Degradimi i institucionit të presidentit nga partitë politike

Degradimi i institucionit të presidentit nga partitë politike

Nga Luljeta Aliu - 17/01/2020

Tentimi i cilësdo parti politike për ta futur në kuadër të marrëveshjeve për ndarje të posteve institucionin e presidentit të shtetit, duhet të refuzohet si veprim kundërkushtetues dhe të kuptohet si orvatje për të neutralizuar efektin e parimit kushtetues të kontrollit dhe balancimit të pushteteve

Ambasadori Kosnett, të hënën, gjatë një takimi me përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kishte kërkuar formimin sa më të shpejtë të Qeverisë. Mediat informuan se Isa Mustafa e ka njoftuar ambasadorin për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje. Do të ishte e një rëndësie të veçante të dimë mendimin e ambasadorit Kosnett në lidhje me kërkesën e LDK-së rreth postit të presidentit, post të cilin ajo dëshiron ta ketë të premtuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Duke qenë përfaqësues i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku shkelja e parimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve (checks and balances) do të përbënte një sakrilegj të pafalshëm, ambasadori Kosnett do të duhej të ishte kundër një rezervimi të postit të presidentit ekskluzivisht për anëtarë të partive politike.

Mbase politikanëve tanë ju duhet asistenca e Ambasadës amerikane edhe për interpretimet ligjore të Kushtetutës dhe frymës së saj. Sidomos atyre politikanëve që e kanë gojën plot me nocionin e “shtetit të së drejtës” (rule of law), duhet t’iu shpjegohet pikërisht përmes këtij termi shkelja që vazhdimisht i është bërë Kushtetutës çdoherë kur gjatë marrëveshjeve politike për ndarjen e posteve, institucioni i presidentit është përdorur si mjet këmbimi në tavolinë.

Politika ditore kosovare dhe grykësia e politikanëve për pushtet e kanë degraduar institucionin e president nga një kategori kushtetuese në një letër tjetër bixhozi për lojërat e tyre të papërgjegjshme të zgjedhjeve të presidentëve, mënyra e zgjedhjes e të cilëve nuk ishte as legale e as legjitime. Siç dihet nga historia e mendimit politik, pushteti dhe çdo veprim politik për të qenë i drejtë duhet të përmbushë dy kritere: duhet të jetë legal dhe legjitim. Nëse e analizojmë rastin e presidentit të Kosovës dhe zgjedhjes së tij sipas këtyre dy kritereve, atëherë degradimi i tij si institucion është tejet evident.

Përveç Ibrahim Rugovës, i cili i kishte përmbushur të dy këto kritere, të gjithë presidentëve të mëvonshëm iu ka munguar njëri nga to. Fatmir Sejdiu, me gjithë legjitimitetin e pranuar politik, është dashur të dorëhiqej nga funksioni i presidentit pasi që Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar shkelje të Kushtetutës për shkak të legalitetit të munguar, respektivisht konfliktit midis ushtrimit të funksionit të presidentit dhe funksionit në parti politike.

Ndërsa në rastin e Begjet Pacollit, përveç legjitimitetit politik të munguar, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar edhe mungesën e legalitetit me rastin e zgjedhjes në funksionin e presidentit. Atifete Jahjaga, megjithëse përfundoi mandatin e plotë legalisht të pranuar, asnjëherë nuk mundi të tejkalonte mungesën e legjitimitetit politik.

Hashim Thaçi, përveç aktit të zgjedhjes legalisht të korruptuar përmes presioneve politike, joshjeve e ofrimit të privilegjeve politike e ekonomike ndaj deputetëve të caktuar të Kuvendit, vazhdon të mbetet personi më jo-legjitim politikisht në funksionin e presidentit që nga paslufta në Kosovë. Këto raste janë shembuj tipikë të degradimit politik, institucional, ligjor dhe etik të funksionit të presidentit.

Kushtetuta e Kosovës në nenin 4, paragrafi 3, e përcakton se presidenti e përfaqëson unitetin e popullit, ndërsa neni 85 [Kualifikimi për zgjedhjen e presidentit] thotë “President i Republikës së Kosovës mund të zgjedhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës.” Në nenin 86 [Zgjedhja e presidentit], Kushtetuta qartazi e përcakton se “Presidenti i Republikë së Kosovës zgjedhet nga Kuvendi, me votim të fshehtë”.

Vështruar në kornizën e këtyre dispozitave, marrëveshjet mes partive politike rreth postit të presidentit përbëjnë shkelje të Kushtetutës nga aspekti ligjor, sepse duke qenë se mëtojnë që atë post ta rezervojnë për anëtarë të tyre partiakë, automatikisht i diskriminojnë shtetasit e tjerë, të cilët po ashtu kanë të drejtë të kandidohen dhe zgjidhen si president. Shkelja e dytë do të ishte që nga deputetët të kërkohet votimi i një kandidati të caktuar, meqë neni 86 e thotë se votimi bëhet me votim të fshehtë. Mbi të gjitha, mandati i deputetit është i lirë në votim dhe deputetit nuk guxon t’i detyrohet votimi i një çështjeje sipas direktivave partiake.

Ne e dimë se praktika politike ka vepruar ndryshe në Kosovë viteve të fundit, por kjo praktikë ka qenë e gabuar dhe kundërkushtetuese edhe nga aspekti thjesht formal i ligjit.

Ndërsa nëse e kuptojmë në frymën e „shtetit të së drejtës” dhe parimit të kontrollit dhe balancimit të pushteteve, atëherë shkeljet me rastin e zaptimit të institucionit të presidentit për marrëveshje mes partive politikë janë përpos jolegjitime, edhe potencialisht të dëmshme pikërisht për balancën e pushteteve të garantuar me Kushtetutë. Kjo vërehet nga kompetencat e presidentit dhe nga mundësitë për të ndikuar përmes tyre në fusha të ndjeshme, si drejtësia dhe siguria.

Kushtetuta, në paragrafet e nenit 84 [Kompetencat e presidentit] përcakton se presidenti “(15) emëron dhe shkarkon kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës; (16) emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës; (17) emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Prokurial të Kosovës; (18) emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të Këshillit Prokurorial të Kosovës; (19) emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit; (20) emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit; (21) së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë”.

Këto kompetenca për emërimin edhe shkarkimin e personave në funksionet kyç të drejtësisë dhe AKI-së duhet ta bëjnë secilin qytetar me logjikë të shëndoshë të dëshironte që presidenti madje të mos ketë fare mundësi të jetë i përfshirë në parti politike, sepse ndikimi që mund të ketë në drejtësi dhe siguri përmes këtyre kompetencave është shumë vendimtar.

Përmes manovrës së rezervimit të postit të presidentit dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, LDK-ja në mënyre tinëzare veçse e ka siguruar që të bllokojë ndryshimin e kërkuar nga qytetarët në fushën e drejtësisë. Kompetencat e presidentit do t’ia siguronin LDK-së ndikimin e pakontestueshëm dhe gjithëpërfshirës në sistemin e drejtësisë përmes kompetencës së emërimit dhe shkarkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krerëve të tyre, ndërsa marrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe emërimi i drejtorit të AKI-së ia sigurojnë kontrollin mbi fushën e sigurisë dhe policisë.

Duke qenë të ushtruar në “artin e së mundurës“, siç po e ilustrojnë politikën kur dëshirojnë të tregojnë se kanë mësuar diçka, natyrisht se do ta lakojnë edhe Kushtetutën dhe frymën e saj deri në shpërfytyrim, duke argumentuar se Kushtetuta nuk e përjashton zgjedhjen e anëtarëve të partive politike në funksionin e presidentit.

Duke vënë theksin e argumentit në anën formale të ligjit, do të argumentonin si përfaqësues tipik kontinental të teorisë pozitiviste. Por që nga koha kur Bismarcku ka thënë se “politika është arti i së mundurës” ka rrjedhur shumë ujë nën urë dhe mendimi politik e juridik ka arritur në konsensin e përgjithshëm se shteti i së drejtës, e me këtë edhe domosdoshmëria e legjitimitetit të çdo veprimi politik, është arritja më e rëndësishme e civilizimit perëndimor.

Alexander d’Entreves (1962, 690) shkruan se “kontributi më madhor që teoria juridike e ka bërë për mendimin politik perëndimor ka qenë të na mundësojë të lexojmë politikën në terma ligjorë dhe të konceptojmë pushtetin apo edhe “shtetin” jo si një ushtrim të një force arbitrare, por të një autoriteti ligjor”.

Ndonëse termi anglo-amerikan “shtet i së drejtës” dhe ai kontinental “shtet ligjor” janë të ngjashëm, meqë e përshkruajnë të dytë një shtet të bazuar në ligj, megjithatë dallojnë në një aspekt relevant. Doktrina kontinentale e “shtetit ligjor” ka qenë e ndikuar nga koncepti pozitivist i së drejtës. Por nëse “ligji nuk është gjë tjetër përtej strukturës formale të pushtetit, atëherë struktura formale është prezente në çdolloj shteti, pa marrë parasysh çfarë qëllimesh politike, sociale apo morale janë të mishëruara në sistemin e tij ligjor: çdo shtet, sipas definicionit, është një shtet ligjor”.

Por pa kriterin e legjitimitetit, i cili kërkon që një veprim të jetë përpos legal po ashtu edhe në pajtim me normat dhe vlerat e përgjithshme shoqërore, atëherë edhe veprimet e Mussolinit, Hitlerit dhe të diktatorëve të tjerë do të ishin të justifikueshme.

Që prej momentit të formimit të institucioneve, institucioni i presidentit të shtetit vazhdimisht ka pësuar një zaptim nga partitë politike dhe degradim sa të dëmshëm aq edhe kundërkushtetues.

Duke qenë se shoqëritë moderne, ndër të cilat dëshiron ta shohë veten edhe Kosova, si ideal dhe parim e potencojnë shtetin e së drejtës (rule of law), atëherë kërkesa dhe tentimi i cilësdo parti politike për ta futur në kuadër të marrëveshjeve për ndarje të posteve institucionin e presidentit të shtetit, duhet të refuzohet si kundërkushtetuese dhe të kuptohet si orvatje për të neutralizuar efektin e parimit kushtetues të kontrollit dhe balancimit të pushteteve.

Marrëveshjet politike për bashkëqeverisje, për program apo për ndarjen e dikastereve të qeverisë janë të domosdoshme, aq më shumë në sistemin politik të Kosovës, i cili numerikisht nuk e mundëson që shteti të qeveriset nga një parti e vetme politike. Mirëpo, nëse dëshirojmë të mbetemi besnikë ndaj parimit të shtetit të së drejtës dhe Kushtetutës sonë, atëherë duhet ditur se kërkesat për sigurimin e institucionit të presidentit nga njëra anë dhe çdo zotim për sigurimin e votimit të presidentit nga ana tjetër përbëjnë shkelje të Kushtetutës.

Edhe pse posti i presidentit ka qenë pjesë e marrëveshjeve politike partiake të zgjedhjeve të fundit, kjo nuk e legjitimon një veprim të tillë. LDK nuk ka të drejtë ta bëjë këtë kërkesë fare e LVV nuk ka të drejtë ta premtojë votimin e presidentit. Posti i presidentit nuk i takon asnjërës prej tyre detyrimisht

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco