Brezi i replikës

Brezi i replikës

Nga Asdren Rrahmani - 20/01/2020

Ditarin do ta përmbyll me kabllogramin, i cili arriti atje nga mëmëdheu, ku kryeministri i tij, Edi Rama, tash edhe vend kryesues i OSCE-së në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, nuk dërgon ndonjë letër proteste për ndriçimin e këtij akti makabër, i cili ishte edhe katalizator i intervenimit ushtarak të NATO-s ndaj forcave serbe, por ai e ndriçon faktin se paska ngritur padi kundër kryeministrit në detyrë në Kosovë, Ramush Haradinaj

Muajin janar e njohim si një muaj të gjatë të vitit. Në aspektin psikologjik është pothuajse dyfish më i gjatë sesa muajt e tjerë kalendarikë. Fundviti, festat, shpenzimet e shumta, dhuratat, dhe paga e janarit për ata të cilët janë fatlum që ta marrin pasi që janë në një marrëdhënie pune disi duket aq e largët, përderisa ditët mundohen që t’i shtynë disi.

E si për inat, sigurisht se në janar të bie edhe ndonjë pagesë ashtu më e madhe, siç janë sigurimi i veturës, regjistrimi i saj, ndonjë këst kredie bankare, përfundimi i pushimit të gjysmëvjetorit të fëmijëve nga shkolla etj. Të gjitha këto e bëjnë perceptimin e asaj se janari zgjat dyfish më gjatë se cilido muaj tjetër. Kjo e bën psikiken e njeriut të ketë një ngarkesë më të shtuar.

Të gjitha këto ndoshta rezultojnë edhe në atë se në botën e biznesit, janarin e njohin si muaji më i qetë i vitit, vlera e transaksioneve dhe vëllimit të biznesit bie dukshëm.

Por janari, qytetarit kosovar, përveç të gjitha të lartpërmendurave, ia sjell edhe "kënaqësinë" e marrëveshjes politike për koalicionin qeverisës ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në të vërtetë, ajo mund të quhet çfarëdo qoftë, por jo qasje për marrëveshje. Për ta hequr nga rruga atë se cila ka qenë përgjegjëse për dështimin e tyre, aty nuk ka amnesti për asnjërën prej tyre, por që barra më e madhe e përgjegjësisë së dështimit i bie LDK-së. Këtë do t’ua thotë secili që këto ngjarje i ka përcjellë pa flamuj partiakë dhe nga prizmi e militantit.

Ndoshta është bërë shumë e vështirë që ato pak mendime kritike të plasuara në publik, të cilat nuk i përkasin një militanti të asnjërës parti të pranohen nga popullata skajshmërisht e elektrizuar e aq më pak nga anëtarët dhe aktivistët politikë të partive. Ndoshta ky shkrim i ditarit tim mund që të m’i humbë edhe ca miq, por ja aq më bën, e vërteta dhemb dhe atë ta thotë vetëm dikush që nuk pret as shpërblim e as kompensim nga ana e jote, ta thotë miku i vërtetë.

Jua kam treguar edhe më parë se përvoja ime profesionale është në fushën e marketingut dhe marrëdhënieve me publikun, PR-in. Nuk e di se kush është personi përgjegjës në kuadër të LDK-së, i cili ose e cila udhëheq me këtë resor të partisë së tyre, por ja që mbrëmë kishte vendosur që të na qeraste me protagonistët sporadikë të këtyre zgjedhjeve, të ashtuquajturit "brezi i replikës".

Në tri studiot televizive nacionale na i servuan Lumir Abdigjikun, Driton Selmanajn dhe Arban Abrashin. Unë personalisht për këta persona kam pasur respekt dhe mendim të lartë të formësimit të tyre dhe rrugëtimit të tyre profesional dhe politik. Jo rrallëherë kam shprehur mendime përkrahëse për këto figura politike. Mirëpo çfarë ndodhi mbrëmë?

Unë e kisha të vështirë ta dëgjoja nga goja e Driton Selmanajt se si ai ndihet i privilegjuar dhe mburret me veprimtarinë dhe vlerat e Agim Veliut, Lutfi Hazirit, si dhe të Isa Mustafës. Do ta kuptoja sikur të thoshte kam aderuar në këtë parti, sepse besoj në fondamentin e saj të shtruar nga burra edhe gra sikur Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Zekeria Cana, Nekibe Kelmendi, e shumë e shumë aktivistë të tjerë të kësaj partie, por të lidhesh me emra njerëzish të cilët qe 20 vjet as macen nga përsheshi nuk mundën që ta nxjerrin, për besë është pak problematike. Kjo është ajo shkolla e njëjtë e PR-it të PDK-së, të cilin e kemi parë shumë herë më parë.

Në krizat e tyre më të mëdha të brendshme ata na i servonin fytyrat e asfaltit të Prishtinës, si Memli Krasniqin, Blerand Stavilecin dhe Vlora Çitakun si militantët e tyre më ekstrem partiak, të rinj, ambiciozë dhe të etshëm për vëmendje dhe pozita, dhe do të duhej dëshmuar për përkushtimin e tyre ndaj partisë dhe shefit.

Arban Abrashi, në anën tjetër, deklaron se "presidentin e bëjmë për shtetin dhe jo për LDK-në". I nderuari z. Abrashi, edhe presidentin e fundit, pasojat e të cilit ne ende po i vuajmë dhe do t’i vuajmë edhe për një kohë të gjatë, ju për "shtetin" e keni bërë dhe assesi jo për LDK-në.

Ofertave të të dyja palëve u ka dalë yndyra dhe ka kohë që e them se në këtë koalicion më nuk ka mbetur as edhe respekti më i vogël i ndërsjellë, i cili do të mundësonte një qeverisje të mirëfilltë dhe një qeverisje ndryshe, aso çfarë e premtuan vetë dhe për të cilën e kërkuan votën e sovranit.

Oferta e fundit e LDK-së për kthimin e kryeparlamentarit në LDK për një vit dhe pas zgjedhjes së presidentit nga ana e LDK-së, prapë t’i kthehet VV-së për mendimin tim nuk ndërlidhet me emrin e përveçëm të Glauk Konjufcës se a do të japë ai dorëheqje nga ajo pozitë apo jo, dhe a do ta bëjë atë sakrificë VV-ja për "Kosovën". Për mua ka të bëjë me degradimin dhe talljen me institucionin ku për kapricie partiake një herë e nënçmojnë atë pozitë dhe fare nuk e dëshirojnë me gjithë ofertën e bërë, pastaj në tërësinë e tyre përfaqësuese në Kuvend e votojnë kandidatin e VV-së, ndërsa tani e kërkojnë atë pozitë mbrapa.

Për naivët dhe të painformuarit, që nuk e kanë aftësinë që të lexojnë midis rreshtash, në fakt ajo çka në të vërtetë është duke ndodhur është se krizat e brendshme të LDK-së dhe apetitet e shumta brendapartiake për pozita dhe interesa të shumta fatkeqësisht ato shtiza po thyhen mbi shpinën e VV-së, e cila jo që nuk e ka hisenë e gjynaheve të saj, por pritshmëritë janë prej një partie e cila veten e trumbeton si parti institucionaliste. Do të bënte mirë dikush që t'ua rikujtonte se edhe qendrat e shëndetit mendor janë institucione.

A duhet të sakrifikojë VV-ja? Mendimi im është se jo. Le të përfundojë me kaq e tëra, por së paku një herë të mësohemi të mbrojmë me dinjitet një institucion e të mos i shndërrojmë në pazare gjedhesh, ku edhe aty ka më shumë rregulla. Këta kanë qenë ekspeditiv që të ngrijnë pozita kryetarësh të partive përderisa ishin presidentë, gjithmonë për shtetin të cilit ia shkelin Kushtetutën. Ta votojnë Hashimin president dhe sot e asaj dite të mos skuqen për një gjë të tillë, po kjo më të vërtetë është e pakuptueshme.

I zhgënjyer me brezin e replikës, i cili për yrnek i ka shefat e vet dhe madje edhe e thënë me pompozitet, edhe pa u skuqur fare. Shefat e juaj qe 4 vjet asnjë palë zgjedhje nuk i kanë fituar e për të qenë edhe më qesharak, në këto të fundit as që kanë kandiduar, por ja që vendimmarrës në emër të partisë dhe votuesve të tyre janë po ata. Brengosëse…

Ditarin do ta përmbyll me kabllogramin i cili arriti atje nga mëmëdheu, ku kryeministri i tij, Edi Rama, tash edhe vend kryesues i OSCE-së në 21-vjetorin e masakrës së Reçakut, nuk dërgon ndonjë letër proteste për ndriçimin e këtij akti makabër, i cili ishte edhe katalizator i intervenimit ushtarak të NATO-s ndaj forcave serbe, por ai e ndriçon faktin se paska ngritur padi kundër kryeministrit në detyrë në Kosovë, Ramush Haradinaj. A e ngrite në mini-Shengen atë padi kryeministër, atje në kryeqytetin e mini-Shengenit në Beograd? Ata mezi që do ta prisnin ta gjykonin Ramushin edhe për disa hesape të tyre, ndërsa ty ndoshta edhe ta japin "çelësin e Beogradit", i ke futur në borxh.

Do ta marr statusin e një mikeshës sime, Valbonë Bajrami, do ta postoj këtu në ditarin tim pa pëlqimin e saj, por këtij statusi nuk do t’ia hiqja apo shtoja asnjë shkronjë të vetme.

"Boll u fshi Ramushi kohëve të fundit, por ama Edi po ja kalon nja dy katramë. Në përvjetorin e Reçakut çohet e padit Ramushin. Me gjasë që nuk ka marrë pjesë në samit, ose mund të arsyetohet se banorët e Kosovës iu vërsulën (me të drejtë), ta lënë fajtor Ramushin – kush e di çka vlon në mendjen e tij të krisur.

Një kryeministër do të ishte dashur të kishte pak më shumë përgjegjësi, për shkak se është dukuri e dukshme: Kosova bën më shumë pas Shqipërisë sesa që marrim anasjelltas. E dhimbshme, por me kalimin e kohës pritet reciprocitet. E arsyeshme është, sepse në vitet e izolimit andej kufirit nuk e kanë ushqyer dashurinë ndaj Kosovës.

Ndërsa në Kosovë ka qenë kulmim i lavdisë të burgosesh për fjalën Shqipëri. Sidoqoftë, në ditën kur gjysma e kombit lëngon gjenocidin, ai monstrumi lëre që nuk e përmend fare Reçakun, po gjen metoda poshtëruese ta padisë kryeministrin në detyrë. Jo pse ky i fundit është sjellë mirë gjate qeverisjes, por sepse padia prej shtetit amë ndaj Ekzekutivit të Kosovës në përvjetor gjenocidi është soj monstrumi, shenjë e shkeljes së gjakut për flamur.

Për atë flamur që 700 hise e meriton Kosova. Është shenjë që shteti amë përmes Ekzekutivit po shkel në gjak fëmijësh shqiptarë. Po shkel mbi trupat e 45 shqiptarëve të masakruar, në ditën kur është dashur të kujtoheshin me dinjitet. Të kërkohet drejtësi prej shtetit që tashmë ka partneritet.

Shpresoj veç një gjë e nuk kam guxim ta mendoj ndryshe: shqiptarët andej kufirit të mos përkrahin politikën hegjemoniste të Ramës. Me çfarëdo forme protestuese duhet t’i thuhet ndal, sepse ke zgjedhur një dukuri shumë të dhimbshme që t’i biesh në qafë Kosovës.

Ndihmën më të madhe, të ndalet monstrumlleku i tij, mund ta japë populli andej kufirit

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco