Identiteti kombëtar shqiptar

Identiteti kombëtar shqiptar

Nga Qani Osmani - 17/01/2020

Në jetën e përditshme shpesh ne dëgjojmë rreth “identitetit kombëtar”, madje e përdorim atë shumë, por pak dimë për kuptimin e vërtet të tij. Pse ne ndihemi pjesë e një kombi dhe çfar përmban në vetvete identiteti kombëtar shqiptar?

Nocioni “komb” rrjedh nga gjuha latine “nation” që ka kuptimin e një bashkësie të njerëzve me prejardhje të njëjtë. Me nocionin komb fillimisht, në kohën e vjetër, emërtoheshin fiset, pastaj në mesjetë pjesëtarët e një bashkësie të vogël fshatare, në periudhën e kohës së re bashkësitë e njerëzve me pikëpamje vlerash të përbashkëta si historia, kultura dhe gjuha si dhe grupet e njerëzve që e ndjenin përbashkësinë politike me njëri tjetrin në një hapsirë të kufizuar gjeografike, të cilën e bashkëbanonin.

Identiteti kombëtar ka të bëjë me ndjesinë e përkatësisë së një individi brenda një kombi apo shteti kombëtar. Kjo ndjesi e përkatësisë lidhet direkt me elementet themelore që e përbëjnë një komb. Ata janë: Gjaku, Toka,Gjuha, Historia dhe Tradita. Pra, kur një person gëzon identitet kombëtar, ai gëzon ndjenjën e përkatësisë së një race, territori, gjuhe, historie të përbashkët. Ndjenjat që ai ndan me të njejtën kategori njerëzish e bën atë pjesë të një përkatësie që në këtë rast quhet përkatësi kombëtare. Është pikërishtë kjo përkatësi kombëtare e cila e bënë shqiptarin të jetë i “dallueshëm” në raport me individë të përkatësive të tjera.

Gjaku është mbartësi i shpirtit i çdo qenie të gjallë, ashtu siç është mbartësi i shpirtit të një kombi. Kombi Shqiptar ngrihet mbi gjakun shqiptar, që kaq shumë veta e kalojnë pa i kushtuar rëndësinë e duhur. Në shoqërinë shqiptare ka shumë shqipfolës, që edhe pse mund të flasin shqip, edhe pse mund të hiqen patriotë e nacionalistë, ata nuk kanë gjak e prejardhje shqiptari. E theksoj fortë këtë pikë, se sado të përpiqen këta njerëz të “bëhen shqiptarë”, ata asnjëherë nuk do të mund të fitojnë atë që shqiptarët me gjak shqiptari kanë, Shpirtin e Shqiptarit.

Toka është trupi i një kombi. Një trup i cunguar, do të thotë një komb i cunguar. Shqiptarët për gati një shekull, u ndanë, pushtuan, robtuan duke punuar për të tjerë. Kalvari i vuajtjeve është i gjatë dhe pasoja më e rëndë e tij, ishte goditja në ndërgjegjen kombëtare: vëllezër që ndihen si të huaj në praninë e njëri-tjetrit. Pra, pa një trup të shëndoshë, shqiptarët nuk do të mund të bëjnë qoftë edhe një hap në rrugën e aspiratave të tyre kombëtare.

Gjuha është zëri i shpirtit të një kombi. Zoti i ka bekuar kombët me gjuhën që flasin, dhe gjuha jonë shqipe është një ndër gjuhët më të lashta të vetë njerëzimit. Pasuria më e madhe që prindi shqiptar i le fëmijve të vet, është gjuha shqipe pasi ajo gjuhë është gjuha që foli babai, gjyshi, stërgjyshi…e me dhjetra breza para. Kjo gjuhë na veçon nga popujt e tjerë dhe flet për madhështinë e Shpirtit të Shqiptarit. Pa te, do të ishim një popull me një të shkuar të panjohur, dhe me një të ardhme të pasigurt.

Historia është testamenti i një kombi. Historia shqiptare i përngjanë shumë historisë së vuajtjeve biblike pasi kalvari i vuajtjeve i popullit shqiptar ka qenë i gjatë. Por në vend që këto vuajtje të dobësonin aspiratat e shqiptarëve, ato janë rritur e lartësuar. Dhimbja të burrëron. Vetëm pas gati një shekulli të ndarë, Kosova sot është e lirë duke vënë kështu në vend një padrejtësi shekullore që rëndonte mbi ne shqiptarët. Një popull që nuk e di nga vjen, nuk mund të shikojë rrugën e drejtë që duhet të ndjek.

Tradita është bukuria e shpirtit shqiptar. Tradita mëshirohet në sjelljen, veshjen, festat, tragjedi, luftë, dasma, vaje, nga një krahinë në tjetrën. Duke qenë një popull i vjetër, shqiptarët kanë akumuluar në vitet e ekzistencës së tyre një traditë origjinale dhe të pasur. Tradita zbukuron karakterin e çdo shqiptari, ushqen moralin e secilit prej nesh, dhe është thesari që popujt e tjerë na e lakmojnë, kurse ne shqiptarët shumë pak e vlersojmë. Trashigimia jonë kombëtare përbëhet pikërisht nga këto tradita që brezat aktual duhet tua lënë brezave të rinj.

Patriotizmi është ndjenja më e kulluar që lind si pasojë e shkrirjes së ndjenjës së dashurisë dhe urtësisë që ekziston në një popull. Kjo ndjenjë të bën të vuash shpirtërisht sa herë që populli yt vuan, të gëzon me gjithë shpirt sa herë që populli yt gëzon paqe dhe prosperitet. Të bën të vrasësh mendjen se si tu vish në ndihmë sa më mirë vëllezërve të një gjaku. Të shëron e lehtëson dhimbjen ashtu siç të fal edhe optimizëm atëherë kur e ardhmja e një kombi është më e errët dhe e pasigurt se kurrë.

Populli shqiptar është një popull i vuajtur që ka sakrifikuar shumë jo vetëm për vetveten por edhe për mbarë njerëzimin. Vuajtja të lodh trupin por të lartëson shpirtin dhe është pikërisht ky SHPIRT SHQIPTARI që secili nga ne mbart e ushqen. Është pikërisht ky shpirt që na bën të duam njeri-tjetrin, edhe pse jena nga krahina të ndryshme, edhe pse kena besime fetare të ndryshme, edhe pse flasim shqipen në dialekte të ndryshme, edhe pse historia me padrejtësitë e saj na ka ndarë nga njeri-tjetri për një kohë të gjatë. Por siç thotë një fjalë e urtë popullore “Gjaku ujë nuk bëhet!” dhe në gjakun e çdo shqiptari rrjedh edhe shpirti i tij. Ndjenja e patriotizmit gjithmonë nxjerr në pah virtytet më të larta të një kombi.

Dëshira për të ndryshuar për të mirë realitetin e shoqërisë të cilës i përket, buron pikërisht nga ndjenja kombëtare. Tani ka ardhur koha që familja dhe shoqëria të vjelin frutet e kësaj ndjenje që do të duken tek përkushtimi dhe puna e brezave të rinj. Të gjithë njerëzit në një shoqëri sytë i kanë pikërisht te rinia që është edhe grupi më energjik i cili mund të mundësojë një ndryshim pozitiv. Secili në këtë pikë ndërmer një hap, mision, rrugë me të cilën ai mendon se po i vjen në ndihmë popullit të tij. Ky është pikërisht momenti kyç ku njerëzit ndahen në dy grupe: ata që vënë interesat e tyre personale mbi gjithçka dhe ata që sakrifikojnë interesat e tyre personale për hir të interesave të përbashkëta kombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco