Mentaliteti millosheviçian i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç

Mentaliteti millosheviçian i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç

Nga Islam Lauka - 06/12/2019

I pyetur, sot, rreth reagimit te tij mbi dënimin, me 2 vjet heqje lirie, të ish Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal të Kosovës, Ivan Teodosijeviç, për shkak të mohimit prej tij, në mars të këtij viti, të Masakrës së Reçakut, Presidenti serb Vuçiç, deklaroi se ai i përmbahet të njëjtës pikëpamje dhe e quajti atë një krim të fabrikuar.

Jo vetëm kaq, por ai shkoi edhe më tej, duke “zbuluar” edhe autorin e këtij “krimi”, që, sipas tij, është ambasadori amerikan, Uilliam Uokër, ish-Shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, duke e etiketuar atë me fjalët më të vrazhda si: fallsifikator, mashtrues, rrugaç, etj.
Dihet botërisht se “mëkati” i vetëm i ambasadorit Uokër është se ai e pati cilësuar Masakrën e Reçakut me emrin e vet të vërtetë – krim kundër njerëzimit.

Por ish-Ministri i Informacionit të Sllobodan Millosheviçit, A. Vuçiçit, i sapo kthyer nga takimi i radhës me Presidentin rus, V. Putin, i cili gjithashtu e mohon zyrtarisht Masakrën e Reçakut, duket se nuk ka punë me të vërtetën, me drejtësinë, as me moralin.

Është vështirë të imagjinohet se si mund të jetë i besueshëm një njeri i tillë, i cili, nga njëra anë, hedh baltë mbi një popull të tërë, mbi sakrificat sublime dhe vuajtjet biblike të shkaktuara nga shteti i tij dhe, nga ana tjetër, shprehet i gatshëm për të biseduar me përfaqësuesit e këtij populli martir për të gjetur të ashtuquajturin “kompromis historik”.

Është e qartë se kompromis me mentalitetin millosheviçian nuk ka e as nuk mund të ketë. Shqiptarët nuk i kanë asnjë borxh Vuçiçit, as Serbisë. E kundërta është e vërtetë.

Shlyerja e këtij borxhi duhet të fillojë nga gërma “A”. Që do të thotë: të pranohet e vërteta për krimet çnjerëzore serbe në Kosovë dhe t’i kërkohet falje zyrtarisht popullit shqiptar për këto krime.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco