë janë testi i fortë për vendosjen e një standarti të ri në jetën politike të Kosovës, ku respektohet fituesi, partneriteti, nuk ka nënçmim, por as kushtëzim e shantazh për ca kolltuqe më tepër.

Edhe VV e LDK kanë mëkatet e tyre, megjithatë mos të harrojmë se për herë të parë, bisedimet për formimin e qeverisën nisën nga hartimi i programit, gjë që nuk ka ndodhur në këto dy dekada.

Ka ende shpresë, por kuptohet, më shumë ka ankth!

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco