Njësia austriake për mbrojtjen e poshtërsive të Peter Handkes

Njësia austriake për mbrojtjen e poshtërsive të Peter Handkes

Nga Enver Robelli - 05/12/2019

Në vend se t’i kritikojnë veprimet moralisht të ndyra të Peter Handkes, një grup personalitetesh të jetës publike austriake i dalin në mbrojtje shkrimtarit të njohur për mohimin e krimeve serbe në Ballkan.

Kur u bë publik lajmi se Peter Handke do ta marrë “Nobelin” për Letërsi, ndër të parët që nxitoi të shprehë gëzimin e tij, ishte vetë presidenti austriak Alexander Van der Bellen.

Një ditë e lumtur për letërsinë austriake, për letërsinë në përgjithësi, shkroi presidenti. Pastaj shtoi se Handke prej dekadash e ka përshkruar botën me zërin e tij të qetë dhe këmbëngulës. Van der Bellen nuk e tha asnjë fjalë për udhëtimet e Peter Handkes nëpër Bosnjë e Serbi, ku duke keqpërdorur gjuhën ai minimizoi apo mohoi tërësisht krimet serbe të luftës.

Në të përjavshmen gjermane “Die Zeit” shkrimtarja austriake, Eva Menasse, me ton triumfues nënvizoi se nderimi i Handkes është i qëlluar, sepse, sipas saj, në jetën e një artisti përherë ka hone dhe rrugë të gabuara. Kështu autorja synoi të maskojë atë që nuk mund të maskohet: vallen e Handkes me ultranacionalistët serbë.

Në fillim të nëntorit një grup shkrimtarësh austriakë botoi një “letër të hapur”, ku ankoheshin për “propagandën anti-Handke” të ditëve dhe javëve të fundit. Sipas këtyre shkrimtarëve, kritika ndaj Handkes përbëhet vetëm nga urrejtja, smira, etiketimet, teprimet dhe gjëra të tilla, ku çdo mjet është i lejueshëm. Se ku jetojnë këta shkrimtarë austriakë zor të dihet, reagimi i tyre është absurd, qesharak.

Janë faktet që flasin për Handken. Përtallja e viktimave, mbrojtja e kriminelëve të luftës (njërit prej tyre Handke i shkoi në dasmë më 1999), simpatia për diktatorin serb Slobodan Milosheviq (“Kur vdiq”, thotë Handke, “më kaploi një mërzi e çuditshme”), gdhendja e gjuhës duke i injoruar ato që s’mund të injorohen.

Një poezi makabre e një shkrimtari që braktis Kishën Katolike (sepse ajo paskësh përkrahur bombardimin e Serbisë), heq dorë nga çmimi letrar Büchner dhe në Beograd çirret si mbrojtës i pastërtisë kundër “fashizmit perëndimor” dhe e fyen gazetën prestigjioze gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, duke e quajtur një gazetë “serbëngrënëse”.

Handke me gjasë çmendej kur pothuaj çdo ditë lexonte komentet e Johann Georg Reissmüller-it kundër agresorëve serbë. Për dallim nga Handke, Reissmüller e njihte mirë Ballkanin, mes viteve 1967-1971 ai raportoi nga Beogradi për zhvillimet në Jugosllavi, po ashtu Reissmüller është edhe autor librash për rajonin. Handke me kryeneçësi ia arrin që pothuaj çdo fjalë serbe që e shkruan në pamfletet e tij, ta shkruajë gabimisht.

Por Austria i rri pranë Peter Handkes. Në Festivalin e Salzburgut në vitin 2020 (festival jubilar, sepse shënohet 100-vjetori) do të shfaqet drama “Zden?k Adamec” e Peter Handkes. I riu çek Zden?k Adamec dogji veten në vitin 2003 në shenjë proteste kundër rrethanave shoqërore.

Austria i rri pranë Peter Handkes edhe kur krijohen situata absurde. Pasi portali amerikan “The Intercept” njoftoi se Peter Handke është shtetas jugosllav dhe për të dëshmuar këtë publikoi faksimilet e pasaportës së tij të lëshuar më 1999 nga ambasada e “Republikës Federale të Jugosllavisë” në Vjenë, disa media vjeneze pyetën: a është Handke tash “jugosllav” (lexo: serb), austriak apo pa shtetësi? Sipas ligjeve austriake, Handke nuk ka pasur të drejtë të marrë pasaportë të një shteti tjetër pa e dorëzuar shtetësinë austriake.

Pasaportën jugosllave (serbe) Handke ia kishte dhënë një mikut të tij, i cili, bashkë me relikte të tjera, ia kishte dorëzuar Bibliotekës Kombëtare të Austrisë. Deri para pak ditësh faksimilja e pasaportës mund të “dovnlladohej” (siç thuhet në ilirishten e lashtë) nga faqja e bibliotekës austriake. Kur portali imperialist amerikan e bëri publik skandalin, biblioteka austriake e hoqi nga rrjeti kopjen e pasaportës. Për fat të mirë, gazetari i “The Intercept”, Peter Maass, e shpërndau kopjen e pasaportës, kështu që njëherë e përgjithmonë dëshmia është këtu.

Ndonëse Handke duke e marrë pasaportën serbo-jugosllave me gjasë ka shkelur Ligjin austriak për shtetësi, ai nuk duhet të ketë frikë se do të humbë shtetësinë austriake. Madhështore (në kuptimin negativ) ishte përgjigja e Handkes se përse është pajisur me pasaportë jugosllavoserbe. Ai tha se e shfrytëzonte këtë pasaportë për të paguar më pak në hotelet e Serbisë, por, shtoi Handke, shtetas serbojugosllav “nuk kam qenë”. Tash – hajde të gjejmë një shtet që jep pasaporta pa shtetësi, por vetëm për të fjetur me çmim më të lirë në hotelin Moskva në Beograd? Për Handken çdo gjë është e mundshme. Kur më 2013 vizitoi Beogradin, ai tha se pastërtia e ajrit serb nuk gjendet gjetiu, në Gjermani e Francë jo se jo.

Mbetet në ajër pyetja se përse Handke rri në Paris, madje afër Kështjellës Rambouillet, ku u zhvilluan negociatat e pasuksesshme për Kosovën, dhe nuk shkon në Beograd, atje ku ajri është i pastër, rakia e pastër si loti, Serbia është – në ëndrrat e tij – antikapitaliste dhe antiamerikane, pa McDonalds dhe pa cigare të një kompanie amerikane.

E vërteta e hidhur për Handken është kjo: McDonadls hapi filiale në Beograd më 1988 dhe që nga atëherë edhe serbët vrapojnë pas BigMac-ut, simbolit të potencës kapitaliste.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco