'All In' e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës

'All In' e Albin Kurtit dhe Isa Mustafës

Nga Syri.net Kosova - 17/01/2020

Njëri nga eksponentët e njohur të LDK-së, në një intervistë thoshte mbrëmë se partia e tij ka bërë një kompromis të madh duke u ulur në tavolinën e bisedimeve me fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo deklaratë, e ilustron më së miri se në çfarë deregjeje ka rënë politika kosovare.

Për muaj e muaj, Lidhja Demokratike dhe VV-ja e përgatitën opinionin publik për “koalicionin e shpresës”, që duket ende larg në horizont. Ato 72 orët e famshme të Albin Kurtit, pas çertifikimit të rezultatit zgjedhor, nuk mjaftuan për formimin e qeverisë së re.

As javët në vijim, nuk sollën një marrëveshje. Të dyja partitë, kush më shumë e kush më pak, filluan të shkelin në parimet e proklamuara, sidomos gjatë fushatës elektorale.

VV-ja në një moment e shkeli zotimin për 12 ministri dhe i ofroi LDK-së, shtimin e tyre, për të arritur një partneritet qeverisës. Nga ana tjetër, LDK, që gjatë garës parazgjedhore përbetohej se nuk do ta përmendte fare çështjen e presidentit, u obsesionua pikërisht aty.

Negociatat shfaqën një anë të errët të të dy partive-Mosbesimin e thellë te njëri-tjetri. E vetmja fazë pozitive në këtë proces të vështirë negociimi, ishte diskutimi i programit qeveritar.

Sapo nisën bisedat për ndarjen e posteve, gjërat morën tatëpjetën. Prej statusave në Facebook, retorikës gjithnjë e më të ashpër në studio televizive e deri te letrat, ku përmenden monarkët, bisedat për “koalicionin e shpresës”, u bënë gjithnjë e më pak shpresëdhënëse.

“Çohu se nuk ka gjë këtu”, është një prej margaritarëve të këtij procesi. Deklarata e njërit prej hisedarëve në LDK, e dëshmon padurimin dhe joseriozitetin në këto takime.

Palët asnjëherë nuk patën deri tash kurajo e durim, përkushtim dhe ndjeshmërinë e duhur para votuesve, që të diskutonin për orë të tëra, deri në një marrëveshje.

Nuk është marrëveshje e lehtë, por duhet të arrihet, për ta zhbllokuar situatën. VV e LDK nuk mund ta fajësojnë PAN-in tash, që në heshtje fërkon duart nga kënaqësia e tablos së dështuar negociatore.

Mënyra se si po komunikojnë me publikun, është skandaloze për të dyja partitë. Në vend që të përmbahen, të jenë bashkarisht transparent, palët po nxisin urrejtje, përçarje, linçime, duke iu larguar qëllimit kryesor-formimit të qeverisë së re.

LDK kërkon tash kryeparlamentarin, ndërsa në anën tjetër vetë ia ka votuar kandidatin VV-së për këtë pozitë. Gabim i rëndë i Isa Mustafës.

Në anën tjetër, VV e propozoi kandidatin e vet, pa bërë një marrëveshje paraprake, që gjithsesi do ta përfshinte edhe këtë pozitë. Gabim serioz edhe i Albin Kurtit.

Asnjëri prej liderëve dhe partive të tyre, nuk e pranojnë përgjegjësinë e veprimit të nxituar, që është shndërruar në pengesë serioze për tejkalimin e krizës.

LDK flet për balancim pushteti, kur përmend kryeparlamentarin dhe presidentin, por për një parti që thirret në vlera akademike, intelektuale e që mburret me sasinë e kuadrove, është dëshpëruese kjo logjikë.

Kosova është Republikë Parlamentare, ku pushtetet janë të ndara, ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori. Presidenti sipas Kushtetutës është unifikues, përfaqëson popullin dhe duke qenë mbi palët, luan rol të rëndësishëm, pa u përzier në pushtetet e tjera.

Duke pasur gjysmën e qeverisë apo pak hise më shumë, siç ishte oferta e fundit e VV-së, LDK do të duhej të ndihej e përmbushur në pushtet. Megjithatë, ata duan tash t’u kthehet kryeparlamentari, për t’ia kthyer VV-së kur të zgjedhet presidenti. Një aksham-Pazar, që nuk kapërdihet lehtë.

Nëse asnjëra palë nuk lëshon pe, gjë që është pak e besueshme, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja sërish.

Për LDK-në, që ditëve të fundit, nuk po e fsheh më dëshirën e kamotshme që të bëjë qeveri sërish me PDK-në, shkuarja drejt kutive të votimit me këtë lidership të kontaminuar, është vetëvrasje politike. Për VV-në, mund të dalin ca deputetë më shumë, por edhe ata e dinë mirë-Prapë do ju duhet një partner koalicioni!

Albin Kurti e ka përgjegjësinë për ta bërë qeverinë, pavarësisht kompromiseve që e presin. Njësoj do të jetë edhe nesër me këtë sistem zgjedhor. Ai duhet ta zhbllokojë situatën, duke u treguar njerëzve të këtij vendi, se interesi partiak nuk mund të vihet para atij nacional. LDK-ja le ta marrë përsipër faturën për lojën e saj, kushtëzimet dhe oreksin e shtuar për pozita.

VV-ja, duhet ta arrijë marrëveshjen e koalicionit, me zotimin se ligji dhe Kushtetuta do të bëhen më të qarta, sistemi zgjedhor do të reformohet dhe do ta lehtësojnë, zgjedhjen e qeverisë në të ardhmen, duke ia dhënë mundësinë sovranit ta zgjedhë presidentin.

Albin Kurti duhet ta ftojë në takim Isa Mustafën dhe të negociojnë qoftë disa ditë pandalur, deri në finalizimin e marrëveshjes.  Lideri I VV-së duhet të mos e harrojë se Mustafa, është në finishin e karrierës e nuk ka gjë për të humbur.

Mos ta harrojë VV-ja se edhe pse i ka fituar zgjedhjet, partitë e tjera mund ta kushtëzojnë zgjedhjen e kryeministrit. A ju kujtohet VLAN-i dhe refuzimi që i bëhej Hashim Thacit në vitin 2014? Ka një përparim në këto zgjedhje, sepse mandatimi i Kurtit fundja nuk po kontestohet nga LDK-ja.

I mençuri, thonë, lëshon pe.  Po u drejtohemi limiteve kohore, sepse vendi nuk ka buxhet të miratuar, hajnia shtetërore ka lulëzuar gjithandej, anarkia mbretëron në zyrat publike.

Finalja e këtyre bisedimeve, kur të mbarojë ky poker kosovar, ku lëvizja e fundit njihet si All In, do të na tregojë shumëçka për karakterin e vërtetë të Albin Kurtit e nëse ka mbetur diçka për të shfaqur, edhe për Isa Mustafën.  

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco